Gripi shkaktoi 560 mijë shpendë të ngordhur në Shqipëri

Asnjë vatër e re me gripin e shpendëve nuk është regjistruar në Shqipëri prej 31 Marsit. Groposja e më shumë se 500 000 pulave ka përfunduar, ndërkohë që sipas zv/Ministres së Bujqësisë, Ermira Gjeçi, 11 vatra mbeten ende aktive në vend, raporton Klan.

“11 vatra janë aktive, të vogla, të lokalizuara, sa i përket pulave të ngordhura janë 560 mijë në total. Pjesa dërrmuese ka qenë tek 2 stabilimentet e konfirmuara në Durrës”.

Sipas saj, në asnjë prej fermave që tregojnë mishin e pulës nuk janë konstatuar infektime.

“Infektimet kanë ndodhur tek stabilimente që prodhojnë vezë, në Durrës. Stabilimentet për mish janë të pastra dhe nuk kemi asnjë dyshim për 65 fermat që ndodhen në territorin e vendit”.

Sipas zv/Ministres nuk ka asnjë provë se ky grip i rrezikon njerëzit nëse konsumojnë produktet e shpendëve.

“Nuk ka asnjë rast në botë që konfirmohet infektimi i qenieve njerëzore nga produktet e shpendëve, mishi apo vezët”.

Përveç pulave në Shqipëri janë prekur nga gripi i shpendëve edhe pelikanët, 4 prej të cilëve të konfirmuar në Korçë dhe Divjakë. Ekspertët dyshojnë se pikërisht migrimi i tyre në këtë periudhë të pranverës ka ndikuar në përhapjen e virusit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button