Banor i Turski Rudar thotë se me ndërtimin e hidrocentralit fshati nuk ka ujë, investitori mohon

Jakim Jovanovski nga fshati Turski Rudar në rrethin e Probishtipit, për Meta.mk, thotë se po bën një betejë të pafund për realizimin e të drejtave elementare të njeriut. Kërkon që fshatarët të kenë ujë, që shpesh herë thahet, pasi investitori DIS Energija nga Shkupi ndërton një hidrocentral të vogël në lumin Stalkoviçka, por në vend që të sheh zgjidhje, ai dëgjon vetëm jehonën e vajtimit të tij.

Jovanovski thotë se investitori vazhdon ta ndërtojë hidrocentralin pa e plotësuar premtimin se do të ndërtojë bajpas të përshtatshëm prej dy kilometrash, me të cilin do të zëvendësohej ujësjellësi që u shkatërrua gjatë ndërtimit të hidrocentralit dhe se ujë do të kenë vazhdimisht.

“Askush nuk e dëgjon vajtimin tonë, investitori po ndërton, ne nuk kemi ujë për të vaditur arat tona. Prej ditësh kemi mbetur pa ujë në shtëpi, tubat në shtëpitë tona po ngrihen. Në vend që të ndërtojë bajpasin,  prej dy kilometrash, investitori improvizoi duke vendosur një tub të shkurtër që nuk na mjafton fare që ne të kemi ujë”, pohoi Jovanovski.

Duke shfletuar dokumentet, ai tha se ka numra dhe vula për çdo dokument që e ka dorëzuar në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe në institucione të shumta, “me firma, me data, me gjithçka”.

Sipas Jovanovskit, Komuna e Probishtipit në vitin 2017 ka dhënë mendim negativ për ndërtimin e hidrocentralit, por investitori megjithatë “në lëvizje” gjatë ndërtimit  ka siguruar lejet e nevojshme për ndërtim. Ai thotë se nuk ka pasur përgjigje nga policia kur banorët e zonës kanë raportuar disa herë se sistemi i ujitjes është dëmtuar.

Në anën tjetër, investitori i mohon akuzat e Jovanovskit. Vlatko Tonevski nga DIS Energija Doo pohon se uji që banorët e fshatit Turski Rudar përdorin për ujitje nga vetë lumi është i pavarur nga hidrocentrali, se tubacioni i ujit është mbi hidrocentral dhe se aktualisht nuk e përdorin.

“Nëse nuk kanë ujë të mjaftueshëm për momentin, mbase ka të bëjë me nivelin e ulët të ujit në lumë. Sa i përket ujit të pijshëm, pra atij që përdoret nga amvisëritë, bajpasi tashmë është bërë. Është vendosur zorrë më cilësore dhe më jetëgjatë, e cila është zgjidhje më e përshtatshme se tubat ekzistuese”, tha Tonevski për Meta.mk.

Theksoi se në rast se ka pasur dëmtime të padëshiruara, gjegjësisht kur është dëmtuar ndonjë tub, është riparuar sa më parë, defekti është rregulluar dhe uji është lëshuar sërish.

“Gjithçka që do ta dëmtojmë ne, riparohet menjëherë. Sigurisht që jemi të hapur edhe për vërejtje nga banorët. Nëse kanë ndonjë vërejtje konkrete, mund ta paraqesin tek ne dhe ne do ta shqyrtojmë dhe do të përpiqemi ta eliminojmë problemin e mundshëm”, tha Tonevski.

Tonevski shtoi se para fillimit të ndërtimit të hidrocentralit i kanë siguruar të gjitha lejet e nevojshme për të. Por, me kërkesën e Meta.mk të na e japin një kopje të projektit themelor në bazë të të cilit ndërtohet hidrocentrali, ai tha se nuk është në gjendje ta bëjë këtë por që nuk është as e nevojshme.

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini tha se nuk ka informacione konkrete për këtë rast, por paralajmëroi se do të kërkojë nga inspektorati që menjëherë të kontrollojë gjendjen në terren, pse nuk ka ujë, a është i ndotur, si dhe çfarë janë ndikimet nga ndërtimi i hidrocentralit.

Nuredini theksoi se me ligjin e ri për ujërat, ministria do të kërkojë që të gjithë aktorët dhe popullata vendase të përfshihen në procesin e miratimit të ndërtimit të hidrocentraleve.

“Përveç elaboratit për ndërtimit, do të duhet të ketë edhe një studim për ndikim mbi mjedisin jetësor. Do të thotë që në të ardhmen nuk do të ketë raste të tilla ku popullata nuk është e informuar apo nuk pajtohet, në të kundërtën nuk do të ketë vendime të qeverisë për të pranuar aktivitete të tilla”, theksoi ministri.

Banorët e Turski Rudar në janar të vitit të kaluar në një protestë kërkuan që të ndërpritet ndërtimi i mini hidrocentralit në Stalkovska Reka sepse edhe përkundër takimit me investitorin nuk gjetën gjuhë të përbashkët, kurse për fillimin e aktiviteteve ndërtimore kanë kuptuar kur e kanë pa mekanizim në terren.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button