Von der Leyen Petkovit: Bullgaria të ndihmojë në zbatimin e vendimit të KE-së nga viti 2020 për fillimin e negociatave me RMV-në dhe Shqipërinë

Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Layen sot në Sofje kërkoi nga Bullgaria që të ndihmojë në zbatimin e vendimit të Këshillit Evropian të vitit 2020 për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, njoftoi MIA nga Sofja.

Në një konferencë për shtyp me kryeministrin bullgar Kiril Petkov sot në Sofje, von der Layen theksoi rëndësinë e përmbushjes së premtimit të BE-së ndaj fqinjëve të saj në këto kohë të vështira. Sipas saj, kohët janë shumë të trazuara dhe ato do të përcaktojnë të ardhmen e Evropës, duke ritheksuar se premtimi ndaj partnerëve nga viti 2020 duhet të përmbushet dhe se beson se Bullgaria do ta udhëheqë me mjeshtëri procesin.

Ajo theksoi se të drejtat e minoriteteve janë në thelb të marrëveshjeve dhe vlerave evropiane dhe se mbrojtja e të drejtave të minoriteteve është një vlerë thelbësore dhe ato janë në fokus të vëmendjes.

Presidentja e KE-së, gjithashtu potencoi se asgjë nuk do të jetë si para luftës në Ukrainë.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button