Debati për ndryshimet klimatike: Të mos harrojmë mjedisin jetësor për shkak të ngjarjeve të përditshme politike

“Nëse 20 vjet më parë ishte problem të flasim për ndryshimet klimatike, sot po debatojmë për këtë temë. Duhet të shpresojmë se vetëdija do të ndikojë në parandalimin e degradimit më të madh të mjedisit jetësor”, tha moderatorja Milla Jovanovska nga organizata “Bëhu i Gjelbër” në eko-debatin e dytë radhazi në temë  ndryshimet klimatike, i cili u mbajt në kuadër të ekspozitës “Tigrat rozë dhe hardhucat e arta dhe çfarë jo tjetër” në rezidencën e Bashkimit Evropian në Shkup, transmeton Portalb.mk.

“Marrëveshja e Gjelbër Evropiane: më shumë se ndryshime klimatike” ishte tema e dytë e debateve që do të realizohet në tre muajt e ardhshëm nga Delegacioni i BE-së në bashkëpunim me Galerinë “Akantus”. Ndryshimet klimatike dhe çka të bëhet pas tyre – ishte fokusi i bisedimeve, këtë herë të frymëzuara nga vepra “Beyond: Reptiles 2021” të artistit të njohur Velimir Zhernovski, një nga gjashtë autorët e përfshirë në ekspozitën që do të qëndrojë hapur në rezidencë deri më 20 maj.

Në debat morën pjesë studentë nga universitetet shtetërore dhe private në vend, Ana Çolloviq-Leshoska nga Qendra për hulumtime dhe informim mjedisor “Eko-vetëdija” (Eko svest) nga Shkupi, Bojana Stanojevska-Pecurovska nga Qendra për ndryshime klimatike, Gent Salihi, ambasadori i ri evropian i iniciativës së BE-së, ndërsa nikoqir ishin ambasadori i BE-së Dejvid Gir dhe Pol Buskot.

“Ndryshimet klimatike si temë nuk janë përfaqësuar deri më tani në sistemin arsimor, kurse vendnumërimi rreth kësaj çështjeje është shkaku i faktit se mungon vullneti politik”, tha Azis Sulejmani nga Tetova, student në Fakultetin Juridik në Shkup. Kësaj iu bashkëngjit Ankica Sokoliq, studente në Fakultetin e Makinerisë në Shkup, e cila tha se lëndët në fakultete nuk janë përditësuar me vite.

Përfaqësuesit e institucioneve dhe sektorit joqeveritar hapën një debat konstruktiv për situatën në nivel lokal dhe atë qendror në vend, për atë se çfarë bëjnë organizatat e shoqërisë civile, cilat janë detyrimet ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe konventat që ka vendi ynë i ka ratifikuar.

“Kemi nevojë për infrastrukturë – ndarje administrative, obligime të deleguara, punësim të stafit të aftësuar në këtë fushë në nivel kombëtar dhe lokal. Dhe më e rëndësishmja, shteti të vendosë që Agjenda e Gjelbër është prioriteti i tij, për të krijuar politika të mençura të bazuara në shkencë. Le të mos imagjinojmë dëshira që vetëm do t’i hedhim në letër dhe të mbeten aty, por të vlerësojmë realisht situatën dhe të krijojmë politika që do të jenë të qëndrueshme. Jemi të vetëdijshëm për dobësitë”, tha Teodora Grnçarovska, këshilltare shtetërore në MMJPH.

Euro-ambasadori Gir i përshëndeti të pranishmit dhe tha se ngjarjet politike ditore në botë janë të rëndësishme, por ato nuk duhet të na shpërqendrojnë nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet njerëzimi – ndryshimet klimatike, degradimi i mjedisit jetësor dhe kolapsi i biodiversitetit.

“Prandaj, duke e përdorur mediumin e artit, le të flasim për aspektet e ndryshme që kanë të bëjnë me këto sfida,” ishte porosia nga Gir.

Në eko-debatin u prezantua edhe plani i shoqatës “Eko-vetëdija”, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë dhe Nature Conservancy, të cilët tashmë janë duke punuar në krijimin e hartave GIF që do të përcaktojnë vendet më të përshtatshme për instalimin e fotovoltaikëve dhe mullinjve me erë. Hapi tjetër është krijimi i hartave GIF për tokat djerrinë dhe kjo iniciativë u cilësua si e shkëlqyer nga Grnçarovska.

Njëri nga nikoqirët e debatit, Pol Buskot, ua prezantoi të pranishmëve ekspozitën si dhe i prezantoi individualisht punimet nga Zhernovski, Maja Kirovska, Vana Urosheviq dhe Zoran Todoviq (projekt i përbashkët), Nenad Tonkin dhe Uzbek Ajvaz. Theksi ishte në instilacionin e Zhernovskit – printim 3D i punuar prej materialit akrilik dhe gjetheve të arta. Instalacioni ka qasje ikonografike dhe rendit paraqitjet surrealiste të hardhucave të llojit leopardi geko. Hardhucat e prezantuara janë produkt i ripërdorimit të materialeve nga mbetjet plastike dhe gjethet e misrit. Të vendosura në një sfond të zi, në formë rrethi, ato e përfaqësojnë pafundësinë matematikore.

Kuratorja e ekspozitës, Diana Tomiq – Radevska sqaroi se të gjithë artistët e përfaqësuar në ekspozitë për një kohë të gjatë në punën e tyre merren me çështje që kanë të bëjnë me planetin, mjedisin e shëndetshëm, ndryshimet klimatike. Punimet aktuale janë rezultat i kërkimeve të tyre të mëparshme artistike.

Hardhucat dhe aftësia e tyre për rigjenerim janë një sekret që shkencëtarët ende nuk e kanë zbuluar. Ekspozita është thirrje për të imagjinuar se çfarë kemi bërë, kush jemi ne, speciet superiore të Tokës dhe si i kemi harruar ligjet e natyrës? “Po e djegim bibliotekën e jetës”, theksoi Tomiq-Radevska.

“Tigrat rozë dhe hardhuca ari dhe çfarë jo tjetër” fokusohet në parandalimin e kolapsit të biodiversitetit, i cili është ndër objektivat bazë të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, që ka qëllim të qartë – Evropën neutrale ndaj klimës dhe më të qëndrueshme deri në vitin 2050.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button