Prokuroria filloi hetimet ndaj katër personave në lidhje me projektin “Shkupi 2014”, dyshohet për keqpërdorimin e rreth 500 milionë denarëve

Hetimet në lidhje me realizimin e projektit disavjeçar “Shkupi 2014”, kanë filluar edhe ndaj katër personave nën dyshimet për keqpërdorim gjatë realizimit të tenderëve. Nga Prokuroria njoftojnë se gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup sot pasdite pjesërisht e pranoi propozimin e prokurorisë dhe të dyshuarit të parë i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndërsa të dyshuarit të dytë i është caktuar masa e arrestit shtëpiak,transmeton Portalb.mk.

Prokurori në fjalë për dy të dyshuarit e tjerë i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozimin e masave për sigurimin e pranisë për të cilat gjykata do të vendosë në procedurë të rregullt. Gjyqtari gjithashtu miratoi kërkesën për marrjen e masës së përkohshme për ndalimin e tjetërsimit dhe disponimit të pasurisë së paluajtshme dhe pranoi propozimin për dhënien e vendimit për pezullimin e përkohshëm të transaksioneve financiare me propozim për sekuestrim të përkohshëm të pasurisë.

“Pas procedurës gjithëpërfshirëse parahetimore, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit miratoi Urdhrin për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj katër personave që kanë keqpërdorur pozitën dhe autorizimin gjatë realizimit të marrëveshjeve për ndërtim dhe punëve ndërtimore për rekonstruktimin e fasadave dhe ndriçimin e objektit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë”, bëjnë të ditur nga Prokuroria Themelore Publike.

I dyshuari i parë është udhëheqës i ndërmarrjes për ndërtimtari, i dyti është ishte udhëheqës i administratës shtetërore, ndërsa dy tjerët ishin persona përgjegjës të ndërmarrjes për inxhinieri, projektim dhe konsultim.

“Me realizimin e këtyre aktiviteteve, I dyshuari i parë për kompaninë që punon ka përvetësuar pasuri në vlerë prej 484 654 000 denarë”, bëjnë të ditur nga Prokuroria, duke vlerësuar që ai së bashku me të dyshuarin e dytë me vetëdije ka shkelur procedurat, ashtu sikurse nuk kishte respektuar edhe kriteret e tenderit.

I dyshuari i parë nga viti 2014 deri në vitin 2015 kishte përfituar 8 823 916 denarë për një parti politike përmes Ligjit për financimin e partive. Dy të dyshuarit e tjerë, ndër të tjera kishin pranuar që materialet dekorative janë të ndërtuara nga materiale 96 përqind të reciklueshme.

Ndryshe, me propozim të Prokurorisë dhe miratim të Gjykatës, është kryer bastisje në disa lokacione në Shkup në lidhje me këtë rast, duke u propozuar edhe ngrirje të llogarive bankare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button