Muhamed Zekiri dha dorëheqje nga pozita e sekretarit të Qeverisë dhe tha se ndjehet i pafajshëm

Sekretari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zekiri, nëpërmjet një letre drejtuar kryeministrit Dimitar Kovaçevski ka dhënë dorëheqje nga pozita e sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, pasi Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion ka ngritur procedurë hetimore kundër tij nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, njofton Portalb.mk.

“Gjatë karrierës sime gjithmonë kam zgjedhur rrugën e vërtet, rrugën e ndershmërisë, te drejtës dhe të vërtetës. Andaj duke qëndruar mbi këto vlera të jetës sime të cilave do tu mbetem besnik, jap dorëheqje të parevokueshme nga posti i sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë së RMV. Besoj në institucionet e sistemit, besoj në drejtësi dhe besoj se e vërteta do dalë në shesh. Të gjitha institucioneve ju qëndroj në dispozicion në çdo kohë për të dëshmuar pafajësinë time. I nderuari kryeministër, Ju faleminderit për mundësin e dhënë të jem pjesë e përbërjes Tuaj qeveritare dhe Ju faleminderit që besuat në angazhimin dhe përkushtimin tim në punë”, thuhet në letrën e Zekirit të cilën e ka publikuar në Facebook.

Sot paradite Prokuroria për Krim të organizuar dhe Korrupsion njoftoi se dyshon se bashkë me dy shtetas kroatë në periudhën prej prillit të vitit 2021 deri në janar të vitit 2022, duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare Zekiri pa zbatuar procedurë përkatëse për furnizim publik, ka nënshkruar marrëveshje për shërbime konsulentë me person juridik në të cilën i kanë ndihmuar me paramendim dy shtetasit kroat.

“Me veprimet e ndërmarra të dyshuarit për personin juridik kanë përfituar dobi të konsiderueshme pasurore të kundërligjshme me vlerë të përgjithshme prej 57.932.100 denarë, në dëm të buxhetit të Maqedonisë së Veriut. Me veprimet e ndërmarra, të dyshuarit për kompaninë konsulente nga Kroacia kanë përfituar dobi të konsiderueshme pasurore të kundërligjshme në vlerë të përgjithshme prej 940.000 euro në dëm të Buxhetit të Maqedonisë së Veriut”, thonë nga Prokuroria.

Shuma ka qenë më e lartë për 145.400 euro, sepse shuma e rënë dakord për kryerjen e shërbimeve konsulente ka qenë 795.000 euro.

Prokurorja Vilma Ruskoska, në një prononcim për mediat tha se Prokuroria ka njohuri se ku ndodhen paratë.

Vendimi për shërbimet konsulente është marrë më herët në një seancë të Qeverisë, por jo në shumën që e ka nënshkruar Zekiri.

Prokuroria vlerëson se ka mundësi reale që të akuzuarit të arratisen, por edhe nëse të dyshuarit mbrohen nga liria mund t’i shkatërrojnë gjurmët, prandaj është kërkuar masë e paraburgimit për të tre personat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button