Krimi mbi të gjitha krimet

Sërish po ndodh gjenocid në truallin evropian. Frazat “Kurrë më” dhe “Asnjëherë mos harro” aq të përhapura pas Luftës së Dytë Botërore kur edhe filloi dënimi i mirëfilltë i krimeve ndërkombëtare, e humbën moti kuptimin e tyre, që në vitet 1990 kur në Ballkan u zhvilluan luftërat e përgjakshme dhe kur ndodhi gjenocidi në Bosnjë dhe në Kosovë, për të cilat ngjarje vite më vonë drejtësia ndërkombëtare ende vonon të vendoset në tërësi. Sot përballemi me një gjenocid tjetër, atë në Ukrainë.

Ajo që filloi si “operacion special ushtarak” që nuk do të zgjaste më shumë se tri ditë, po vazhdon edhe pas më shumë se një muaji, me humbje të mëdha njerëzore dhe me krime ndërkombëtare që sa vinë e shtohen. Me masakrën në qytetin Buça, por edhe në qytete të tjera, u bë e qartë që më nuk bëhet fjalë vetëm për krime të thjeshta lufte, por që situata ka eskaluar deri tek krimi mbi të gjitha krimet: gjenocidi.

Eugene Finkel është profesor i asociuar për marëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin Xhon Hopkins në SHBA. Ai është studiues i Holokaustit dhe pasardhës i të mbijetuarve të Holokaustit i cili ka shkruar shumë libra dhe artiukuj mbi gjenocidin mes të cilave edhe librin “Hebrenjtë e zakonshëm: zgjidhjet dhe mbijetesa gjatë Holokausitit”. Vetëm dy ditë më herët, me 5 Prill, Finkel botoi opinionin e tij në Washington Post ku sqaron se në Ukrainë është duke ndodhur gjenocid.

Si krimi më i rëndë ndërkombëtar, gjenocidi për herë të parë është definuar me Konventën e OKB për ndalimin dhe ndëshkimin e krimit të gjenocidit, e sjellë në vitin 1948 si “zhdukje e tërësishme ose e pjesërishme e një grupi etnik, nacional, racor ose fetar”. Ky definicion ka qenë mjaft i kritikuar ndër vite për më tepër arsye mes të cilave për shkak se nuk përfshin grupe të tjera dhe është mjaft i kufizuar, për shkak se zhdukja e pjesërishme jep shumë mundësi interpretimi, si dhe për shkak se qëllimi për të kryer gjenocid është vështirë i dëshmueshëm. Por ashtu si që sqaron Finkel në opinionin e tij, në rastin e Ukrainës, ky definicion përshtatet në mënyrë të përkryer. Nga ky sqarim mund të shihet qartazi që të njëjtat postulate vlejnë edhe për ngjarjet tjera të ndodhura në Ballkan vite më parë, e prej të cilave vetëm Srebrenica u konsiderua ndërkombëtarisht si gjenocid, jo edhe ajo që ndodhi në Kosovë që u quajt krim kundër njerëzimit.

Finkel sqaron që edhe në rastin e Ukrainës administrata e SHBA-së është e kujdesshme dhe ende nuk e përdor termin gjenocid duke thënë se ende nuk mund të shihet një nivel i lartë dhe sistematik i zhdukjes së ukrainasve gjatë kësaj lufte që ka kaluuar pragun e krimeve të luftës drejt gjenocidit. Por Finkel me shumë të drejtë thekson që kur bëhet fjalë për gjenocidin, nuk është numri i viktimave karakteristika më e rëndësishme e krimit, por esenca është qëllimi për zhdukjen e një grupi racor, etnik, nacional ose fetar. Në rastin e Ukrainës, Finkel sqaron që një masakër e izoluar mund të trajtohet si krim lufte, por një seri masakrash në vende të ndryshme tregon një kampanjë me qëllim të qartë për zhdukjen e ukrainasve si grup nacional, nëse jo në tërëri, sigurisht në aspekt të pjesërishëm, ashtu si edhe vetë Konventa e Gjenocidit e parasheh (“zhdukje e tërësishme ose e pjesërishme e grupit të caktuar…”). Shumë ngjashëm me këtë situatë, gjatë viteve 1997-99, në Kosovë poashtu kishim disa masakra në vende të ndryshme ku qartësisht shiheshte qëllimi gjenocidal i zhdukjes nëse jo të tërëssishme, derfinitivisht të pjesërishme të kosovarëve si një grupi nacional.

Finkel sqaron që fatkeqësisht, masakrat, sado të përgjakshme dhe në numër të jenë, nuk mjaftojnë për ta dëshmuar krimin e gjenocidit, sepse duhet të dëshmohet edhe qëllimi i qartë, apo si që quhet në të drejtën penale dashja direkte (dolus directus) për kryerjen e gjenocidit. Qëllimi i tillë nuk dëshmohet vetëm përmes deklaratave të Putinit dhe propagandës së tij për kontestimin e shtetformësisë së Ukrainës. As tentativa për të ndryshuar drejtimin e Ukrainës nga perëndimi në lindje nuk e vërteton krimin e gjenocidit. Por, Finkel thekson që momenti kur ushtarët rus u përballën me rezistencën e ukrainasve të cilët nuk donin të “çlrioheshin” prej tyre dhe të ridrejtoheshin nga Rusia duke u larguar nga perëndimi, dhe në vend se ti pranojnë si “çlirimtarë” si që pretendonte Putini, ata morën armët dhe luftuan kundër këtyre “çliruesve”, pikërisht në atë moment sipas Finkelit qëllimi kolonizues i rusëve evoluoi në qëllim gjenocidal. Finkel tërheq vëmendjen tek një artikull i quajtur “Çfarë duhet të bëjë Rusia me Ukrainën” i botuar me 3 Prill 2022 nga mediumi Rus RIA Novosti i cili është në pronë të shtetit. Ky artikull shumë qartë sqaron planin për shkratërrimin e Ukrainës dhe ukrainasve. Në artikull thuhet që e gjithë elita politike ukrainase që karakterizohet si nacionaliste duhet eliminuar sepse riedukimi i saj është i pamundur. Përveç kësaj, artikulli thekson se edhe një pjesë e konsiderueshme e popullatës ukrainase është “fajtore” për këtë gjendje, dhe pas pushtimit rus e njëjta duhet të riedukohet për të paktën një gjeneratë, deri sa të arrihet i ashtuquajturi “de-ukrainizim”. Finkel thotë që është vështirë të imagjinosh një formë më të qartë të shprehjes së hapur dhe publike të qëllimit gjenocidal.

Pra ajo që mund të thuhet në rastin e Ukrainës është se Rusia dhe Putini tani më e kanë shprehur qartë qëllimin e tyre gjenocidal dhe kanë filluar të punojnë drejt këtij qëllimi përmes zhdukjes sistematike të popullatës ukrainasve në luftën agresive që po vazhdon. Gjenocidi nuk mund të fshihet dhe i njëjti po vazhdon të ndodhë para syve tona, pavarësisht sa herë themi “Kurrë më” dhe “Asnjëherë mos harro”. Gjenocidi është krim që kryhet në disa faza. Zhdukja fizike e popullatës është vetëm faza e parafundit e këtij krimi. Faza e fundit është mohimi i gjenocidit, ku shohim që propaganda ruse vazhdon të mohojë se ka një luftë e assesi nuk pranon se është duke kryer krime të rënda dhe gjenocid në një territor që asnjëherë nuk do ti përkasë asaj. Sepse njerëzit mund ti zhdukësh por lirinë që ata e ndjenjë në shpirt nuk mund ta zhdukësh asnjëherë. Herët a vonë, ajo liri do të vijë edhe në Ukrainë, ashtu si që erdhi në Kosovë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button