Shkup, të premten do të organizohet punëtori feministe – “Solidariteti përmes mentorimit”

Rrjeti i mentorimit të grave “Stella” organizon punëtorinë feministe me titull “Solidariteti përmes mentorimit” e cila do të mbahet të premten (08.04.2022) duke filluar nga ora 16:00 në ambientet e MladiHub në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për punëtori, e cila do të përfshijë krijimin e praktikave feministe përmes mentorimit, shkrimit dhe bashkëpunimit. E njëjta do të jetë me qasje interaktive, gjegjësisht do të zhvillohet në gjuhën maqedonase dhe shqipe.

“Shoqëritë mund të mësojnë nga lëvizjet e ndryshme feministe në mbarë botën dhe të zbatojnë perspektivat e tyre në shtëpi. Feminizmi transnacional kontribuon në krijimin e zgjidhjeve kolektive për t’u marrë me padrejtësinë dhe diskriminimin strukturor. Metodat feministe ndërkufitare ofrojnë vende për bashkëpunim, solidaritet global – dhe më e rëndësishmja për shembuj krahasues ndërkufitarë që mund të përdoren globalisht për të përmirësuar zbatimin e politikave që çojnë në barazi gjinore. Lëvizjet feministe në mbarë botën kanë fituar beteja të rëndësishme kundër strukturave patriarkale, raciste dhe kapitaliste, por lufta vazhdon”, thuhet në njoftimin për punëtorinë.

Në agjendë janë vendosur disa tema leksionesh edhe atë:

  • Feminizmi transnacional dhe praktika feministe, për të cilën do të flasë Sara Milenkovska;
  • Mentorimi, solidariteti dhe bashkëpunimi, për të cilin so të shpjegojnë Vlora Reçica dhe Gordana Kolova;
  • Shkrimi feminist për të cilin është përgjegjëse Elena Gagovska.

Të gjithë të interesuarit mund të paraqiten duke plotësuar formularin vijues.

Organizata qytetare “Stella” është formuar nga një grup entuziastësh dhe ka për qëllim të përmirësojë aksesin në arsimin e lartë dhe fuqizimin ekonomik për gratë dhe vajzat në Maqedoninë e Veriut. Duke ofruar udhëzime dhe këshilla përmes Rrjetit të mentorimit të grave, gratë e mentoruara nga Stella mbështeten përmes mentorimit individual në ndjekjen e studimeve të mëtejshme dhe/ose punëve që u përshtaten më së miri interesave të tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button