RMV, janë shpallur dy thirrje për mbështetje të kompanive mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe për zejtarët

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot në një konferencë për media informoi se Ministria e Ekonomisë në përputhje me Programin për Zhvillimin e Ndërmarrësisë dhe Konkurrueshmërisë së Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme për vitin 2022 shpalli dy thirrje publike për mbështetje të kompanive vendore, transmeton Portalb.mk.

“Janë publikuar thirrjet publike për subvencionimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme dhe subvencionimi i zejtarëve, që do të zgjasin deri më 6 maj të vitit 2022, respektivisht një muaj. Mbështetja nga Ministria e Ekonomisë që është parashikuar për kompanitë vendore përmes këtyre dy thirrjeve publike është gjithsej 56 milionë denarë, respektivisht përafërsisht një milion euro. Me këtë rast, gjithsej 50 milionë denarë janë parashikuar për subvencionimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme ose rreth 800 mijë euro dhe 6 milionë denarë për mbështetjen e zejtarëve ose 100 mijë euro”, tha Bekteshi.

Siç informoi ministri Bekteshi, kushtet e thirrjes publike për subvencionimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme parashikojnë të punësojnë së paku tre persona, respektivisht së paku dy persona nëse aplikanti është ndërmarrje në pronësi dhe i drejtuar nga grua, ndërsa do të bashkëfinancohen 30 për qind e shpenzimeve të dëshmuara të bëra për blerjen e makinave të nevojshme për procesin e prodhimit, por jo më shumë se 200.000 denarë për kërkues.

“Në përputhje me Thirrjen publike për subvencionimin e zejtarëve dhe ushtruesve të veprimtarisë zejtare, do të bashkëfinancohen 40 për qind shpenzimeve të dëshmuara të bëra për blerjen e makinave dhe veglave të dedikuara për punë, që janë bërë gjatë viteve 2021 dhe 2022, por jo më shumë se 100.000 denarë për kërkues”, bëri të ditur ministri Bekteshi, duke shtuar se për të dyja thirrjet publike, në përputhje me kushtet, do të subvencionohen shpenzimet e dëshmuara të kompanive për blerjen e makinave të bëra në vitet 2021 dhe 2022 për kompanitë që i përmbushin kushtet si vijon:

  • të jenë kompani me kapital shumicë vendor
  • nuk kanë marrë ndihmë shtetërore
  • në tre vitet e fundit nuk janë subvencionuar përmes thirrjeve publike nga programi AKIS i Ministrisë së Ekonomisë
  • të jenë themeluar së paku një vit para shpalljes së thirrjes publike
  • të mos kenë punuar me humbje në vitin 2021
  • t’i kenë të shlyera të gjitha detyrimet ndaj shtetit
  • të mos jetë nisur procedurë e falimentimit për ta dhe të jenë nga veprimtaria – Industri e përpunimit

“Mjetet që janë në dispozicion të dy Thirrjeve publike do t’u shpërndahen të gjithë aplikantëve që do t’i përmbushin kushtet sipas parimit Zhvillim i barabartë rajonal. Kjo do të thotë se aplikantët krahas shumës për bashkëfinancim të përcaktuar në Thirrjen publike do të marrin mbështetje plotësuese financiare varësisht nga rajoni i planifikimit ku gjendet selia e aplikantit, që do të përllogaritet në bazë të dallimit procentual mes rajonit të planifikimit me vlerë më të lartë të PBB-së për kokë banori dhe vlerës së PBB-së për kokë banori të rajonit të planifikimit në të cilin gjendet selia e kërkuesit të mbështetjes financiare”, deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Kushtet e të dy thirrjeve publike do t’i gjeni në këtë dhe këtë link.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button