Eldin Shiroki: Ata që duan të merren me aktrim, duhet të kenë dashuri të parezervë ndaj këtij profesioni (VIDEO)

Aktori 26-vjeçar nga Shkupi, Eldin Shiroki, po i jep gjithnjë një frymë tjetër teatrit shqiptar me  humorin e tij. Ekspresiviteti i tij, energjia pozitive dhe dëshira e madhe për aktrim, ishin shtysë për të që të merrej me këtë profesion. Eldini është pjesë e trupës së Teatrit Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinj në Shkup. Për Portalb.mk ai tregoi nismën dhe rrugëtimin në aktrim.

Familja dhe shoqëria ishin ato të cilat e motivuan Eldinin që të merrte vendimin të merret me aktrim, duke e parë talentin që ai posedonte që në fëmijëri. Ndërsa tani, ai ka arritur të ngjitet në skenë me aktorët më të mirë shqiptar, të bashkëpunojë me regjisorët më të mirë të vendit. Përkushtimi i tij ndaj këtij profesioni ka rezultuar me atë  që gjithmonë ta ketë publikun krah tij.

“Më pëlqen që ta sfidoj veten me role të llojllojshme. Zhanri që më së shumti më fle është komedia, aty përshtatem më lehtë. Por, që në momentin kur na shpërndahen rolet në tavolinë, unë mundohem  të futem te ai personazh, duke parashtruar pyetje në vazhdimësi në lidhje me karakterin e tij. Nuk mund t’i ndaj rolet se cili ka qenë më i mirë, të gjitha dramat i kam marrë me të njëjtin përkushtim, dëshirë dhe vullnet për punë.” tha Eldin Shiroki.

Momentalisht, Eldini është duke punuar në shfaqjen “Sonte nuk jam vetëm” nga Dituri Neziraj dhe në regji të Kreshnike Osmanit. Kjo është një shfaqje për fëmijë dhe premiera u mbajt më 8 prill në ora 16:30 në Teatrin Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinj. Në këtë shfaqje do të luajnë edhe Valdeta Ismaili, Flakron Aliu, Dea Pajaziti, Gëzim Zherka, Melika Kastrati dhe Mumin Abdullahi.

Mesazhi që Eldini përcolli për artistët e rinj është që të gjithë ata të cilët duan të merren me aktrim, pikë së pari duhet të kenë dashuri të pa rezervë për këtë profesion, pasi me këtë do të bashkëngjitet edhe përkushtimi, vullneti dhe dëshira e madhe për të punuar. Duhet të keni kreativitet dhe imagjinatë dhe nëse i keni këto dy elemente, duhet të filloni të merreni me këtë profesion, shtoi Eldini.

Shfaqjet në të cilat Eldini ka luajtur deri më tani janë: “Murlin Murlo”, “Lojëra në oborrin e pasmë”, “The Conversation Chair”, “StandUpComedy”, “Theatre&Intergration”, “West Side Concept”, “Legjendat Shqiptare”, “Azizi ose dasma që shpëtoi perëndimin”, “Fjala që fillon me M”, “Nuk Paguajmë”, “Poshtë Krevatit”, “Përralla Postare” ,“System Error” dhe e fundit “Sonte nuk jam vetëm”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button