SHBA-ja ka ndarë 100 milionë dollarë shtesë si ndihmë ushtarake për Ukrainën

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka njoftuar se ai autorizoi 100 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën për të plotësuar nevojën e vendit për sisteme shtesë kundër mjeteve të blinduara, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Bota është tronditur dhe tmerruar nga mizoritë e kryera nga forcat ruse në Bucha dhe në të gjithë Ukrainën”, tha Blinken në një deklaratë, duke vlerësuar forcat ukrainase për mbrojtjen “me guxim” të vendit të tyre.

Ai tha se autorizimi është tërheqja e gjashtë e armëve, pajisjeve dhe furnizimeve nga inventarët e Pentagonit për Ukrainën.

Ndihma e fundit vjen pas fotove dhe videove tronditëse të vrasjeve brutale të civilëve në qytetin ukrainas Bucha, i cili më parë ishte i pushtuar nga forcat ruse. Rusia u tërhoq nga zona më 30 mars.

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe Moska po përballen me kritika të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar pasi Ukraina akuzoi forcat ruse për kryerjen e “gjenocidit” dhe “krimeve të luftës” në Bucha.

Rusia i ka hedhur poshtë akuzat duke i cilësuar si një “sulm i lajmeve të rreme”, duke argumentuar se imazhet e trupave të vdekur dhe pamjet e civilëve të vrarë që kanë shkaktuar zemërim global janë inskenuar pasi forcat ruse u tërhoqën nga qyteti.

“Të bashkuar me aleatët dhe partnerët tanë, ne do të vazhdojmë të ofrojmë ndihmë sigurie në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës, si dhe mbështetje ekonomike dhe ndihmë humanitare për komunitetet e shkatërruara nga brutaliteti i pamëshirshëm i Rusisë”, shtoi Blinken.

Që kur administrata e presidentit Joe Biden mori detyrën, SHBA ka ndarë më shumë se 2,4 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën, kurse 1,7 miliardë dollarë prej tyre janë dhënë që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës në fund të shkurtit. Përveç kësaj, më shumë se 30 vende janë bashkuar me SHBA-në për të ofruar ndihmë sigurie në Ukrainë.

Lufta Rusi-Ukrainë, e cila filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar, ndërsa Bashkimi Evropian (BE), SHBA-ja dhe Britania e Madhe, ndër të tjera, vendosën sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 1.480 civilë janë vrarë në Ukrainë dhe 2.195 janë plagosur, megjithëse shifra e vërtetë dyshohet se është shumë më e lartë.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se më shumë se 4,24 milionë ukrainas gjithashtu kanë ikur në vende të tjera dhe miliona të tjerë të zhvendosur brenda vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button