RMV, trenat e kanë thyer rekordin negativ për transportim të udhëtarëve (Infografik)

Transporti hekurudhor në Maqedoni edhe në vitin 2021 vazhdon të thyej rekorde negative, në lidhje me transportimin e numrit të udhëtarëve. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, me trena vjet kanë udhëtuar vetëm 252.000 udhëtarë, që është numër më i vogël se në vitin 2020 dhe paraqet rezultatin më të dobët në historinë e ekzistimit të Hekurudhave të Maqedonisë, njofton Meta.mk.

Mjeti më ekologjik dhe më i lirë për transport masiv të udhëtarëve në vend po përjeton rënie të madhe pas fillimit të pandemisë së COVID-19 në vitin 2020 për shkak të kufizimeve të lëvizjes së popullatës me orët policore dhe frikës së qytetarëve nga shpërndarja e koronavirusit nëpërmjet shfrytëzimit të transportit publik.

Megjithatë, Met.mk, tanimë një kohë të gjatë shkruan se transporti hekurudhor për udhëtarë në vend po bie në vazhdimësi, që vjen si pasojë e  zvogëlimit të numrit të trenave për udhëtarë që qarkullojnë në vend, por edhe të ankesave të qytetarëve për shkak të shfuqizimit të biletave falas, vonesave të trenave, papastërtisë dhe ekzistimit të alternativave të udhëtimit, me taksi apo autobus.

Kështu që, përpara një dekade, në vitin 2011 me tren për udhëtarë në Maqedoni janë transportuar mbi 1.4 milionë udhëtarë ose gjashtë herë më shumë se sa sot. Nëse kthehemi mbrapa në periudhën prej rënies së Jugosllavisë, me tren janë transportuar mesatarisht prej 5 deri në 7 milionë udhëtarë në vit. Megjithatë, pas rënies së Federatës, Maqedonia ka arritur ta mbajë numrin e udhëtarëve në rreth 1 milion në vit në periudhën deri në vitin 2015, prej kur numrat fillojnë të bien.

Të dhënat statistikore tregojnë se vjet në komunikacionin hekurudhor ndërkombëtar nuk është transportuar asnjë udhëtar, që është rezultat i mosqarkullimit të trenave drejt Prishtinës, Selanikut dhe Beogradit. Në tremujorin e katërt të vitit 2021, me tren kanë udhëtuar vetëm 64.000 udhëtarë, që është numër identik në krahasim me fundvitin e vitit 2020.

Arsye për uljen e numrit të udhëtarëve është edhe mosmirëmbajtja e orarit që vet Hekurudhat e RMV-Transport e kanë punuar. Prej majit të vitit 2021 nuk qarkullojnë trenat për udhëtarë në relacionin Shkup-Kërçovë-Shkup dhe Shkup-Koçan-Shkup, derisa prej marsit të vitit 2020 nuk funksionon as treni i shpejtë në relacion Shkup-Prishtinë-Shkup. Edhe përskaj se janë shkruar në orarin e qarkullimit për vitin 2022, tani për tani nuk ka informata nga ndërmarrja hekurudhore se kur do t’i lëshojnë në funksion këto linja.

Për dallim nga rënia e përdorimit të transportit hekurudhor në RMV, në BE hekurudha ngadalë-ngadalë po rikthehet në numrat e transportit të udhëtarëve prej para se të fillojë pandemia e COVID-19. Të dhënat nga Eurostat për tremujorin e tretë të vitit 2021, tregojnë rritje të ndjeshme të numrit të udhëtarëve të transportuar në krahasim me tremujorin e vitit 2020, gjatë së cilës rritje të më të madhe të udhëtarëve prej 45% është regjistruar në Slloveni.

Të dhënat statistikore evropiane thonë se madje në 20 vende-anëtare të BE-së ka pasur rritje të numrit të transportimit të udhëtarëve me trena, derisa vetëm në tre vende (Çeki, Kroaci dhe Letoni) në tremujorin e tretë është regjistruar ulje e shfrytëzimit të transportit hekurudhor nga ana e qytetarëve. Rezultate të jashtëzakonshme në tremujorin e tretë 2021 kanë Italia me mbi 29.2 milionë dhe Spanja me 22.3 milionë udhëtarë shtesë të transportuar në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2020.

Madje edhe Greqia dhe Bullgaria fqinje kanë regjistruar rritje të numrit të udhëtarëve. Fqinji jonë jugor ka pasur 28.000 udhëtarë më shumë nëpër trena, derisa te hekurudhat e Bullgarisë është shënuar rritje e numrit të udhëtarëve të transportuar për 225.000.

“Të dhënat tregojnë se numri i udhëtarëve edhe më tej është nën nivelin prej pandemisë së COVID-19 në tremujorin e tretë të vitit 2019, por ekzistojnë indikacione për përmirësimin gradual në këtë sektor”, thonë nga Eurostat.

Rikthehemi në Maqedoninë e Veriut, ku një pjesë e opinionit, siç është Kuvendi Studentor në “Shën Kirili dhe Metodi” nga Shkupi, tanimë disa muaj kërkojë rikthim të përfitimeve të shfuqizuara për studentët, siç janë biletat falas për tren. Ata nga pushteti qendror kanë kërkuar t’u kthehet e drejta për transport hekurudhor falas e cila u shfuqizua me vendim qeveritar në fillim të pandemisë, në mars të vitit 2020.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button