fbpx

Reformat e RTM-së në vendnumëro, të ardhurat dhe numri i të punësuarve vazhdojnë të bien (Infografik)

Nuk ka lëvizje pozitive lidhur me zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohet Radiotelevizioni të Maqedonisë; reformat vendnumërojnë, ndërsa me kalimin e kohës shfaqen sfida të reja plotësuese që vënë në pikëpyetje funksionimin normal të servisit radiodifuziv publik në vend, transmeton Meta.mk.

Raporti i fundit monitorues i titulluar “Monitorimi i Procesit të Integrimit Evropian: Reforma në Administratën Publike” i përgatitur nga Fondacioni Metamorfozis për tremujorin e parë të vitit 2022 tregon se situata me reformat në sektorin e mediave, përfshirë reformën në RTM, nuk ka ndryshime. Ndërkohë, Raporti i monitorimit të autorit Teofil Blazhevski nxjerr në pah disa probleme aktuale me të cilat RTM-ja ballafaqohet: Zgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit Programor të RTM-së nga Kuvendi i RSM-së, financimi i RTM-së nga buxheti i shtetit dhe punësimi i punëtorëve me honorar.

Ngjashëm sikur rasti me zgjedhjen e Këshillit të ri të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, nuk janë zgjedhur as anëtarët e rinj të Këshillit Programor të RTM-së dhe nuk ka paralajmërime se problemi do të zgjidhet edhe në tremujorin e dytë të vitit 2022.

“Ekspertët nuk shohin ndonjë lëvizje në këtë drejtim, pavarësisht se një kohë të gjatë justifikimet nga legjislativi dhe ekzekutivi ishin që problemi qëndron në ngecjen e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime në Kuvend. Tashmë që ky problem është zgjidhur, disa javë më parë, Komisioni nuk e sheh të nevojshme të riaktivizojë konkursin, i cili për arsye procedurale do të duhet të shpallet i pavlefshëm dhe të rishpallet për të tretën herë. Të kujtojmë se është obligim ligjor i Kuvendit të plotësojë organet në Agjencinë për Media dhe në RTM”, thuhet në raportin e monitorimit të Fondacionit Metamorfozis.

Përveç mungesës së vullnetit politik për zgjedhjen e organit të ri drejtues të RTM-së, dokumenti i publikuar për reformat në administratën publike, i Fondacionit Metamorfozis, e rikujton problemin me financimin e servisit publik. RTM-ja prej vitesh pranon buxhet në  minimumin e paraparë me ligj apo edhe nën minimumin ligjor, në vend se të zbatohet zgjidhja ligjore, gjegjësisht financimi i RTM-së të arrijë në nivelin 1% të buxhetit të shtetit që është realizuar në vitin paraprak buxhetor.

“Financimi i servisit publik mbetet problem që përvidhet qysh nga ndryshimi i legjislacionit në vitin 2017, kur shteti vendosi të ndryshojë modelin e financimit të RTM/RTN dhe në vend të tarifës për radiodifuzion, financimi të bëhet nëpërmjet buxhetit të shtetit”, thuhet në Raportin e monitorimit.

Aty përmendet edhe zgjidhja e problemit me kontratat e personave të angazhuar me afat të caktuar në RTM, duke thënë se procesi është i vështirë për shkak se lejet e punësimit në RTM shkojnë me miratim të detyrueshëm nga Ministria e Financave.

Se gjendja është e edhe keqe me servisin publik radiodifuziv tregon Raporti vjetor për punën e Radio Televizionit të Maqedonisë për vitin 2021, që u publikua para pak kohe. Të ardhurat totale vitin e kaluar arritën në rreth 15,9 milionë euro dhe janë rreth gjysmë milionë euro më të ulëta krahasuar me vitin 2020. Shpenzimet e realizuara në vitin 2021 arritën në mbi 16 milionë euro dhe kanë shënuar rritje krahasuar me vitin paraprak.

“Në këtë kontekst, është e nevojshme të theksohet se reduktimi i vazhdueshëm i përmendur i mjeteve për financimin e veprimtarisë radiodifuzive dhe mosrespektimi i Ligjit për ASHMAV nga ana e shtetit, në fakt daton disa vite më parë, gjegjësisht nga heqja e tarifës radiodifuzive dhe në vend të shumës së përcaktuar me ligj prej “1% (duke filluar nga viti 2021) të të hyrave totale të realizuara në vend gjatë vitit para vitit fiskal për të cilin është përcaktuar shuma, mjetet që i merr RTM-ja në periudhën e përmendur janë shumë më të ulëta se sa shumat e përcaktuara me ligj”, thuhet në Raportin vjetor për punën e RTM-së.

Servisi publik ka përllogaritur se mjetet për financimin e veprimtarisë radiodifuzive që janë shkurtuar në MRT janë rreth 10 milionë euro në vit.

“Ky është një problem serioz me të cilin ballafaqohet kjo shtëpi dhe mungesa e vazhdueshme e burimeve financiare shkakton vështirësi në funksionimin aktual, e vë në pikëpyetje shlyerjen e borxheve të vjetruara, digjitalizimin e radios, prodhimin dhe prokurimin e përmbajtjeve të reja programore dhe më e rëndësishmja zbatimin e strategjisë pesëvjeçare zhvillimore që është hartuar sipas standardeve më të larta dhe në bashkëpunim me ekspertë të BE-së dhe EBU-së”, paralajmërojnë nga RTM.

Një problem tjetër alarmant është ulja e vazhdueshme e numrit të punonjësve në servisin publik. Të dhënat nga Raporti vjetor thonë se në RTM më 31 dhjetor 2021 kanë punuar gjithsej 704 persona, që është për 9 persona më pak se në fund të vitit 2020. Meta.mk ka kohë që shkruan për mungesën e stafit, ashtu që në maj 2020 të dhënat tregonin se RTM kishte 755 të punësuar, nga të cilët 205 gazetarë.

Maqedonia e Veriut pranon rregullisht kritika nga Komisioni Evropian (KE) për gjendjen e servisit radiodifuziv publik në Raportet për progresin e reformave të vendit drejt BE-së. Në raportin e fundit të KE-së për vitin 2021 thuhet se reformat e premtuara në RTM dhe në Agjencinë për Media mbetën të parealizuara edhe një vit, kurse problem i veçantë është financimi dhe sigurimi i pavarësisë së RTM-së.

“Servisi radiodifuziv publik ka miratuar një strategji pesëvjeçare për zhvillim, por procesi i reformës është penguar nga vonesat në emërimin e anëtarëve të Këshillit Programor dhe Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, të cilëve u kanë skaduar mandatet”, rikujtoi Komisioni Evropian në Raportin e kaluar në tetor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button