fbpx

Tetovë, nuk u realizua ashtu si u premtua plani për parkingjet në tre-mujorin e parë të vitit

Edhe pse ishin paraparë të realizohen 230 vende parkimi të reja të mbyllura për periudhën janar-mars 2022, Komuna e Tetovës nuk arriti të realizojë asnjë prej tyre. Gjatë kësaj periudhe ishin paraparë të shtohen 195 vende parkimi zonal, por deri tani janë krijuar vetëm 72 parkingje të reja zonale. Zgjerimi i parkingut zonal në këtë pikë nuk nënkupton krijimin e vendeve shtesë apo të reja për parking, shkruan Portalb.mk.

Ndonëse u premtuan 425 vende parkimi shtesë për periudhën nga janari deri në mars të këtij viti, Komuna e Tetovës nuk arriti t’i realizojë as gjysmat.  Sipas planit të shpalosur me 11 janar nga kryetari i komunës, parashiheshin 195 parkingje shtesë zonale dhe 230 të mbyllura.

Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk bëjnë të ditur se gjatë kësaj periudhe në kuadër të parkimit zonal gjithsej janë shtuar 72 parkingje të reja ndërsa në përgatitje është  të shtohen në disa rrugë të tjera. Ndërkaq, për këtë periudhë nuk janë ndërtuar parkingje të reja të mbyllura.

“Gjithsej janë 72 parkingje të reja në kuadër të parkimit zonal. Lokacioni është në zonën e rrugës së Ilindenit  (përballë Memës) ku më 1 prill ka filluar edhe parkimi zonal në zonën C1. Po ashtu janë nënshkruar edhe 55 marrëveshje me klientë që jetojnë në ndërtesën e parkingut. Vendosja e parkimit zonal po përgatitet edhe rrugën 120 dhe përballë shkollës fillore “Liria”, përkatësisht aty ku ka kushte dhe është në përputhje me Planin Detal urbanistik të komunës. Vetë rrjedha e zbatimit të planit të NP “Parkingu i Qytetit” varet nga policia rrugore, e cila jep miratimet dhe me të cilën jemi në komunikim të vazhdueshëm”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Parkimi zonal në Tetovë, foto: Ardit Ramadani/Portalb.mk
Parkimi zonal në Tetovë, foto: Ardit Ramadani/Portalb.mk

Nga ana tjetër, Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë thotë se nga komuna për këtë periudhë kanë pranuar vetëm një kërkesë për dhënie të pëlqimit për zgjerim të parkingut zonal.

“Sektori për punë të brendshme Tetovë në periudhën prej muajit janar deri më sot, nga organet kompetente të vetëqeverisjes lokale të Tetovës ka pranuar vetëm një kërkesë për zgjerimin e hapësirave të parkimit zonal në rrugën ,,120″ te Tregu i gjelbër në Tetovë e cila për shkak të dokumentacionit të pa kompletuar, gjegjësisht projekt planit, është kthyer për korrigjim dhe rikompletim të të njëjtit”, tha Fatmir Rexhepi nga SPB Tetovë.

Zgjerimi i parkimit zonal, nuk nënkupton krijimin e vendeve të reja shtesë për parking, aty ku në të kaluarën janë parkuar vetura edhe pse ajo nuk ka qenë zonale dhe me pagesë. Zgjerimi i parimit zonal, duket të jetë një indikator për forcimin e gjendjes financiare të ndërmarrjes së parkingjeve, e cila vazhdimisht ka punuar në humbje.

Të pyetur se pse zgjerimi i parkimit zonal i cili nuk nënkupton vende të reja të parimit dhe a po shfrytëzohet ky premtim vetëm për marketing, kështu u përgjigjën nga komuna:

“NP “Parkingu i Qytetit” nuk bën marketing fals, por punon me të vetmin qëllim që të vendos rregull në parkingje nëpër të gjithë qytetin, angazhohet që të ketë parkingje të rregulluara, të cilat do të ofrojnë rregull dhe rrjedhë më të mirë në vetë trafikun e qytetit.”

Parkimi zonal në Tetovë, foto: Ardit Ramadani/Portalb.mk
Parkimi zonal në Tetovë, foto: Ardit Ramadani/Portalb.mk

Sipas planit të shpalosur me 11 janar, Komuna e Tetovës planifikon që deri në fund të vitit të rris numrin e vendeve të parkimit, përmes parkingjeve zonale, atyre të mbyllura si dhe garazheve në kate. Numri i planifikuar i parkingjeve zonale është 410, të mbyllura 790 dhe garazhet në kate 1,890. Gjithsej deri në fund të vitit Kasami deklaroi se priten të krijohen 3,730 vende të reja parkimi.

Kasami para se të vijë në krye të Komunës premtoi parkim pa pagesë deri sa të gjejë ven parkime për çdo veturë në Tetovë, por kjo zgjati shumë pak, vetëm dy javë e pak ditë.

Ndryshe, ndërmarrja “Parkingu i Qytetit” ka borxh mbi 187 mijë euro sipas të dhënave të fundit ndara me publikun nga kryetari i komunës, Bilall Kasami. Kjo ndërmarrje edhe pse gjeneron të hyra nga pagesat e qytetarëve, në të kaluarën vazhdimisht ka punuar në humbje. Në krye të kësaj ndërmarrje aktualisht është Igor Dodevski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button