Ambasadorja Galloway me rastin e 4 prillit – Ditës së NATO-s: Maqedoninë e kemi mbështetur që nga anëtarësimi

Ambasadorja britanike në Shkup Rejçell Gallouej, me rastin e shënimit të 4 prillit Ditës së NATO-s, deklaroi se që nga pranimi i Maqedonisë së Veriut në NATO dy vjet më parë, Mbretëria e Bashkuar ka punuar ngushtë me Ushtrinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për ta mbështetur atë në realizimin e caqeve për aftësi të përcaktuara nga NATO, transmeton Portalb.mk.

“Puna jonë ka parë vendosjen e rregullt të ekipeve për trajnime afatshkurtra për të këshilluar lidhur me taktikat e këmbësorisë dhe zhvillimin e udhëheqësisë. Këshilltari ynë për Transformim është vendosur në Ministrinë e Mbrojtjes për të këshilluar mbi proceset dhe ndërveprueshmërinë e NATO-s. Vitin e fundit, kemi krijuar një qelizë koordinuese për trajnime në Shkup për të afruar dhe optimizuar mbështetjen tonë për trajnim”, tha Gallouej.

Më tutje Gallouej thotë se kanë siguruar donacione për sisteme të avancuara të fjetjes, ndërsa në muajt në vijim do të dorëzojnë caqe elektronike të reja dhe ndërtesë të përkohshme për trajnime urbane dhe hibride në Zonën e trajnimeve në Krivollak.

“Po punojmë ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes, Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Aleatët tanë në NATO në përgatitjen e ushtrimit Swift Response 22, e cila përfshin mbi 4000 anëtarë nga shtatë Aleatë të NATO-s duke përfshirë dhe Maqedoninë e Veriut, Mbretërinë e Bashkuar, ShBA-në, Italinë, Francën, Malin e Zi dhe Shqipërinë ndërsa është njëra nga ushtrimet më të mëdha ushtarake e cila do të realizohet këtë pranverë në Zonën për trajnime në Krivollak”, deklaroi Gallouej.

Ndryshe, NATO është blloku perëndimor ushtarak. Kjo organizatë u themelua me firmosjen e Traktatit Atlantiko-Verior më 4 prill 1949 me qendër në Bruksel. Organizata ka themeluar një sistem mbrojtjeje kolektiv ku vendet anëtare bien dakord të mbrojnë njëra-tjetrën në rast sulmi nga një palë e jashtme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button