Xhaferi Snopçes: Po e keqpërdor gjendjen emocionale të familjarëve të viktimave për politikë ditore

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka mbajtur paraqitje para mediave ku ka reaguar ndaj deklaratës së djeshme të kryetarit të Komisionit anketues, Halil Snopçes për anulimin e mbledhjes së këtij komisioni, njofton TV21.

Siç deklaroi Xhaferi, Snopçe ka vepruar në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, pasi ka shpërndarë materiale pa i dorëzuar të njëjtat tek ai se kryetar i Kuvendit, siç parashihet me Rregulloren.

Në këtë mbledhje është dashur të flitet për aksidentin e autobusit në Bullgari dhe spitalin në Tetovë, dhe për të njëjtat Xhaferi tha se ka procedura hetuese dhe deputetët nuk mund të diskutojnë për të njëjtat derisa nuk ka epilog në organet hetuese.

“Derisa ajo nuk ka përfundim gjyqësor, Kuvendi nuk mund të diskutojë për të njëjtën”, tha Xhaferi për pikën e aksidentit.

Ai vlerëson se Snopçe po keqpërdor gjendjen emocionale të qytetarëve për politikë ditore.

“Është keqpërdorim eklatant i emocioneve të qytetarëve për politikë ditore”, tha Xhaferi.

Pas vendimit për të mos diskutuar në komisionin parlamentar anketues për tragjedinë në Bullgari, kanë reaguar familjarët e viktimave.

“Ne familjarët e viktimave që humbën jetën në tragjedinë e autobusit në Bullgari, kërkojmë vetëm të vërtetën dhe drejtësinë. Për këtë qëllim kërkuam që në Kuvend Komisioni anketues të mbajë mbledhje për të drejtat dhe liritë e njeriut. Por, sot morëm përgjigjen se këtë mbledhje, Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, e ka anuluar”, reagojnë familjarët.

Sipas tyre, vendimet e këtilla janë tentim për të fshehur tragjedinë. Ata theksuan se Xhaferi i ka rënduar edhe më shumë dhimbjen dhe e pyetën publikisht, përse i pengon e vërteta, kë dëshiron ta mbrojë dhe pse nuk lejon hetim parlamentar.

Më 23 nëntor, në aksidentin e autobusit që ndodhi në autostradën “Struma” në Bullgari jetën e humbën 45 udhëtarë, të cilët ktheheshin nga Stambolli ku udhëtarët kishin qenë për ekskursion.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button