Nuk ka datë konkrete kur do fillojë transporti publik në Tetovë, pritet të rriten çmimet (VIDEO)

Edhe pse para gjashtë javëve nga Tetova Transport thanë se lëshimi në funkison i autobusëve ishte dy javë larg, kjo nuk ndodhi kështu. Përsëri nuk ka një afat konkret se kur pritet të fillojë i njëjti. Autoritetet komunale paralajmëruan rritje të çmimit të biletave me fillimin e transportit, shkruan Portalb.mk.

Drejtori i ndërmarrjes “Tetova Transport”, Rafiz Mejdia tha se shumë shpejtë do të lëshohet në funksion transporti publik, por pa dhënë një datë të afërt konkrete se kur, ndërkaq tha se deri në shtator i njëjti do jetë në funksion.

“Transporti Publik do të ketë linja të reja, ndryshim dhe plotësim të linjave të reja. Kemi pasur edhe revizion në ndërmarrje, kemi disa pengesa. Pjesë e akteve ligjore që nuk janë përpiluar nga ndërmarrja. Shumë shpejtë do fillojë transporti publik. Presim nga revizioni të na japin raportin e bërë”, tha Rafiz Mejdia.

Ndërkaq i pyetur për atë që deklaroi para gjashtë javëve se transporti do të fillonte brenda dy javëve që nga atëherë, ai tha se në atë kohë e kanë pasur revizionin në ndërmarrje dhe nuk kanë mundur ti përpilojnë aktet e nevojshme.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës tha se nuk mund të presim shpejtë që të rifillojë transporti publik pasi ende ka punë për tu finalizuar, ai tha se autobusët do lëshohen në funksion kur të jenë gati duke mos precizuar afat kohor.

“Ato që janë bërë keq janë shumë punë të cilat duhet të përmirësohen. Punojmë intensivisht që të kemi transport të qytetit i cili do ju shërbejë qytetarëve. Lëshimet janë organizative, nga plani financiar, ndërmarrja ishte fiktive, nuk kishte të punësuar, nuk kishte garazhe, asgjë nuk kishte dhe autobusët kanë funksionuar në qytet. Nuk mund të them shpejtë, por punojmë intensivisht dhe sa më shpejtë të jemi gati do jeni të informuar”, tha Bilall Kasami.

Ndërkaq edhe Kasami edhe Mejdia paralajmëruan se mund të ketë rritje të çmimeve të biletave si pasojë e rritjes së çmimeve të derivateve të naftës, kur autobusët të lëshohen në funksion, por kjo sipas tyre ngelet të vendoset më tutje.

Dje në seancën e nëntë të Këshillit të Komunës së Tetovës, këshilli votoi propozim-vendim për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për transportin komunal dhe linjave të udhëtarëve në Komunën e Tetovës si dhe propozim-vendim për ndryshimin dhe plotësimin e lokacioneve për vendqëndrimet dhe vend-kthimet e autobusëve në territorin e Komunës së Tetovës.

Autobusët që nga dhjetori i vitit të kaluar ndaluan së funksionuari dhe qëndrojnë të parkuar, sipas autoriteteve komunale ato do lëshohen në përdorim kur të rregullohen të gjitha punët në ndërmarrje.

Ndryshe, autobusët e transportit publik të Tetovës u lëshuan në përdorim në mes të muajit gusht. Gjatë kësaj kohe ata disa herë ndaluan së funksioniari dhe u rikthyen prapë. Autobusët janë blerë me kredi prej 1.2 milion eurove nga Banka Botërore, të cilën e ka marrë Komuna e Tetovës, e cila do të paguhet për 13 vite, me normë interesi prej 3%.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button