Përse s’i thotë kush Serbisë se Kosova është shqiptare

Pas çlirimit të Kosovës nga paramilitarët e Kasapit të Ballkanit, në vend se t’u kërkojë falje shqiptarëve për dhunën shtazarake të ushtruar mbi ta, parësia serbe e dalë nga nënsjetullat e përpiluesve të platformave famëkëqia për shfarrosjen e shqiptarëve, nuk lë ditë pa përsëritur se Kosova paska qenë dhe do të bëhet sërish Serbi. Parësia shqiptare ndërkaq ka futur bishtin nën shalë dhe s’ka kurajë ta thotë as një herë në vit se Kosova është dem baba dem shqiptare. Kjo sjellje servile miraton heshtazi propagandën agresive serbe, e cila edhe pas përkrahjes së hapur të krimeve ruse në Ukrainë, vazhdon të ushqejë opinionin e brendshëm dhe të jashtëm me pallavrat për gjoja dhunën që paskan ushtruar ujqit shiptarë ndaj qengjave serbë. Vazhdojnë madje dhe kërcënimet me luftë ndaj Kosovës, kurse klasa jonë politike, hiq ca përajshtime, nuk denjon t’i kërkojë Serbisë me një gjuhë të vetme llogari për gjenocidin e vitit 1877, kur dogjën e rrënuan qindra fshatra, therrën, ngulën në hunj dhe përzunë përsijeta nga vatrat e tyre mijëra familje shqiptare nga Sanxhaku i Nishit. Shqiptarët nuk i kërkojnë llogari as për marrëveshjet tinëzare dhe shpërnguljen e dhunshme të mijëra fatprerëve në Turqi, as për vrasjen e mijëra djemve të rinj në kasaphanen e Tivarit, as për dhunën mesjetare të ushtruar mbi rininë studentore dhe jo vetëm pas vitit 1981, as për gjenocidin e ushtruar në Kosovë gjer në çlirimin e saj në qershor të vitit 1999.

Në veçanti është e pakuptimtë heshtja e keryeministrit shqiptar ndaj përkrahjes që miku i tij Vuçiqi ka për krimet e Putinit në Ukrainë. Gjatë javëve të fundit shumëkushi ka kërkuar nga Edi Rama që të paktën tani ta braktisë nismën Ballkani i hapur, që është gati 100% në favor të Serbisë, po ky s’e çan kokën fare, sepse ka vendosur t’i qëndrojë gjer në fund besnik njërit prej politikanëve më dinakë dhe më të pabesë që ka pasur ndonjëherë  Ballkani. Vuçiqi shikon punët e tij dhe bën atë që e mësoi nga Millosheviqi: militarizon me ngut popullatën serbe, armatos ushtrinë dhe përpiqet të finalizojë projektin e vjetër për konsolidimin e Botës serbe. Shi për këtë është koha për ta thënë hapur të vërtetën e shtrembëruar kastile prej shumëkujt se shqiptarët jetojnë prej shekujsh në trojet e të parëve të tyre, se ne na bëri pikë-e-pesë Evropa dhe Rusia, dhe tani po ata i shqetëson çdo gjë që ka të bëjë me afrimin e dy shteteve shqiptare, në cilëndo fushë të jetës, ndërkohë që vazhdojnë ta përkëdhelin Serbinë, e cila tenton ta zbresë shtetin e pavarur të Kosovës në Serbska krainë. Fatmirësisht, këtë s’e arrin dot, jo për shkak tonin, po për shkak të qëndrimit të palëkundur të SHBA-së ndaj paprekshmërisë së sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button