Kamxhiku i drejtësisë

Agjensia Evropiane e Statistikave, në të dhënat e fundit, e paraqet Maqedoninë e Veriut si një prej tre vendeve më të varfra të Evropës. Sipas raportit të fundit të Transparency International, në indeksin e përceptimit të korrupsionit, Maqedonia e Veriut rënditet në vendin e 111 nga 180 vende të botës. Korrupsioni është i përhapur në të gjithë administratën publike, vetëqeverisjen lokale dhe sektorin privat të biznesit. Tenderimet e paligjshme dëmtuese qindra miliona euro e buxhetit shtetëror, evazioni fiskal i biznesit privat e korrupsini në shoqëritë aksionare, janë arsyet kryesore për gjendjen e mjerueshme financiare në të cilën ndodhet vendi ynë, shtuar një borxh publik tejet të rënduar dita ditës. Niveli i lartë i korrupsionit është pengesë e investimeve të huaja, element gjenerues i papunësisë dhe mungesë e të ardhurave për arkën shtetërore. Në këto kushte, jeta e qytetarëve bëhet e rëndë dhe e padurueshme, nxit më tej hovin e braktisjes së vendit në nivel alarmant.

 

Në tranzicionin politik e shtetëror të këtyre dekadave, nga korrupsioni dhe mungesa e kamxhikut të drejtësisë, kanë përfituar masë e caktuar e figurave politike, funksionarë publik, kryeministra e ministra, drejtorë e kryetarë komunash, prokurorë, gjyqtarë e shefa policie, madje profesorë e “akademikë” universitetesh, biznesmenë e mini-oligarke të lidhur me krimin politik. Zhvatës të së mirës publike, pjesëtarë nga të gjitha kampet politike, të etnikumit shqiptar dhe maqedonas, muslimanë apo të krishterë ortodoks, ndoshta më shumë, për paradoks, pjesëtarë nga ata që sot gjenden në opozitën politike, ata të cilët brohorasin anti–korrupsionin dhe ju bien kambanave të moralit të shtetit të së drejtës. E gjitha kjo, sepse kamxhiku i drejtësisë asnjëherë nuk ka funskionuar prej vërteti, ka qenë vetëm një kamxhik prej letre në fushata zgjedhore. E sot, me raste të hetimit e goditjes se krimit nga kamxhiku i drejtësisë në nivele të larta, për hir të Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo jo, për hir të një vullneti qeverisës apo jo, kamxhiku i drejtësisë duket se ka dalur në mejdan për të goditur arsyen e vërtetë të varfërisë së qytetarëve, e pagave të ulëta të administratës shtetërore dhe publike, në arsim, shëndetësi e sistemin e drejtësisë.

 

Me dështimin e rreformave në gjyqësor nga qeverisja e revulucionit laraman, dështimi i Prokurorisë Speciale me shpenzime miliona euro para publike, me prokurorë të gllabëruar nga egoja e interesit vetjak, njerës të drejtësisë që brohoritjet në diskoteka dhe tribuna futbolli, i kanë më të lartë se në tribunat e luftës ndaj krimit, nuk duhet ta inkurajojnë kamxhikun e asnjë lloj drejtësie, si shpresën e fundit të këtij vendi për një të ardhme më të mirë, minimalisht për brezat e ardhëshëm. Pa këtë drejtësi, mund të gjallërojnë kënaqshëm vetëm individë dhe klane individësh të korruptuar dhe skajshmërisht të korruptuar. Të tjërët, vetëm mbijetojnë dhe mund të ëndërrojnë mbijetesën.

 

Shpresa e kamxhikut të drejtësisë na vjen parasysh tani, kur nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, sapo i është ngritur akuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, edhe një figure tjetër të lartë shtetërore, sekretarit gjeneral të qeverisë. Megjithëse shpresojmë që nga akuza, i akuzuari në fjalë të dalë krejtësisht i pafajshëm, dhe derisa atij ti vërtetohet fajësia, duhet konsideruar i pafajshëm, konform parimit  universal të prezumimit të pafajësisë. Megjithatë, një gjë është evidente, e pamohueshme, në këtë shtet ka korrupsion të konsiderueshëm dhe të trashëgueshëm nga politikat e kaluara, ndoshta që prej themelimit të shtetit, andaj si plagë e thellë shoqërore, e ka edhe reagimin e justifikueshëm të popullatës, për çdo hetim dhe akuzë nga Prokuroria publike, ndaj cilido të dyshuar nga organet përkatëse.

 

Kamxhiku i drejtësisë që guxon të godasë me akuza dhe masa paraburgimesh në nivele të larta qeverisëse, le të bëhet ogur i mirë për të gjithë luftën ndaj krimit, rihapjen e lëndëve penale në sirtarët e prokurorëve të korruptuar e shantazhuar, hetimet e lëna përgjysmë, të bëhet guxim për të vënë para drejtësisë çdo konsumues të veprave penale, si dhe për të shmangur atë kamxhikun e drejtësisë së gjuetisë shtrigash, në aspektin politik e etnik të saj.

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button