Komuna e Tetovës thotë se ka lëshim teknik me kontratat në vepër që janë të vazhduara nga administrata e kaluar

Komuna e Tetovës sot publikoi listën me kontratat në vepër për tremujorin e parë të këtij viti. Bëhet fjalë për 78 kontrata, prej të cilave Komuna thotë se 30 janë vazhdime të atyre paraprake nga administrata e kaluar, por nëse krahasohen listat, në këtë të fundit vetëm 12 emra janë të njëjtë si në listën e kontratave të vitit 2021. Komuna nuk ka informatë të saktë për këtë, thonë se mund të ketë lëshim teknik, shkruan Portalb.mk.

Të kontaktuar nga Portalb.mk se përse numri i dhënë (30) në njoftim për vazhdimin e kontratave nga administrata paraprake nuk përputhet me emrat në listë të cilët figurojnë se janë 12, nga Komuna e Tetovës thanë se mund të ketë lëshime teknike por pa qenë konkret.

“Numri i kontratave ne përgjithësi është i njëjtë por disa janë disperzuar sipas nevojës në vende pune ku është paraqitur nevoja, si numër në detaje nuk jemi fokusuar por fokusi kryesor i joni ka qenë që të përshpejtojmë punët e lëna pas dore me vite të tëra. Ndoshta ka ndonjë lëshim teknik nga ana jonë dhe numri mund të jetë 13 dhe jo 30 por përsëri për ne me rëndësi është që komuna të jetë në funksion dhe në shërbim të qytetarëve”, deklaruan nga Komuna e Tetovës.

Nëse u referohemi të dhënave nga lista e kontratave të vitit 2021 dhe asaj të publikuar sot për kontratat e tremujorit të parë të këtij viti, në të dyja listat figurojnë vetëm 12 emra që i bie se vetëm këtyre u janë vazhduar kontratat nga administrata paraprake dhe jo 30 siç qëndron në njoftimin e komunës, edhe atë:

  1. Samir Shehabi
  2. Ermine Alija
  3. Ilir Palloshi
  4. Musli Dalifi
  5. Hazbi Rustemi
  6. Bejda Jonuzi
  7. Merita Ilazi
  8. Arjeta Abdulla
  9. Imrzat Zulbeari
  10. Atifet Muaremi
  11. Besir Ibraimi
  12. Sumeje Shaini-Beq.

Për t’i verifikuar të njëjtat mund të klikoni këtu për të parë listën e kontratave të vitit 2021 dhe këtu për të parë listën e kontratave për tre mujorin e parë të vitit 2022.

Pra, sipas këtyre të dhënave, Komuna e Tetovës për periudhën janar-mars 2022 ka bërë në total 78 punësime me kontrata në vepër, prej të cilave 12 janë vazhdime të kontratave të individëve të cilët kanë punuar në komunë që nga pushteti i kaluar lokal dhe 66 kontrata të reja.

Komuna e Tetovës me 8 shkurt e publikoi listën e personave të punësuar në komunë përmes kontratës në vepër shifra e të cilave ishte 812, por komuna për këtë nuk e bëri ndarjen se sa prej këtyre personave kanë qenë në punë dhe kanë dorëzuar raport dhe sa kanë marrë para nga taksat e qytetarëve tetovar duke mos punuar. Së fundmi, kryetari i Komunës në emisionin Click Plus (14 shkurt) njoftoi se bëhet fjalë për 544 persona të angazhuar, prej të cilëve 250 kanë dorëzuar raport ndërsa 294 nuk kanë  dorëzuar raport, në total këto kontrata buxhetit të Komunës i kanë kushtuar 1.1 milionë euro.

Ndryshe, Kasami para se të vijë në krye të komunës premtoi llogaridhënie permanente dhe komunë transparente, e cila gjendet edhe në programin zgjedhor për Tetovën 2021-2025. Ku në mes tjerash theksohet: Llogaridhënia permanente për shpenzimin e mjeteve publike, veprimet e administratës të jenë të verifikueshme online për qytetarët dhe të tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button