Maqedonia dhe Bullgaria po zhvillojnë biseda intensive, presim rezultate konkrete, pohon ambasadori bullgar në Tiranë

Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut janë duke zhvilluar biseda intensive dhe grupet punuese pritet që së shpejti të arrijnë rezultate konkrete, tha sot ambasadori bullgar në Tiranë, Momçill Rajçevski gjatë vizitës së tij në Korçë, transmeton MIA.

“Jemi në një periudhë bisedimesh shumë intensive me Maqedoninë e Veriut. Qeveria e re bullgare ka ngritur 10 grupe pune që punojnë për interesin e përbashkët dhe presim që së shpejti të arrijmë rezultate konkrete. “Presidenti Meta zhvilloi një vizitë zyrtare në Sofje, ku Presidenti bullgar e theksoi mbështetjen e pakushtëzuar të Bullgarisë për integrimin e Republikës së Shqipërisë”, tha Rajçevski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse Bullgaria e mbështet integrimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE.

Përfaqësuesi diplomatik i Sofjes në Tiranë tha se vendi i tij ka qenë dhe do të mbetet një nga mbështetësit më aktivë të zgjerimit evropian.

Ai nuk deshi të komentojë paralajmërimin e Kryeministrit Edi Rama se Shqipëria do të kërkojë nga BE ndarje nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit.

“Çfarë do të kërkojë Shqipëria është vendim i Republikës së Shqipërisë. Nuk mund të komentoj për kushtet, por e them sërish se Shqipëria e ka kryer  punën e saj”, tha ambasadori bullgar.

I pyetur nëse BE duhet të bëjë më shumë për Ballkanin Perëndimor duke pasur parasysh luftën në Ukrainë, Rajçevski tha se BE tashmë po bën shumë, por tha se “gjëja më e rëndësishme për momentin është që të gjithë të përqendrohen në përfundimin e luftës”.

Ambasadori Rajçevski ishte në vizitë të Universitetit “Fan S. Noli” në Korçë së bashku me një delegacion të përbërë nga drejtues dhe pedagogë të universiteteve bullgare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button