Funksionarët e RMV-së me rastin e ditës së NATO-s: Qëndrojmë krah për krah me aleatët tanë

Sot, më 4 prill, shënohet dita e themelimit të aleancës veriatlantike NATO-s. Funksionarët e vendit kanë dërguar mesazhe të ndryshme që lidhen me NATO-n. Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, mori pjesë në debatin i cili u organizua me rastin e kësaj dite nga Këshilli Euroatlantik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Më 27 mars 2020, dokumenti origjinal i ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në NATO u dorëzua në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, duke e bërë vendin tonë anëtar të Aleancës. Që atëherë ne kemi qenë pjesë e barabartë e aleancës ushtarake më të fuqishme në botë të ndërtuar dhe bazuar në vlerat më të larta civilizuese demokratike. Vendi ynë është faktor për stabilitet dhe siguri në rajon, në të cilin qytetarët kanë një të ardhme të sigurt”, deklaroi Kovaçevski.

Dimitar Kovaçevski, foto: Qeveria e RMV-së
Dimitar Kovaçevski, foto: Qeveria e RMV-së

NATO, shtoi Kovaçevski si aleancë ushtarake është e përkushtuar për avancimin e sistemit të përbashkët të sigurisë kolektive. Kjo është arsyeja pse ne e vlerësuam agresionin ushtarak rus në Ukrainë si të paprovokuar dhe të pajustifikuar, por edhe si shkelje serioze e ligjit ndërkombëtar dhe një kërcënim brutal për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, deklaroi ai.

“I bëmë thirrje Rusisë që të ndërpresë menjëherë armiqësitë dhe të tërheqë të gjitha trupat dhe objektet ushtarake nga Ukraina. Përshëndesim mbrojtjen e guximshme të qytetarëve të Ukrainës, të cilët me guxim të madh mbrojtën lirinë dhe sovranitetin e tyre dhe të drejtën e tyre për të zgjedhur lirisht orientimin e tyre të politikës së jashtme dhe marrëveshjet e sigurisë. Do të shfrytëzoj rastin të theksoj pozicionin tonë: ne qëndrojmë fuqishëm në dënimin e invazionit rus ndaj Ukrainës i cili është i paligjshëm dhe jolegjitim si dhe e admirojmë trimërinë e popullit ukrainas me të cilin ata po e mbrojnë vendin e tyre, sovranitetin dhe integritetin e tyre territorial.  Ne e mbështesim plotësisht parimin themelor që të gjitha vendet kanë të drejtë të zgjedhin rrugën e tyre, prioritetet e tyre të politikës së jashtme dhe sigurisht, marrëveshjet e sigurisë”, u shpreh kryeministri.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani deklaroi se anëtarësimi në NATO paraqet një marrëdhënie reciproke të dobishme. Në rastin tonë, prej një shfrytëzuesi të sigurisë, tha ai, shndërrohemi në një vend që prodhon siguri.

“Anëtarësimi ynë në Aleancë paraqet një kontribut konkret në ndërtimin e një rajoni të qëndrueshëm dhe të sigurt, sidomos në rrethanat në të cilat, jo vetëm rajoni ynë, por e gjithë zona euroatlantike ballafaqohet me situatën e sigurisë, e cila vazhdimisht ndryshon dhe të cilën e karakterizojnë situata të paparashikueshme, gjë që ndikon drejtpërsëdrejti dhe paraqet sfidë për zhvillimin e mëtejmë të shoqërive tona. Si anëtare e 30-të e Aleancës, Maqedonia e Veriut nuk paraqet vetëm faktor qëndrueshmërie në rajon, por edhe nxitje për vendet që ndodhen në fqinjësinë tonë, të cilat kanë vullnet dhe janë të përgatitur t’i mbrojnë vlerat dhe objektivat euroatlantike të përbashkëta”, deklaroi Osmani.

Bujar Osmani, Dita e NATO-s, foto MPJ
Bujar Osmani, Dita e NATO-s, foto MPJ

Ndërkohë, duke folur për rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt NATO-s, ministrja e mbrojtjes Sllavjanka Petrovska theksoi se i kemi tejkaluar të gjitha bllokadat drejt qëllimit strategjik dhe nuk e kemi humbur ambicien për të qenë edhe më të mirë pas kalimit të pragut të NATO-s. Maqedonia e Veriut, tha Petrovska, është rekordmene në shpejtësinë me të cilën e përfundoi procesin e integrimit ushtarak në Aleancë vetëm për 19 muaj pas anëtarësimit.

Aleanca, u shpreh Petrovska, është thelbësore për sigurinë e zonës euroatlantike.

“Sot, ne dhe familja jonë transatlantike po përballemi edhe një herë me sfida serioze, po përballemi me një luftë dhe agresion të pamëshirshëm në terrenin e kontinentit evropian që po prish rendin e vendosur ndërkombëtar dhe arkitekturën e sigurisë. Duke festuar 73-vjetorin e themelimit të NATO-s, duhet të kujtojmë se së bashku me 29 aleatët e tjerë qëndrojmë të bashkuar dhe të vendosur në angazhimin tonë për ruajtjen e sigurisë evropiane dhe transatlantike, veçanërisht në kontekstin e asaj që po ndodh me ne sot”, u shpreh Petrovska.

Sllavjanka Petrovska
Sllavjanka Petrovska

Ambasadorja e SHBA-së, Kate Burns, në një video-fjalim video tha se ndërsa agresioni i pajustifikuar i Rusisë në Ukrainë zgjerohet dhe kërcënon sigurinë rajonale, mund të shihet rëndësia e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO si për vendin ashtu edhe për Evropën.

“Duke qëndruar krah për krah në solidaritet me fqinjët dhe aleatët tanë, të vendosur në përkushtimin e saj për paqen dhe sigurinë për të gjithë Evropën përmes mjeteve diplomatike dhe ushtarake – Maqedonia e Veriut është shembull i frymës së kësaj aleance mbrojtëse që u krijua 73 vjet më parë. NATO është aleancë veprash dhe fjalësh. Maqedonia e Veriut vazhdon të përmbushë premtimin e saj për të përmbushur angazhimin e saj për të investuar në mbrojtjen e Uellsit deri në vitin 2024 dhe për të luajtur një rol të madh në ofrimin e stërvitjeve të nevojshme shumëkombëshe,” tha ambasadori Burns.

Nga ana tjetër, ambasadorja britanike në Shkup Rejçell Gallouej, deklaroi se që nga pranimi i Maqedonisë së Veriut në NATO dy vjet më parë, Mbretëria e Bashkuar ka punuar ngushtë me Ushtrinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për ta mbështetur atë në realizimin e caqeve për aftësi të përcaktuara nga NATO.

“Puna jonë ka parë vendosjen e rregullt të ekipeve për trajnime afatshkurtra për të këshilluar lidhur me taktikat e këmbësorisë dhe zhvillimin e udhëheqësisë. Këshilltari ynë për Transformim është vendosur në Ministrinë e Mbrojtjes për të këshilluar mbi proceset dhe ndërveprueshmërinë e NATO-s. Vitin e fundit, kemi krijuar një qelizë koordinuese për trajnime në Shkup për të afruar dhe optimizuar mbështetjen tonë për trajnim”, tha Gallouej.

Ndryshe, NATO është blloku perëndimor ushtarak. Kjo organizatë u themelua me firmosjen e Traktatit Atlantiko-Verior më 4 prill 1949 me qendër në Bruksel. Organizata ka themeluar një sistem mbrojtjeje kolektiv ku vendet anëtare bien dakord të mbrojnë njëra-tjetrën në rast sulmi nga një palë e jashtme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button