Reagime të ashpra për procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit të Kosovës

Përzgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ngjalli reagime të ashpra në Kosovë duke bërë që edhe ambasadorë të vendeve të zhvilluara të shprehin zhgënjimin e tyre në lidhje me procesin. Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), pas një procesi disa javor ku garuan disa kandidatë, votoi në mënyrë unanime njërin prej tyre, Blerim Isufaj, për Kryeprokuror të Shtetit dhe e rekomandoi atë për dekretim te presidentja. Procesi i përzgjedhjes së tij, menjëherë u kundërshtua nga shoqëria civile që monitoruan procesin, transmeton DW.

Nëpërmjet një reagimi të përbashkët, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Lëvizja FOL, thanë se që prej mesit të marsit ata kanë publikuar një raport për shkeljet e konstatuara gjatë procesit vlerësues të kandidatëve për kryeprokuror. Sipas tyre  paneli vlerësues i kishte vlerësuar kandidatët në mënyrë të pabazuar “duke cenuar meritokracinë e procesit”.

“KPK-ja ka dështuar që gjatë procesit të intervistimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit të sqarojë dhe sigurojë se kandidati për Kryeprokuror të Shtetit ka integritet të pakontestuar dhe që i përshtatet pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Si rrjedhojë, Koalicioni [i organizatave joqeveritare] rekomandonte që i tërë procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të ri të Shtetit të anulohej dhe të përsëritej, që të evitoheshin shkeljet procedurale dhe defektet e evidentuara”, thuhet në reagim.

Reagime ndërkombëtare

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i drejtuesit të zyrës së BE-së në Kosovë, i ambasadorit amerikan dhe atij gjerman. Tomas Szunyog, kreu i zyrës së BE-së në Kosovë “u shpreh i zhgënjyer dhe i habitur për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit. “Bashkimi Evropian në vazhdimësi ka thirrur për një proces të drejtë dhe meritor, por KPK (Këshilli Prokurorial i Kosovës), i ka shpërfillur këto parime”, shkroi Tomas Szunyog.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jörn Rohde, reagoi duke theksuar, se “ky proces është vërtet zhgënjyes dhe jo rruga përpara e Kosovës”. “Kjo është me të vërtetë zhgënjyese dhe jo rruga përpara e Kosovës sidomos kur OJQ-të e njohura si Instituti i Kosovës për Drejtësi e GLPS kanë shprehur shqetësime të ngjashme”, shkroi ambasadori Rohde në Twitter.

Nuk vonoi shumë dhe reagoi edhe nga ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hoevenier, duke thënë se “fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e panelit shqyrtues, bie ndesh me atë standard”. Ambasadori amerikan tha se prezenca e përfaqësuesve të ambasadës gjatë seancës së 6 prillit, ku KPK-ja në mënyrë unanime nominoi Blerim Isufajn për postin e kryeprokurorit të Shtetit, nuk duhet të shihet si mbështetje e SHBA-së për këtë proces. “Fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e panelit shqyrtues bie ndesh me atë standard. Jemi të shqetësuar se mënyra se si KPK i ka zhvilluar këto procedura ka dëmtuar besimin e publikut kosovar dhe besimin tonë në KPK, si institucion publik”, tha ambasadori Hoevenier.

Këshilli Prokurorial kundërshton

Kritikat u hodhën poshtë menjëherë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili në reagimin për publikun tha se procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit ishte plotësisht legjitim. KPK shprehet, se i ka zhvilluar të gjitha procedurat e parapara dhe në përfundim ka propozuar për emërim në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, Blerim Isufaj. Këto procedura sipas KPK-së  janë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.

“Mbi të gjitha, KPK-ja ka treguar një transparencë të madhe publike, e cila dëshmohet me rastin e transmetimit të intervistimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit në RTK,*mediumin Publik), publikimin në uebportal të të gjitha koncept-dokumenteve të kandidatëve dhe pjesëmarrjes aktive në takime dhe gjatë intervistimit të kandidatëve të përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, gjë që ju jemi shumë mirënjohës dhe i falënderojmë. Prandaj, Këshilli Prokurorial i Kosovës, thekson se ky proces është plotësisht legjitim, sepse është përcjellë me objektivet, me transparencë, me gjithëpërfshirje dhe është bazuar në meritokraci”, thuhet në deklaratën e KPK-së.

Pas përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, ai duhet të dekretohet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ende presidentja nuk e ka dekretuar vendimin. Kryeprokurori aktual i shtetit, Aleksandër Lumezi pas shtatë vjetësh në këtë post, më 21 prill 2022 përfundon mandatin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button