Dita 44: Zyrtarë të lartë evropianë vizituan Kievin

Trupat ruse janë “tërhequr plotësisht” nga veriu i Ukrainës dhe janë kthyer drejt Bjellorusisë dhe Rusisë, thotë Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar. Disa nga ato njësi do të zhvendosen në lindje për të luftuar në Donbas, por shumë prej forcave do të kenë nevojë për “konsolidim të konsiderueshëm” përpara se të vendosen, ka thënë Ministria e Mbrojtjes. Ndërkohë dy zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Josep Borrell, janë nisur drejt kryeqytetit ukrainas, Kiev, për të takuar presidentin e këtij shteti, Volodymyr Zelensky. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, janë nisur me tren nga qyteza polake, Przemysl, vetëm 13 kilometra nga kufiri ukrainas, transmeton Portalb.mk.

23:30 – Scholz: Po punojmë në uljen e importeve të energjisë ruse

Kancelari gjerman, Olaf Scholz mbrojti shtetin e tij, i cili po kritikohet se nuk po heq dorë nga importet e energjisë ruse, duke thënë se Berlini “në mënyrë aktive po punon” për t’u larguar nga varësia e importit të gazit rus.

“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi dhe po bëjmë shumë”, tha Scholz nga Londër më 8 prill, duke theksuar se Gjermania ka një plan për diversitfikimin e energjisë dhe se po shikon për furnizues të tjerë për gazin natyral.

Gjermania është nën presion që të bëjë më shumë që të ulë importet e energjisë ruse, veçanërisht pas dëshmive që Ukraina dhe shumë qeveri perëndimore kanë treguar për krime lufte të kryera nga forcat ruse gjatë tërheqjes së tyre nga qytetet përreth Kievit.

“Ne aktivisht po punojmë që të bëhemi të pavarur nga importet e naftës ruse dhe mendoj se do të jemi në gjendje që t’ia dalim gjatë këtij viti”, tha Scholz gjatë një konference për media me kryeministrin britanik, Boris Johnson.

Nafta ruse përbën rreth 25 për qind të importeve gjermane, nga 35 për qind sa ishte para nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. Ndërkaq importet e gazit janë 40 për qind nga 55 sa ishin para pushtimit.

17:40 – Zyrtarë të lartë evropianë vizituan Kievin

Dy zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Josep Borrell, si dhe kryeministri sllovak, Eduard Heger kanë arritur kryeqytetit ukrainas, Kiev, ku do të takohen me presidentin e këtij shteti, Volodymyr Zelensky.

Kjo njëherësh është vizita e parë e liderëve të Perëndimit prej publikimit të imazheve për mizori në qytezën ukrainase, Buça.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, udhëtuan drejt Kievit me tren nga qyteza polake, Przemysl, vetëm 13 kilometra nga kufiri ukrainas.

15:17 – Steinmeier kërkon tribunal për krime lufte për Putinin dhe Lavrovin

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, tha se duhet të krijohet një tribunal për krime të luftës kundër presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe kryediplomatit rus, Sergei Lavrov, teksa dëshmi të reja po dalin për mizoritë që pretendohet se janë kryer nga forcat ruse në Ukrainë.

Në një intervistë për revistën gjermane, Der Spiegel, të publikuar më 8 prill, Steinmeier tha se “kushdo që është përgjegjës për këto krime, duhet të japë shpjegime”.

“Kjo përfshin edhe ushtarët, komandantët e ushtrisë dhe natyrisht ata që kanë përgjegjësi politike”, tha ai, transmeton REL.

Shumica e fokusit është përqendruar në krimet e pretenduara të luftës të kryera në Buça, qytet në afërsi të Kievit. Forcat ruse janë tërhequr nga qyteti më 1 prill dhe më pas janë publikuar pamje të civilëve të vrarë, disa prej të cilëve me duar të lidhura pas shpine, të shtrirë në rrugët e këtij qyteti. Banorët e Buças kanë thënë se kanë qenë dëshmitarë të vrasjeve brutale dhe torturave dhe po ashtu janë publikuar të dhëna për varreza masive.

Udhëheqësit ukrainas kanë thënë se zbulime të tilla do të bëhen sapo të rimarrin kontrollin e qyteteve të pushtuara nga forcat ruse.

Akuzat për mizoritë e kryera nga forcat ruse u rritën më 8 prill, pasi raketat ruse goditën një stacion treni në lindje të Ukrainës, duke vrarë të paktën 30 persona dhe plagosur mbi 100.

Rusia, që ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, vazhdimisht ka mohuar se shënjestron civilët, përkundër se janë publikuar prova të shumta që dëshmojnë të kundërtën.

12:00 – BE-ja miratoi pakon e pestë me sanksione kundër Moskës

Bashkimi Evropian ka miratuar pakon e pestë të sanksioneve kundër Rusisë për luftën e saj të paprovokuar kundër Ukrainës.

Në mesin e sanksioneve përfshihen ndalesa në importin e thëngjillit dhe mbylljen e porteve të bllokut evropian për anijet ruse.

“Bashkë me katër pakot tjera, këto sanksione do të shtojnë presionin ekonomik ndaj Kremlinit dhe do të vështirësojnë aftësinë për të financuar pushtimin e Ukrainës”, ka thënë blloku evropian përmes një deklarate më 8 prill.

“Këto masa janë më të gjera dhe më të ashpra, ashtu që të kenë ndikim edhe më shumë në ekonominë ruse. Ato janë krijuar në koordinim me partnerët ndërkombëtarë”, është thënë mes tjerash në deklaratë, duke shtuar se janë duke u përgatitur sanksione shtesë ndaj Moskës.

Sanksionet e reja shënjestrojnë gjashtë sektorë: thëngjillin, transaksionet financiare, transportin, importin dhe eksportin në Rusi dhe përjashtimin e Rusisë nga kontratat publike dhe fondet evropiane.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë kanë vënë sanksione të ashpra ndaj Rusisë, prej nisjes së luftës në Ukrainë.

Synimi është që Moska të izolohet në aspektin ekonomik, financiar dhe diplomatik.

Këto sanksione janë përgjigje ndaj të dhënave për mizori të kryera nga trupat ruse.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i ka thënë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 5 prill se trupat ushtarake ruse kanë kryer disa prej “krimeve më të rënda” prej Luftës së Dytë Botërore dhe i kanë bërë thirrje Këshillit që ta mbajë Rusinë përgjegjëse.

Më 24 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar atë që e konsideron “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

11:39 – Ukraina: Mbi 30 njerëz të vdekur pas sulmit me raketë në një stacion treni

Kompania shtetërore e hekurudhave në Ukrainë, ka thënë që më shumë se 30 njerëz janë vrarë dhe mbi 100 janë plagosur, si pasojë e sulmit rus me raketë në stacionin e trenit në qytetin lindor, Kramatorsk, sipas transmetuesit britanik, BBC.

Kramatorsk ka pasur një prej stacioneve që ka vazhduar operimin në këtë pjesë të Ukrainës.

Guvernatori i Donjeckut ka thënë se mijëra njerëz kanë qenë aty në kohën e sulmit, duke tentuar që përmes trenit të largohen nga ajo zonë.

Udhëheqësi i kompanisë hekurudhore të Ukrainës ka thënë se dy raketa kanë goditur stacionin.

Kramatorsk është njohur si një prej rrugëve kyçe për evakuim nga lindja e Ukrainës.

11:36 – Ukrainasit që u detyruan të jetojnë me të vdekurit disa ditë

Fshati verior i Ukrainës, Jahidne ka qenë i pushtuar nga ushtarët rusë për gati një muaj.

Kur rusët kanë hyrë aty, ata besohet se kanë marrë burrat, gratë dhe fëmijët nga shtëpitë e tyre dhe i kanë dërguar në bodrumin e një shkolle për katër javë.

Rreth 130 persona kanë jetuar në një dhomë 65 metra katrorë.

“Unë kam pasur gjysmë metri hapësirë. Kam fjetur në këmbë”, ka thënë Mykola Klymchuk për transmetuesin britanik BBC.

“E kam lidhur veten me një shall që të mos bie. Kam kaluar 25 net ashtu”.

Mykola ka thënë se nuk ka guxuar të lëvizë nga frika se mos po bie mbi njerëz.

Kur njerëzit kanë vdekur, trupat e tyre nuk janë larguar menjëherë.

Ushtarët rusë nuk kanë lejuar një gjë të tillë çdo ditë.

10:53 – Rusia goditi 42 objekte ushtarake të Ukrainës brenda një dite

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë të enjten tha se 42 objekte të infrastrukturës ushtarake të Ukrainës u goditën në 24 orët e fundit.

Zëdhënësi Igor Konashenkov tha se sulmet u kryen në një dërgesë të madhe të pajisjeve ushtarake të huaja në një stacion hekurudhor, një post komandimi, dy depo municionesh në terren, dy raketahedhës të shumëfishtë dhe 12 bastione dhe zona të përqendrimit të pajisjeve ushtarake.

Sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan helikopterët Mi-8 dhe Mi-24 pranë Khersonit dhe tre mjete ajrore pa pilot, tha ai.

“Në total, që nga fillimi i operacionit ushtarak special, janë rrëzuar 125 avionë, 95 helikopterë, 416 mjete ajrore pa pilot, janë shkatërruar 2.003 tanke dhe mjete të tjera luftarake të blinduara, 220 raketahedhës të shumëfishtë, 869 artileri fushore dhe armë mortajash si dhe 1.902 njësi të automjete speciale ushtarake”, tha Konashenkov.

10:23 – Von der Leyen dhe Josep Borrell u nisën drejt Kievit

Dy zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Josep Borrell, janë nisur drejt kryeqytetit ukrainas, Kiev, për të takuar presidentin e këtij shteti, Volodymyr Zelensky.

Kjo njëherësh është vizita e parë e liderëve të Perëndimit prej publikimit të imazheve për mizori në qytezën ukrainase, Buça.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, janë nisur me tren nga qyteza polake, Przemysl, vetëm 13 kilometra nga kufiri ukrainas.

Hapësira ajrore mbi Ukrainë është e mbyllur për udhëtime ajrore, për shkak të luftës.

Në mesin e muajit mars, kryeministrat e Polonisë, Sllovenisë dhe Republikës Çeke kanë udhëtuar me tren në Kiev.

08:59 – Microsoft thotë se po pengon tentimet e spiunëve ushtarakë rusë për hakim

Gjiganti teknologjik Microsoft, ka thënë se ka penguar përpjekjet për hakim nga spiunët ushtarakë rusë, të cilët kanë shënjestra ukrainase, amerikane si dhe në Bashkimin Evropian.

Përmes një postimi më 7 prill, kompania ka thënë se një grup që e ka quajtur “Strontium”, ka qenë duke përdorur shtatë domenë në internet në kuadër të përpjekjeve për të spiunuar organizatat qeveritare dhe institutet në Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara, si dhe në institucionet ukrainase, siç janë mediat.

Microsoft nuk ka bërë të ditur emrat e atyre që kanë qenë në shënjestër.

Strontium është emri që përdor Microsoft për një grup, të cilin të tjerët e quajnë Fancy Bear apo APT28 – grup për hakim që është i lidhur me agjencinë ushtarake të inteligjencës në Rusi.

Ambasada ruse në Uashington nuk i është përgjigjur agjencisë së lajmeve, Reuters për të komentuar këtë gjë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button