Dita 42- Stoltenberg: Ukraina ka nevojë urgjente për mbështetje ushtarake

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të mërkurën përgatitën sanksione të reja ndaj Moskës për vrasjet e civilëve, të cilat presidenti Volodymyr Zelenskiy i përshkroi si “krime lufte”, pasi luftimet e rënda dhe sulmet ajrore ruse goditën portin e rrethuar të Mariupolit. Qyteti jugor i Mariupolit është sulmuar nga forcat ruse dhe është bombarduar vazhdimisht që nga ditët e para të pushtimit pothuajse gjashtë javë më parë, duke bllokuar dhjetëra mijëra banorë pa ushqim, ujë apo energji. “Situata humanitare në qytet po përkeqësohet,” tha të mërkurën inteligjenca ushtarake britanike. Sanksionet e reja që do të zbulohen sot janë pjesërisht përgjigje ndaj rastit në Buça, njoftoi Shtëpia e Bardhë, transmeton Portalb.mk.

22:30- Shefi i NATO-s Stoltenberg: Ukraina ka nevojë urgjente për mbështetje ushtarake

Ukraina ka “nevojë urgjente” për mbështetje ushtarake, tha shefi i NATO-s, duke u kërkuar aleatëve që të mbështesin më tej Kievin në vazhdën e luftës me Rusinë.

“Ukraina ka një nevojë urgjente për mbështetje ushtarake dhe kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që aleatët e NATO-s të bien dakord të mbështesin më tej Ukrainën me shumë lloje të ndryshme të pajisjeve ushtarake, si pajisje më të rënda, por edhe sisteme të armëve të lehta”, tha Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg për mediat përpara takimit dyditor të ministrave të jashtëm të NATO-s.

“Ne mund të shohim vetëm fotografi të të gjitha forcave të blinduara ruse të shkatërruara. Kjo është diçka që është bërë me armë, armë antitank ose pajisje antiblindë të dorëzuara nga aleatët e NATO-s”, deklaroi Stoltenberg.

Duke kujtuar vendimin e SHBA-së për të ndarë më shumë para për sistemet kundër forcave të blinduara, ai tha se është “një nga shembujt e shumtë se si aleatët po e përmbushin këtë nevojë urgjente”.

Ministrat e jashtëm të NATO-s, së bashku me përfaqësues nga Ukraina, Finlanda, Suedia, Gjeorgjia, Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut, janë mbledhur në Bruksel për të trajtuar implikimet e veprimeve të Rusisë dhe marrëdhëniet e ardhshme të NATO-s me Moskën.

Tema të tilla si koncepti i ardhshëm strategjik i aleancës ushtarake, ndikimi në rritje i Kinës, ndryshimet klimatike, terrorizmi dhe teknologjitë në zhvillim dhe shkatërruese do të jenë në agjendën e takimeve.

20:00- Rusia planifikon më shumë kufizime të mediave

Ligjvënësit rusë prezantuan të mërkurën një projektligj në Dhomën e Ulët të Parlamentit, i cili, nëse miratohet, do të shtrëngonte kufizimet tashmë të ashpra ndaj mediave në vend dhe mbulimin e tyre të luftës në Ukrainë.

Projektligji përshkruan amendamentet e ligjit për median që fuqizon zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm për të mbyllur mediat vendase dhe të huaja për një sërë arsyesh.

Këto do të përfshijnë mbulimin e pushtimit rus të Ukrainës që devijon nga linja zyrtare dhe është kriminalizuar si “lajm i rremë” ose që diskrediton ushtrinë ruse dhe veprimet e saj në Ukrainë.

Një arsye tjetër që lejon Prokurorinë e Përgjithshme të mbyllë një medium të huaj që vepron në Rusi do të ishte hakmarrja për mbylljen e mediave ruse jashtë vendit.

Për t’u miratuar, projektligji do të duhet të kalojë tre lexime në Dhomën e Ulët të parlamentit, të miratohet nga dhoma e lartë – Këshilli i Federatës – dhe të nënshkruhet nga Presidenti, Vladimir Putin. Procesi mund të zgjasë muaj ose ditë, në varësi të dëshirës së autoriteteve për të zbatuar kufizimet e reja.

Qeveria ruse ka vendosur kufizime të paprecedenta në mediat që mbulojnë luftën në Ukrainë.

Një ligj u vulos nga Parlamenti në fillim të marsit, duke kriminalizuar “lajmet e rreme” për atë që Kremlini e ka quajtur “një operacion special ushtarak” në Ukrainë dhe duke vendosur dënimin për diskreditimin e ushtrisë ruse dhe veprimet e saj në Ukrainë.

Uebsajtet e shumë mediave të pavarura të lajmeve janë bllokuar dhe një radio stacion kritik është hequr nga transmetimi për shkak të përmbajtjes që devijonte nga tregimi zyrtar. Disa kanë pushuar ose ndërprerë funksionimin nën presion.

Nëse projektligji i ri miratohet, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm do të jetë në gjendje të urdhërojë, vëzhguesin e medias dhe internetit të Rusisë, të tërheqë licencën e një medieje, duke mbyllur kështu funksionimin e saj.

19:10- Nesër votohet për pezullimin e Rusisë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut

Më 7 prill votohet lidhur me largimin e Rusisë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, do të votojë më 7 prill, për ta suspenduar Rusinë nga trupa e Këshillit për të Drejtat e Njeriut.

Ky votim vie pas raportimeve se trupat ruse kanë kryer krime të rënda në qytetin Buça të Ukrainës.

Votimi është konfirmuar për orën 10 të enjten, tha Paulina Kubiak, një zëdhënëse për presidentin e Asamblesë së Përgjithshme, Abdulla Shahid.

Dy të tretat e vendeve që votuan në asamblenë prej 193 anëtarësh duhet të mbështesin pezullimin që Rusia të hiqet përkohësisht nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut me bazë në Gjenevë.

Vitet e fundit, organizata ka qenë nën presionin e imponuar nga autoritetet në vazhdën e goditjes së vazhdueshme ndaj organizatave joqeveritare, mediave të pavarura dhe institucioneve demokratike në të gjithë Rusinë.

Shumë aktivistë, gazetarë dhe njerëz të tjerë janë larguar nga Rusia për në vende të tjera që kur Rusia nisi sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës më 24 shkurt.

17:05 – SHBA-ja sanksionon vajzat e Putinit

Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar vajzat e rritura të presidentit rus, Vladimir Putin, gruan dhe vajzën e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe anëtarët e Këshillit rus të Sigurisë, përfshirë ish-presidentin rus, Dmitry Medvedev dhe kryeministrin, Mikhail Mishustin.

Uashingtoni njoftoi për sanksionet e reja më 6 prill, në të cilat shënjestrohen bankat dhe elitat ruse. Kjo pako e sanksioneve përfshin ndalimin e çdo amerikani të investojë në Rusi, pasi Uashingtoni dhe Kievi akuzuan Moskën për kryerjen e krimeve të luftës në Ukrainë.

Sanksionet e reja do të bllokojnë tërësisht bankën Sberbank të Rusisë, e cila mban një të tretën e totalit të aktiviteteve bankare të Rusisë, dhe Alfabank, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së të mërkurën njoftoi gjithashtu veprime të reja për të penguar dhe ndjekur penalisht veprimtarinë kriminale ruse.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë kishin paralajmëruar sanksione të ashpra ndaj Rusisë, një lëvizje që ka për qëllim të rrisë izolimin ekonomik dhe teknologjik të Rusisë si ndëshkim për sulmet e saj ndaj civilëve në Ukrainë.

“Qëllimi është që t’i detyrojmë ata të bëjnë një zgjidhje”, ka thënë më herët zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

“Pjesa kryesore e objektivit tonë është që të shterojmë burimet që ka [presidenti rus, Vladimir] Putin për të vazhduar luftën e tij kundër Ukrainës”, ka shtuar ajo.

13:03 – Zaharova: Shkupi pa menduar sakrifikon sovranitetin

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zaharova, duke komentuar dëbimin e pesë diplomatëve rusë nga Maqedonia e Veriut, tha se Rusia do të detyrohet të marrë masa reciproke, pa i përmendur të njëjtat. Komenti i Zaharovës është publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, si dhe në profilin e Ambasadës Ruse në Facebook.

“Ky hap i theksuar armiqësor është një vazhdimësi e kursit drejt prishjes marramendëse të marrëdhënieve dypalëshe me Rusinë, që u ndërmor nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut disa javë më parë. Duke u bashkuar me histerinë rusofobike të nisur nga Perëndimi, Shkupi ka riafirmuar edhe një herë gatishmërinë e tij për të sakrifikuar në mënyrë të pamatur sovranitetin dhe për të marrë vendime që bien ndesh me ndjenjat publike dhe në kundërshtim me interesat e rrënjosura kombëtare”, theksoi Zakarova në komentin e saj.

Ky veprim vjen pasi Ministria e Jashtme dje vendosi të shpallë pesë diplomatë nga Ambasada e Federatës Ruse në Shkup “persona non grata”. Si të padëshirueshëm në vend, atyre ju dhanë pesë ditë kohë që të largoheshin nga territori ynë.

“Sipas informacioneve të marra nga organet kompetente, këta persona kryenin aktivitete që ja

12:18 – Presidenti Zelenski i ndau Urdhrin e guximit fotoreporterit të vrarë Max Levine

Presidenti Volodymyr Zelensky përpara se t’i drejtohej kombit mbrëmë, nënshkroi dekret për ndarjen pas vdekjes të Urdhrit të guximit fotoreporterit Max Levine, i cili u vra nga sulmuesit rusë në rajonin e Kievit.

“Për guximin personal dhe veprimet vetëmohuese të treguara gjatë mbulimit të agresionit rus, vendos: T’i ndajë “Urdhrin e guximit – shkalla III” Levin Maxim Evgenievich – fotoreporter (pas vdekjes)”, thuhet në dekret.

Gjatë ndarjes së medaljeve, Zelenski i shprehu respekt familjesë së punonjësit të ndjerë të medias.

“Ia dorëzova Urdhrin e guximit familjes së fotoreporterit të ndjerë Max Levine, i cili u vra brutalisht nga pushtuesit në rajonin e Kievit. Gjatë jetës së tij, ai dha një kontribut të rëndësishëm që të gjithë ne të shohim dhe të dimë se çfarë po ndodh në vendin tonë”, tha Zelenski.

Për vrasjen e Levinit është hapur vepër penale, kurse sipas informacioneve fillestare, Levini i paarmatosur u vra nga ushtarët e forcave të armatosura ruse me dy të shtëna me armë të lehta.

Maxim Levin është i njohur si fotoreporter dhe fotograf dokumentarësh dhe kameraman ukrainas. Ai ka punuar me Reuters, BBC, TRT World, Associated Press dhe media të tjera me famë botërore.

Zelenski, në pallatin Mariinsky, dhuroi medaljet “Ylli i Artë” edhe për 292 anëtarë të Forcave të Armatosura të Ukrainës, 57 prej të cilëve pas vdekjes iu nda titulli Hero i Ukrainës.

Në të njëjtën kohë, Salla e bardhë e Pallatit Mariinsky tani e tutje do të quhet Salla e bardhë e Heronjve të Ukrainës, njoftoi presidenti i Ukrainës.

11:23 – Kurti për CNN: Ballkani Perëndimor mund të jetë “fushëbetejë” e re e Rusisë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një intervistë për CNN, ka thënë se sa i përket luftës në Ukrainë, Serbia nuk është aspak neutrale, por është në anën e Federatës Ruse. Sipas Kurtit, ka shqetësime se Ballkani Perëndimor mund të jetë një “fushë beteje” e re ruse përmes “elementeve” të tyre përfaqësuese – Serbisë ose Republika Sërpskës.

“Serbia paratë i dëshiron evropiane, pushkët ruse, investimet kineze, dhe tolerancën amerikane”, tregoi kryeministri.

11:11 – SHBA-ja ka ndarë 100 milionë dollarë shtesë si ndihmë ushtarake për Ukrainën

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka njoftuar se ai autorizoi 100 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën për të plotësuar nevojën e vendit për sisteme shtesë kundër mjeteve të blinduara.

“Bota është tronditur dhe tmerruar nga mizoritë e kryera nga forcat ruse në Bucha dhe në të gjithë Ukrainën”, tha Blinken në një deklaratë, duke vlerësuar forcat ukrainase për mbrojtjen “me guxim” të vendit të tyre.

Ai tha se autorizimi është tërheqja e gjashtë e armëve, pajisjeve dhe furnizimeve nga inventarët e Pentagonit për Ukrainën.

Ndihma e fundit vjen pas fotove dhe videove tronditëse të vrasjeve brutale të civilëve në qytetin ukrainas Bucha, i cili më parë ishte i pushtuar nga forcat ruse. Rusia u tërhoq nga zona më 30 mars.

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe Moska po përballen me kritika të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar pasi Ukraina akuzoi forcat ruse për kryerjen e “gjenocidit” dhe “krimeve të luftës” në Bucha.

Rusia i ka hedhur poshtë akuzat duke i cilësuar si një “sulm i lajmeve të rreme”, duke argumentuar se imazhet e trupave të vdekur dhe pamjet e civilëve të vrarë që kanë shkaktuar zemërim global janë inskenuar pasi forcat ruse u tërhoqën nga qyteti.

“Të bashkuar me aleatët dhe partnerët tanë, ne do të vazhdojmë të ofrojmë ndihmë sigurie në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës, si dhe mbështetje ekonomike dhe ndihmë humanitare për komunitetet e shkatërruara nga brutaliteti i pamëshirshëm i Rusisë”, shtoi Blinken.

Që kur administrata e presidentit Joe Biden mori detyrën, SHBA ka ndarë më shumë se 2,4 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën, kurse 1,7 miliardë dollarë prej tyre janë dhënë që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës në fund të shkurtit. Përveç kësaj, më shumë se 30 vende janë bashkuar me SHBA-në për të ofruar ndihmë sigurie në Ukrainë.

Lufta Rusi-Ukrainë, e cila filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar, ndërsa Bashkimi Evropian (BE), SHBA-ja dhe Britania e Madhe, ndër të tjera, vendosën sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 1.480 civilë janë vrarë në Ukrainë dhe 2.195 janë plagosur, megjithëse shifra e vërtetë dyshohet se është shumë më e lartë.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se më shumë se 4,24 milionë ukrainas gjithashtu kanë ikur në vende të tjera dhe miliona të tjerë të zhvendosur brenda vendit.

10:03 – Schallenberg: Rusia sheh edhe nga Ballkani Perëndimor

Në një konferencë donatorësh të organizuar në Berlin (05.04.) për të ndihmuar Moldavinë, një vend i vogël me vetëm 2,6 milionë banorë, por që ka pritur deri tani 370.000 refugjatë, ministri i Jashtem austriak, Alexander Schallenberg është shprehur edhe për Ballkanin Perëndimor. Rusia nuk i hedh sytë vetëm nga Ukraina, por edhe nga Kaukazi jugor, nga Ballkani Perëndimor, dhe Republika e Moldavisë, ka paralajmëruar ministri i Jashtëm austriak, shkruan agjencia Reuters.

Schallenberg kërkoi nga BE që të çelë sa më shpejt negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Unë pres që kjo të bëhet ende nën presidencën franceze”, tha Schallenberg. Por presidenca franceze merr fund në qershor.

Po ashtu ministri i Jashtëm austriak, Schallenberg ka kërkuar që të liberalizohen vizat sa më shpejt me Kosovën. Kosova edhe Bosnje-Hercegovina duhet të marrin po ashtu një perspektivë anëtarësimi. Bëhet fjalë nëse këto gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor do të mbeten në rrugën europiane të demokracisë e lirisë apo jo, tha Schallenberg duke kujtuar influencën e Rusisë, Kinës dhe vendeve të tjera në rajon.

BE nuk duhet të harrojë, se procese të mëparshme anëtarësimi kanë çuar në forcimin e zhvillimeve demokratike tek vendet e sotme anëtare, tha Schallenberg. “Pa anëtarësimin në BE, vendet europianolindore sot ndoshta do të ishin në një gjendje tjetër edhe më të vështirë”, u shpreh Schallneberg, duke pasur parasysh Rusinë.

09:24 – Hungaria ka thirrur në bisedë ambasadorin ukrainas

Ministria e Jashtme hungareze ka thirrur në bisedë ambasadorin e Ukrainës, për shkak të, siç tha, deklaratave fyese ndaj qëndrimit të Hungarisë lidhur me luftën në Ukrainë.

“Është koha që udhëheqja ukrainase të ndalë fyerjet drejtuar Hungarisë dhe të pranojë vullnetin e popullit hungarez”, tha të mërkurën ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto.

Ai iu referua fitores në zgjedhjet e 3 prillit të partisë në pushtet Fidesz të kryeministrit Viktor Orban.

Hungaria ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës dhe i është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian.

Por, kryeministri Orban ka thënë se nuk do të lejojë që territori i Hungarisë të përdoret që shtetet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian të dërgojnë armatime në Ukrainë.

08:51 – SHBA-ja dhe BE-ja me sanksione më të ashpra ndaj Rusisë

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë do të vendosin sanksione të reja më të ashpra ndaj Rusisë më 6 prill, një lëvizje që ka për qëllim të rrisë izolimin ekonomik dhe teknologjik të Rusisë si ndëshkim për sulmet e saj ndaj civilëve në Ukrainë.

Ky veprim i përbashkët përfshin sanksione të reja ndaj institucioneve financiare, ndalesë për investimet e reja në Rusi, ashpërsimin e sanksioneve ndaj ndërmarrjeve në pronësi të shtetit dhe më shumë sanksione ndaj zyrtarëve të Qeverisë ruse dhe familjarëve të tyre.

“Qëllimi është që t’i detyrojmë ata të bëjnë një zgjidhje”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

“Pjesa kryesore e objektivit tonë është që të shterojmë burimet që ka [presidenti rus, Vladimir] Putin për të vazhduar luftën e tij kundër Ukrainës”, shtoi ajo.

Departamenti amerikan i Thesarit më 5 prill ndërmori masa të reja, duke ia vështirësuar Rusisë që të plotësojë obligimet e saj financiare, pasi ndaloi çdo pagesë të borxhit të Qeverisë ruse me dollarë amerikanë nga llogaritë në institucionet financiare në SHBA.

Ndërkaq, Britania ka njoftuar se deri më tani ka ngrirë rreth 350 miliardë dollarë asete nga “arka e luftës” së Putinit. Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss tha se kjo i bën të padisponueshme më shumë se 60 për qind të rezervave valutore të Rusisë në vlerë prej 604 miliardë dollarësh.

Bashkimi Evropian tha se pakoja e pestë e masave që ka paralajmëruar do të shënjestrojë eksportet e naftës dhe qymyrit rus dhe do të ndalojë anijet ruse që të ankorohen në portet evropiane.

Këto veprime vijnë teksa akuzat për mizori të kryera nga forcat ruse vazhdojnë të shtohen. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 5 prill se trupat ruse kanë kryer disa prej krimeve më të këqija të luftës që nga Lufta e Dytë Botërore. Ai i bëri thirrje këtij këshilli që të mbajë përgjegjëse Rusinë për këto veprime.

Shumica e fokusit ka qenë në Buça, një qytet në afërsi të Kievit ku forcat ruse kishin qenë të pozicionuara para se të tërhiqeshin javën e kaluar. Banorët kanë thënë se kanë qenë dëshmitarë të vrasjeve brutale dhe torturave dhe po ashtu kanë dalë të dhëna për varreza masive dhe shënjestrim të civilëve.

Ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzia, tha se kur Buça ishte nën kontrollin rus “asnjë banor lokal nuk ka vuajtur nga ndonjë veprim i dhunshëm”. Duke ripërsëritur qëndrimet e Kremlinit, ai tha se videot ku shihen trupat e pajetë të shtrirë në rrugët e këtij qyteti ishin “të falsifikuara” dhe të inskenuara nga ukrainasit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button