Tetovë, u pezullua PDU 57A “Shik Jellak” (VIDEO)

Këshilli i Komunës së Tetovës pezulloi planin detal urbanistik për bllokun 57A “Shik Jellak”, i cili kishte kaluar nga këshilli paraprak i Komunës së Tetovës. Udhëheqësia aktuale e komunës thotë se ky plan do të përmirësohet dhe aty nuk do të ketë ndërtesa pa kritere dhe se do të ketë më shumë parqe dhe gjelbërim, shkruan Portalb.mk.

Këshilltarët e Lëvizjes Besa, VMRO-DPMNE-së, Aleancës për Shqiptarët dhe Më mirë për Tetovën, me gjithsej 16 vota për votuan pezullimin e këtij plani.

Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Besar Durmishi u shpreh se ky plan ka qenë mollë sherri në Komunën e Tetovës

“Me marrjen e mandatit e kishim zotim publik (pezullimin e PDU), pasi mandatin e kaluar unë veç se isha këshilltar dhe i pamë shkeljet të cilat mbronin interesin privat ndaj atij publik. Për arsye se nuk ishim të asaj lëmue duheshte të kemi materiale deh të dërgojmë në profesionist dhe ta shqyrtojmë atë plan. Në atë plan u panë vërejtjet ku në 71 hektarë i binte që të ketë 1.6 mijë metër katror për banorë, ndërsa në planin e ri ne kemi iniciuar që të ketë gjelbërim 20%, do të ketë vende parkimi më shumë, nuk do të ketë trotuare të ngushta dhe do të ketë komunikacion më të lirshëm”, tha Besar Durmishi.

Nga Më mirë për Tetovën u shprehën se janë kundër një plani i cili nuk ka zgjidhje adekuate apo është i ngulfatur, siç thanë kjo ishte edhe esenca pse erdhi deri në këtë pikë.

“Me përgatitjen e elaboratit nga komisioni i urbanizmit (i Komunës) të cilin e drejtuan deri në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve për të marrë mendim. Aty thuhej se plani i ka të gjitha dispozitat ligjore në rregull por komentimi që është bërë për planin, hapësirat, rrugët, trotuaret dhe kështu me radhë ajo nuk është në përputhshmëri me atë që duhet të jetë. Ne si MMPT kërkojmë që ai plan të reduktohet me ato ndërtime të bëhen më tepër hapësira të gjelbra, të bëhet konform ligjit, të jetë më mirë për qytetarët”, tha Hamdi Sulemani duke shtuar se është evidente se Ministria e Transportit do i zvarrit procedurat.

Nga ana tjetër kundër pezullimit të këtij plani ishin këshilltarët nga BDI, LSDM, PDSH dhe Alternativës, por votat votat e tyre nuk ishin të mjaftueshme që ky pezullim mos të kalojë.

Por nga ana tjetër vërejtje për këtë patën këshilltarët e BDI-së, Blerim Osmani tha se në materialet e dërguara nga administrata e komunës nuk ka qenë elaborati dhe mendimi i komisionit nga Ministria e Transportit dhe nuk kishte mendim nga komisioni i veçantë që e cakton kryetari i komunës.

“Kjo është shumë jozerioze, nuk ka detajisht forma se ku duhet të intervenohet të rregullohet, që pas pezullimit të bëhet plan tjetër urbanistik. Ne e kemi edhe mendimin e Ministrisë së Transportit ku shkruan se nuk ka shkelje të procedurës, edhe në elaboratin e komunës nuk vërehet se cila e mirë e përgjithshme shkelet në këtë rast. Ne planin e shqyrtojmë në interes të përgjithshëm nuk ka të bëjë me pronarët”, tha Blerim Osmani.

Këshilltarët e Lëvizjes Besa, Më mire për Tetovën dhe kryetari Kasami thanë se ende nuk janë të informuar se hapësira e cila ishte në pronësi të Daka Davidoviqit tani ka pronar të ri, kurse këshilltarët e BDI-së thanë se jooficialisht janë të njoftuar se kjo pronë tani ka pronar të ri.

Ndryshe, në muajin shkurt në Komunën e Tetovës u zhvillua debat publik për planin urbanistik të bllokut 57 A apo i njohur ndryshe si “Shik Jellak” për të cilin Këshilli Komunal në seancën e jashtëzakonshme votoi propozim-vendimin për inicimin e procedurës për pezullim të  këtij plani detal urbanistik. Aty qytetarët dhanë mendimet e tyre për elaboratin e përgatitur nga komisioni i urbanizmit në Komunë, nga kjo e fundit si zgjidhje për pezullimin e kësaj PDU-je thanë se mund të përdorin edhe mekanizma më radikal apo referendum qytetar.

Ndryshe, Komuna e Tetovës gjatë mandatit të dytë të Teuta Arifit ndryshoi tërësisht planin detal urbanistik të bllokut urban 57A  që më pas u “përgatit” shitja e pronës “Shik Jellak” biznesmenit kontrovers serbo-malazez, Miodrag Daka Davidoviq, ku parashihej që kjo pjesë të shndërrohet në bllok urban për ndërtimin e banesave dhe një qendre tregtare.

Debatin për këtë pikë mund ta ndiqni në videon më poshtë duke filluar nga minuta 38:15.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button