Vdekja misterioze e hendbollistit kroat në Shkup – policia thotë se nuk ka pasur dhunë, familja ka version tjetër të tregimit

Ende nuk është sqaruar se çka i ka ndodhur kroatit Denis Tot, hendbollistit 27-vjeçar të klubit Butel nga Shkupi, në diskotekën elitare shkupjane dhe klubin e natës “Privilege”, raporton Koha.net. Pas disa orë përpjekje të mjekëve në Qendrën Klinike të Shkupit, të udhëhequr nga drejtoresha Maja Mojsova, Tot vdiq të premten pasdite.

Ndonëse mediat të premten njoftuan se Tot është rrahur, Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut ka lëshuar një komunikatë në të cilën thuhet se Denis Totit nuk i janë shkaktuar lëndime, por se rasti po hetohet.

“Ministria e Punëve të Brendshme njofton opinionin se mbrëmë (7 prill 2022) në ora 4:11 nga Qendra Klinike në Shkup është raportuar që D. T. ishte dërguar pa ndjenja dhe pa shenja të dukshme të dhunës. Menjëherë atij i është dhënë ndihma mjekësore. Po ndërmerren masa për të zbardhur rastin, por çka do të njoftohet opinioni”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Prindërit dhe e dashura e hendbollistit menjëherë të enjten mbrëma kanë udhëtuar për në Maqedoni të Veriut, ndërsa të premten ishin në spitalin ku Tot ishte i shtrirë. Në bazë të informatave që na kanë dhënë miq të familjes, gjendja e hendbollistit ishte kritike, ndërsa mjekët me gjithë përpjekjet nuk kanë arritur ta mbajnë në jetë. Zyrtarisht është njoftuar se arsye e vdekjes ishte arresti kardiak.

Nga Klinika në Shkup kanë thënë se zemra e hendbollistit nuk ka punuar kur është sjellë në spital. Dyshohet, sipas klinikës, që ai ka pasur sulm në zemër, raportojnë mediat në Shkup.

“Kjo është një tragjedi e tmerrshme. Në emrin tim dhe në emër të stafit të ambasadës i shpreh ngushëllime familjes. Të enjten në mbrëmje kemi kontaktuar me familjen e të ndjerit e po ashtu me mjekët. Në mëngjes kam biseduar edhe me ministrin e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Oliver Spasovski. Ambasada do të japë ndihmën e nevojshme për familjen dhe pasi të kryhet autopsia të shtunën do të përgatisim dokumentacionin e nevojshëm për transportimin e kufomës në Kroaci”, ka thënë Nives Tiganj, ambasadore e Kroacisë në Maqedoninë e Veriut.

Me porosi prekëse të premten nga Denis Tot janë ndarë shokët, tifozë të shumtë të hendbollit në Maqedoni, Kroaci dhe vende të tjera. Një fotografi të tij me mesazh ngushëllues e ka publikuar edhe ish-klubi i tij, GRK Ohrid.

Se çka vërtet ndodhi në klubin e natës mbetet të sqarohet. Siç na ka thënë kolegu Tomislav Kezarovski, gazetari maqedonas që ka kontaktuar me njerëzit nga bota e hendbollit, mendimet janë të ndara dhe askush nuk di asgjë se çka ka ndodhur në klubin e natës.

“Disa që i kam kontaktuar thonë se ka pasur rrahje në klub, por zyrtarisht askush nuk di asgjë”, ka thënë Kezarovski.

“Te familja ka ardhur informata që bëhet fjalë për një konflikt verbal, që ka kaluar në shtyrje. Dikush me gjasë e ka shtyrë më shumë Denisin, që më pas është rrëzuar dhe ka goditur me kokë në shtresë të fortë që ka sjellë lëndimin e rëndë”, ka thënë një banor i qytetit kroat Gjakovo, prej nga është Tot.

Në atë qytet të gjithë janë të shokuar për lajmin që erdhi nga Maqedonia e Veriut. Për Denisin kanë vetëm fjalë të mira.

“Ishte sportist i vërtetë. Vjen nga një familje sportistësh. Në hendboll ishte nga fëmijëria, ndërsa para shtatë-tetë vjetësh vendosi që karrierën ta vazhdojë jashtë Gjakovos. Por gjithnjë është kthyer për pushime. Në pauza ka shkuar në stërvitje te RK Gjakovo për ta mbajtur formën. Me të gjithë ka pasur raporte të mira, nuk ka qenë asnjëherë afër situatave konfliktuoze. Djalë korrekt dhe sportist”, ka thënë një shok i tij.

Tot te Buteli kaloi nga skuadra nga Ohri, ndërsa ka luajtur edhe në Spanjë për Ademar Leon. Ishte edhe në Austri dhe disa skuadra të tjera kroate.

“Në Maqedoni është gjendur mirë. Kanë kërkuar bek të djathtë dhe ai i ka plotësuar të gjitha kriteret. Dukej se ai dhe klubi ishin shumë të lumtur”, ka thënë një hendbollist kroat në Maqedoni të Veriut.

Babai i Denisit është trajner futbolli, ndërsa vëllai i vogël i tij është portier i hendbollit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button