Shkollat dhe kopshtet në RMV do të pranojnë fëmijë edhe pse arsimtarët janë në grevë, thonë nga MASH

Ministria e Arsimit dhe Shkencës nëpërmjet një njoftimi bëri të ditur se të hënën kur është lajmëruar greva nga udhëheqësia e Sindikatit për Arsim dhe Kulturë SASHK-u shkollat fillore dhe të mesme do të vazhdojnë të punojnë, gjegjësisht do të pranojnë nxënës dhe do të organizojnë procesin edukativo-arsimor, transmeton Portalb.mk.

“Rregullativat juridike në këtë fushë i mbrojnë  interesat e nxënësve në përputhje me ligjin për shkollat fillore dhe të mesme, punën edukativo-arsimore duhet ta realizojnë gjatë tërë vitit mësimor.  Nuk guxon të ketë ndërprerje vetëm në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme sikurse ekzistimi i gjendjes së krizës, gjegjësisht pandemisë, zjarreve, vërshimeve, ose  fatkeqësive tjera natyrore për të cilat  vendos Qeveria ku e rregullon mënyrën e organizimit dhe realizimin e mësimit deri në fund të vitit shkollor”, thuhet në njoftimin e MASH.

Nga MASH po ashtu thonë se udhëheqësit e shkollës kanë detyrimet ligjore që ta organizojnë procesin edukativo-arsimor dhe të mundësojnë vazhdimin në kontinuitet dhe ndjekjen e mësimit në klasa, i cili ishte vendosur pasi që pas një vit e gjysmë edukim të nxënësve në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme gjatë pandemisë, ato përsëri u kthyen në bankat shkollore aty ku e kanë vendin.

Ndryshe, edhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale njoftoi se të gjitha institucionet parashkollore do të vazhdojnë të kryejnë aktivitetet e tyre për përkujdesjen dhe edukimin e fëmijëve në ditët e grevës së paralajmëruar.

LEXO: MPPS: Kopshtet do të vazhdojnë me punë edhe gjatë grevës

Ndryshe, SASHK ka paralajmëruar grevë të përgjithshme në arsim nga 11 prilli, pasi Qeveria nuk vendosi deri më 15 mars në lidhje me rritjen e pagës.

“Kemi një tekst të marrëveshjes kolektive të përgatitur nga grupet punuese të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe SASHK-ut. Ajo që ne kërkojmë është harmonizimi me pagën minimale prej 18 mijë me kontrata kolektive, ajo të inkorporohet në kontratat kolektive, ku bazë për llogaritjen e pagës do të jetë paga minimale kombëtare. Duke qenë se paga minimale do të jetë 18.000 denarë, atëherë baza do të jetë 18.000 denarë, e cila do të shumëzohet me faktorin përkatës të kompleksitetit të vendit të punës. Në këtë mënyrë do të shmanget barazuesi, që po rritet gjithnjë e më shumë tash e disa vite – njerëzit me punë të ndryshme dhe kompleksitete të ndryshme të punës marrin të njëjtën pagë”, pati deklaruar para një muaji kryetari i SASHK-ut, Nedellkov.

Nëse kemi parasysh se paga minimale në vend është 18.000 denarë, numër ky që shumëzohet me koeficientin e kompleksitetit të punës, i cili për pozitën mësues në arsimin fillor është 2.503, atëherë del se paga e një mësues duhet të jetë 45.054 denarë. Për një profesor në arsimin e mesëm ky koeficient është 2.533, që do të thotë se paga e arsimtarit në arsimin e mesëm duhet të jetë 45.594 denarë. Për pozitën e pastruesit koeficienti është 1.3, që do të thotë se një pastruesit në shkollë do të merrte pagë prej 23.400 denarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button