A ka më vlerë filozofia në Shqipëri?  

Ekziston një keqkuptim tradicional se filozofia është një terren i vështirë, që kërkon shumë mund,  pafund studime e libra, por në fund i gjithë ky intelekt përballet me kapitalizmin që është ulur këmbëkryq në kryeqytet, qytet e fshat. Në fakt të mbijetosh çdo ditë në kryeqytet është një luftë ku çdo i ri apo e re përballet për të siguruar jetesën. Një shprehje e urtë e popullit thotë se barku nuk mbushet me lugë bosh… dhe po kështu një mendje nuk ushqehet me opinion dhe injorancë, ndaj nevojitet dija… kjo dashuri për dijen që e mbart filozofia.

“Koha është mësuesi më i mirë, por për fat të keq, ajo vret të gjithë studentët e saj” shprehej Robin Williams dhe ka të drejtë.

Kjo kohë krize shqiptare që ka kapluar sistemin tonë demokratik, i ka thyer vlerat, virtytet, modelet dhe gjithëfarësoj. Studenti sot ështe zhvlerësuar nga koncepti i të qenurit student, i mbërthyer nga koha që i servir çdo ditë luftën e mbijetesës. Kjo kohë që nuk e lejon të përqafojë librin, por rrëmujën, kaosin, opinionin dhe injorancën. Studenti shqiptar jeton në dy kohë paralele, ku epistemologjikisht zhvesh qenien njerëzore nga koherenca, e fut në skutën e errësirës së monotonisë së përditshme e ndërkohë auditori mbetet një fije shprese që djeg zemrat e tyre, përvëlon shpresat dhe ëndrrën shqiptare.

Ëndrra shqiptare ngrihet në ëndrrën gjermane, amerikane drejt një largimi masiv…Po filozofia ç’ëndërr ndjek?! Ç’interesimi publik që i bëhet filozofisë, nuk ndodh nga mungesa e saj, por nga modelet që ofrohen në emër të saj, nga mungesa e një udhëheqësie që formon mendësi, nxit pjesëmarrjen publike, kreativitetin dhe guximin. Filozofia ka nevojë për zë publik, ka nevojë për ringritjen e intelektualit dhe fuqizimin e tij në një kohë ku në ekrane na shfaqen gjithologë, sepse ëndrra e filozofisë është ëndrra shqiptare. A mund të jesh profesionist i së ardhmes ndërkohë mungon logjika, humanizmi, kultura, vlera? A mund të jesh profesionist pa identitet? A mund të quhesh profesionist ndërkohë askush nuk di të vlerësojë vlerat e tua? A mund të jesh jurist i mirë nëse koncepti i së drejtës dhe barazisë nuk mësohet pa peshën e filozofisë? Po mjek pa betimin e Hipokratit? Po ekonomist pa idetë e Smith,  Hayek,  Friedman?  Po psikologë pa idetë brilante të Platonit dhe Aristotelit?  Do të rendisja pafund disiplina shkencore, ku filozofia qëndron në themele, por koha e ka humbur baziken, duke vlerësuar në mënyrë mekanike. Në krizën socio-ekonomike ne vlerësojmë profesionin, por jo vlerën, punën, por jo mundin, opinionin, por jo shkencën, kështu vlerësojmë dhe opinionistin dhe jo filozofin.

Në shoqërinë shqiptare dhe kudo në Ballkan ekziston dhe një paragjykim se filozofia i shërben ideologjisë së vjetër komuniste, por në fakt kjo është idiotësi sepse është sikur të thuash se historianët i kanë shërbyer mbretërve dhe jo historisë. Janë disa mite që filozofia i thyen përmes intelektit, logjikës dhe hipotezave duke formuar koncepte që janë gjeneza e historisë së njohjes njerëzore.

Filozofia sot, gjendet kudo… ajo është në etikë, në komunikim, në këshillim, në rend, në të mirën publike, por jo në formën e profesionistit kategorik, por në rregullatorin e brendshëm të një shoqërie. Por a duhet të quhet studenti i filozofisë një profesionist? Nëse çdo profesionist tjetër mund të jetë bindës se mundet të jetë i aftë në mënyrë mekanike, doja të shtoja se  ajo çka një student filozofie mbart është se filozofia i jep një mundësi të pjekurisë intelektuale,  çka disiplinat e mësipërme i zotëron më lehtësisht duke e bërë një profesionist të shkencave sociale.

Të jesh profesionist i shkencave sociale i profilizuar në filozofi të bën aq sa kritik, por edhe më të ndjeshëm ndaj komunitetit të përbashkët… e nëse filozofi si profesionist do të ishte kudo, a do të flitej më për pabarazi, për të drejta të shkelura? A do të kishim më këtë sistem të kalbur aspak meritokratik?

…. Sot kemi mjekë, jurist, sociologë, psikologë të cilët mund të jenë të papunë edhe pse të kualifikuar? Kemi profesionistë të çdofarë fushe që nuk kontribuon dot në këtë sistemin tonë?!

Pra, shoqëria jonë ka nevojë kaq shumë për filozofin, për filozofinë, për studentin e filozofisë që të japë kontributin e tij për një shoqëri më të mirë. Kemi nevojë të shporrim modelet e vjetra, anarkike që na shiten si modele suksesi, si modele mësimdhënie të dështuara, dhe të gjenerojmë koncepte të reja për brezat e ardhshëm, kemi nevojë për nje sistem edukimi ku  edukimi i shërben studentit, dhe jo studenti edukimit, kemi nevojë për mësues, profesorë që ofrojnë modele frymëzimi përmes filozofisë për të rinjtë e vendit, kemi nevojë të ushqejmë shpirtin estetikisht, përpos shkencës. A bëhet shkencë pa menduar për njerëzimin?

A  bëhet paqe duke menduar për luftën?

Filozofia është një mënyrë jetese, është domosdoshmëri e shoqërisë së re, është dobishmëri për kontratën sociale të njerëzimit, për shtetin, është forma më e lartë, ku njeriu nis të kuptojë tjetrin në raport me veten, është realiteti i fytyrës së njeriut modern që lufton çdo ditë me shpresën se vendi ynë do bëhet më mirë, se institucionet do u shërbejnë më mirë, se ndihmat sociale do të jenë më shumë, se pensionet një ditë do tu dalin për të blerë më shumë, se arsimi do të jetë një shërbim ndaj mirëqenies intelektuale, dhe jo kusht aftësimesh, se do të kemi një ditë një ëndërr shqiptare, pa smog dhe tym makinash që vret oksigjenin e rinisë shqiptare të keqveshur, kequshqyer, keqedukuar ! …. një ditë do të ketë shpresë se filozofët e vendit, do të heqin ketë mjerim për të kthyer vlerat e vërteta që shqiptari i ka dhe i ka trashëguar ndër histori.

Adriana Istrefi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button