Agjërimi jo dënim për shpirtin por mundësi 

Kur isha i vogël më binte hise të rri në mexhlise me burra dhe njerëz të ndryshëm.
Gjatë muajit të ramazanit hapeshin tema nga më të ndryshmet, si për shembull: kur është bërë obligim për herë të parë agjërimi, pse Zoti e caktoi këtë lloj adhurimi për njerëzit, mbretërit në të kaluarën a kanë agjëruar? – interesant ishte koha që kalonte me mesele të këtilla!
Mbaj mend kur mezi pritnim të vijë koha e iftarit, të ndizen dritat e minareve të xhamisë, muezini të thirr ezanin, pak më shpejtë se zakonisht. Aty mblidheshin fëmijët e lagjes, disa më të mëdhenj e disa më të vegjël. Xhamia ishte vendtakimi, ku mblidheshim dhe bisedonim por edhe loznim në oborrin e xhamisë.
Në një rast filloi njëri hiqajen e tij të zakonshme: kur e krijoi Zoti njeriun e parë, dhe më pastaj ia dha shpirtin, njeriu u bë mosmirënjohës ndaj Zotit. Filloi që ti bindet egos së tij, dhe si pasojë rezultoi jofalenderues ndaj të mirave të Zotit.
Në këtë rast Zoti ia caktoi si obligim agjërimin njeriut, në formë dënimi ndaj shpirtit dhe egos së tij.
Më pastaj ndaleshte dhe shikonte në sytë dhe fytyrat e të pranishmëve. Një djalë i ri prezent në këtë mexhlis, e theu heshtjen e cila kishte kapluar me qetësi të madhe.
Si është e mundur që një shpirt të ketë qenë jomirënjohës dhe dënimin të vuajnë të gjithë njerëzit pa përjashtim, kjo nuk më duket në rregull – sikur reagoi ky i riu.
I nderum, a ka mundësi një shpjegim më të qartë për këtë çështje.
Pa mbaruar mirë fjalët, një tjetër që ishte aty prezent, e quanin “mulla” – a kishte të mbaruar ose jo, dorën në zemër nuk e dij sot e kësaj dite, bërtiti sa të dëgjojnë të gjithë të pranishmit “haram ej qerreta”.
Të kesh frikë Zotin me këtë budallaki bre “dinsës”, e mbarrove babën tënd me nam mysliman.
Kjo punë është kështu dhe pikë. Nuk është punë qejfi feja dhe secili çka mendon të pyesi dhe të kërkoj sqarime dhe shpjegime. Nuk jemi në kafene këtu, ky është mexhlis burrash dhe nuk kanë vend kalamajtë, që hala nuk kanë venduar brisk në fytyrë.
Përsëri mexhlisi u rëndua nga qetësia e madhe…!
Të kthehem në temën që fillova të shkruaj.
Agjërimi në asnjë moment nuk duhet kuptuar si dënim për shpirtin, por si një mundësi për njeriun.
Mundësi e cila të afron me Zotin, në këtë kohë të digjitalizmit, në të cilën marrëdhëniet tona me Krijuesin janë ftohur, zbehur, ngurtësuar si pasojë e asaj se “të gjithë janë bërë rob të teknologjisë”.
Prej vlerave që konfirmon agjërimi për të ndërtuar personalitetin e njeriut është vlera e mundësisë, ngritja e njeriut në sferat e jetës varet ngushtë me shfrytëzimin e mundësive.
“Kush e agjëron Ramazanin me bindje, duke shpresuar shpërblimin nga All-llahu, i falen të gjitha mëkatet e bëra më parë”. “Kush falë namazin e taravisë me bindje, dhe duke shpresuar shpërblimin nga All-llah, i falë të gjitha mëkatet e bëra më parë”.
Mendo rreth këtyre mundësive që çdonjërit prej neve u ekspozohen dhe e ftojnë t’i përqafon e më këtë të realizohet ëndrra e njeriut në këtë botë.
Agjërimi është mundësi e papërshkruar që njeriu të mbetet njeri, as melek në qiell, dhe as kafshë në tokë, por rob i Zotit në dunja dhe në përjetësi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button