Dhjetë vjet nga themelimi, arsyet pse duhet të lexohet Portalb.mk

Sot para dhjetë viteve, me 6 prill të vitit 2012 filloi me punë portali informativ online në gjuhën shqipe “Portalb.mk”. Gjatë këtyre dhjetë viteve, rruga në të cilën kaloi ky medium nuk ishte e lehtë, por me profesionalizëm, përkushtim dhe asnjë kompromis për të vërtetën arriti të jetë ndër mediat më të besuara dhe kredibile në vend. Në këtë dhjetë vjetor, themeluesi, kryeredaktorja, zëvendës-kryeredaktori dhe gazetarët e redaksisë tregojnë arsyet pse ky medium duhet të lexohet.

Bardhyl Jashari, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis dhe themelues i Portalb.mk:

Synimi kryesor që kisha kur e themeluam Portalb.mk para 10 viteve ishte që për lexuesit shqiptar në Maqedoni dhe më gjerë të krijoj një burim objektiv, kritik dhe të besueshëm të informatave. Në një periudhë tejet dinamike dhe përplot sfida, sot, pas 10 viteve, ekipi i portalb.mk arriti që këtë synim timin ta bëjë realitet. Prandaj sot pa hamendje mund të them, se arsyet se pse duhet lexuar Portalb janë po ata që kisha në fillim si synim: Portalb.mk është, profesional, i paanshëm, objektiv, kritik dhe i besueshëm. Pa sensacionalizëm, pa nevojën për të qenë medoemos i pari, pa tituj e përmbajtje çorientuese për lexuesin, Portalb.mk është shpresë se gazetaria do të rimarr rolin e rëndësishëm që ka në një shoqëri demokratike dhe do të rikthej besimin e humbur të lexuesve te mediat, sidomos te ata onlajn. Kjo nuk do të ishte e mundur, pa punën, profesionalizmin dhe përkushtimin e kolegëve të mi, ekipit të portalb.mk, dhe me këtë rast ua uroj përvjetorin dhe u dëshiroj edhe shumë suksese!

Elida Zylbeari, kryeredaktore:

Verifikimi i informatave dhe kualiteti i tyre është shenjë njohëse për Portalbin. Ne jemi ekip i cili nuk bën kompromise me faktet. Jo-rastësisht motoja jonë është  “Dritare realiteti” pasi që synojmë vetëm të vërtetën, e cila nganjëherë mund të mos jetë sensacionale dhe me tituj shokues. E vërteta mbetet e tillë, e zhveshur nga epitetet që vet gazetarët nganjëherë synojnë t’ia mveshin. Dhe ne vetëm këtë mision e kemi. Brenda dhjetë viteve kemi punuar me nijet të pastër dhe me përkushtim maksimal për ta përmbushur këtë mision, aty ku kemi gabuar kërkojmë ndjesë, ndërsa atje ku kemi ndihmuar jemi krenarë.

Suad Bajrami, zëvendës-kryeredaktor:

Në kohën e sfidës botërore ndaj lajmeve të rrejshme dhe shumimit enorm të ueb-faqeve që merren me “lajme”, por jo me gazetari, Portalbi duhet të lexohet për shkak se është hapësirë ku botohen lajme të verifikuara, të cilat përgatiten me profesionalizëm dhe shkruhen me gjuhë të kujdesshme. Portalbi është medium që me fanatizëm i ka ruajtur parimet e tij që nga themelimi e deri sot.

Naile Dauti, gazetare:

Portalbi ka arritur shkëlqyeshëm ndër vite ta rrisë lakoren e besueshmërisë së lexuesit, dhe kjo vetëm duke respektuar parimet etike. Në përshtypje të parë duket e lehtë, por duke parë terrenin medatik online, nuk rezulton kështu. Megjithatë, puna, përkushtimi dhe vigjilenca permanente e stafit të Portalbit, ka bërë që kjo media, sot të jetë ndër më të besuarat, madje duke tejkaluar edhe disa media tradicionale që vazhdimisht janë parë si më të besueshme. Portalbi sot është edhe një dritare ku lexuesi verifikon lajmet ‘pikëpyetëse’ nga mediat tjetra me besueshmëri të ulët. Lexuesi nuk zhgënjehet kur lexon Portalbin dhe uroj e besoj njëkohësisht që as Portalbi nuk do ta zhgënjejë ndonjëherë lexuesin.

Fisnik Xhelili, gazetar:

Portalbi është ajo dritare realiteti e cila lexuesit i ofron lajme të besueshme, të verifikuara dhe të pa anshme. Temat të cilat i mbulojnë gazetarët e Portalbit nuk janë vetëm sa për sy e faqe, por të njëjtat në vetvete kanë atribute si arritja e efekteve, reagimeve, ndryshimeve, përmirësimeve për zgjidhjen e problemeve në shoqërinë tonë, dhe kjo është dëshmuar disa herë. Për më tepër, Portalbi shpesh është edhe burim informacioni jo vetëm për mediat online, por edhe për ato tradicionale, andaj kjo vetëm se e rithekson kredibilitetin dhe është arsyeja më e mirë se pse i njëjti duhet të lexohet.

Dorina Ajdini, gazetare:

Maqedonia e Veriut ka një rini shumë kreative dhe aktive në të gjitha fushat, në art, në shkencë, në sport. Këtë e dëshmon çdo ditë Portalbi, duke i prezantuar dhe duke e promovuar punën e të rinjve dhe duke e thyer tabunë se rinia e sotme është “dembele”. Këtë e bëjmë në rubrikën CTRL+ Z. Portalbi është shembulli se profesionalizmi ia vlen, se nuk janë shpifjet, manipulimet, lajmet senzacionale të pavërteta dhe gjysmë të vërteta ato që sjellin lexueshmëri të lartë dhe klikime të shumta. Prandaj, vazhdoni ta lexoni Portalbin dhe të jeni të sigurt se edhe në të ardhmen, gjithçka që lexoni në të është një e vërtetë e verifikuar.

Ardit Ramadani, gazetar:

Për shkak të kokëdhimbjes që përjetojnë gazetarët para se të jepet drita jeshile për publikimin e një artikulli, kjo është një ndër arsyet se pse duhet lexuar Portalbi. Numërohen ne gishtat e dorës mediet online të cilat i vendosin theks të veçantë verifikimit të informacioneve para se t’i plasojnë ato ndërkaq vitet jo vetëm Maqedonia e Veriut por e gjithë bota po përballet paralelisht me dy pandemi, e para ajo e virusit korona ndërkaq e dyta infodemia, gjegjësisht, fenomeni „fake news” i cili sipas të gjitha gjasave ka ndikuar jashtëzakonisht keq në shëndetin mendor por edhe atë fizik të njerëzve ndërkaq Portalb-i arriti t’i mbijetojë pandemisë edhe duke publikuar lajme të cilat mbase nuk marrin aq pëlqime dhe nuk janë aq sensacionale, jo vetëm pandemisë, Portalb-i ka arritur t’i mbijetojë „nevojës” për publikimin e lajmeve sensacionale tash 1 dekadë dhe kështu është një ndër mediet më të besueshme në vend.

Shefkije Alasani, gazetare:

Sot ka me qindra kanale mediatike të cilat prodhojnë informacion për opinionin publik por janë shumë pak ato kanale mediatike të cilat informacionin për publikun e ndërtojnë me profesionalizëm dhe korrektësi. Portalb.mk është një ndër ato pak mediume në vendin i cili ofron informacione në kohë reale por mbi të gjitha me përkushtim të lartë të kodit etik gazetaresk. Për mua si gazetare është kënaqësi e madhe të jem pjesë e ekipit të Portalb.mk dhe me punën time të kontribuojë në rritjen e cilësisë se gazetarisë, zhvillimin e një mendimi kritik tek qytetarët dhe vlerave demokratike në përgjithësi në vendin tonë.

Faton Curri, gazetar:

Në dekadën kur Maqedonia e Veriut po lufton kundër diktaturës që ka përgjuar mbi 20 mijë qytetarë, ka burgosur dhe vrarë qytetarë të pafajshëm, Portalb pa frikë e me profesionalizëm shfaqet si një dritare realiteti, ku qytetarët informojnë dhe informohen pa ngjyrime partiake. Profesionalizmi e pozicionoi në luftën kundër diktaturës së kaluar dhe tentim-diktaturës së re; sepse bindshëm ishte në protestat e dhunshme dhe shpeshherë ishte vetë protestë e padhunshme kundër pushtetit te kaluar dhe aktual.

Teuta Buçi, gazetare:

Në një botë mediatike e cila po sfidohet ndjeshëm nga dezinformatat dhe lajmet e rrejshme, Portalb mbetet ndër mediat e pakta në gjuhën shqipe në vend që i ka rezistuar kësaj dhe kësisoj vazhdon të qëndrojë lartë në listën e mediave më kredibile, me lajme të verifikuara. Përpos kësaj, lexuesit kanë mundësi që në Portalb të informohen në mënyrë objektive dhe të paanshme, ku problemet që i tangojnë qytetarët kanë çdoherë hapësirën e padiskutueshme. Po ashtu, një gjë tjetër që e dallon Portalb-in nga mediat tjera, është hapësira që krijon për të rinjtë dhe temat që kanë të bëjnë me ardhmërinë e tyre.

Aneta Dodevska, gazetare:

Portalb është një nga portalet e rralla për disa arsye, pas çdo teksti dhe lajmi të shkruar qëndron një gazetar , që do të thotë profesionalizëm në një mjedis dezinformimi dhe lajmesh të rreme pa autorë, informacion në kohë për lajmet e përditshme, rubrikat dhe analizat që ofrojnë një pasqyrë autentike të situatave. Portalb ofron informim objektiv dhe të paanshëm, e cila është shumë e rëndësishme për besimin e lexuesve.

Ndryshe, të enjten e kaluar redaksia shënoi dhjetë vjetorin me dy panele diskutimin mbi temën “Vizioni për Maqedoninë e Veriut”, në të cilin morën pjesë përfaqësues nga organizatat civile, pushteti ekzekutiv, ai lokal, profesorë dhe studentë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button