Të rinjtë dhe interneti: rreziqet, sfidat dhe siguria në botën e madhe kibernetike (Pjesa I)

Autor: Blerim Salihi

Nëse dikur qasja në rrjet ka qenë një luks dhe nevojë vetëm për një grup të caktuar profesionistësh, sot është një nevojë e pashmangshme e kohës. Me përhapjen e pandemisë, izolimin për vetë-mbrojte u rrit edhe koha që të rinjtë kalojnë pranë ekraneve të “pajisjeve të mençura” si nevojë e pashmangshme për të mos stagnuar në procesin edukativo-arsimor, transmeton Portalb.mk.

Edhe pa pandeminë në kornizë, interneti, rrjetet dhe bota virtuale në përgjithësi janë një realitet i pashmangshëm në përditshmërinë tonë që dita-ditës bëhet më e varur nga shërbimet dhe produktet kibernetike. Sipas të dhënave nga Banka Botërore 56.7% nga popullata e përgjithshme në botë shfrytëzon internet në nivel ditor. Sipas të dhënave nga UNICEF dhe Unionit Ndërkombëtar të telekomunikimeve në nivel global 33% e përdoruesve të internetit janë fëmijë dhe adoleshent.

Sot interneti është më i qasshëm se asnjëherë më parë. Përhapje me të madhe e mundësive për konektim, krijon edhe mundësi të mira për fëmijët dhe të rinjtë për të pasur qasje në dituri, kulturë, mundësi të reja, miqësi të reja, shkëmbim idesh dhe opinionesh, përtej dimensioneve të kufijve fizik. Por kjo gjithashtu vjen edhe me pasoja të caktuara, siç janë dhuna, gjuha e urrejtjes, eksploatimi dhe bullizmi.

Për të kuptuar më tepër rreth asaj si të rinjtë sot shfrytëzojnë internetin, sa të sigurt janë ata në botën virtuale dhe si ky realitet paralel ndikon në shëndetin mendor të tyre, ekspertët e fushave përkatëse na tregojnë më tepër rreth fenomenit “virtualitet” që tangon çdo ditë botën e gjeneratës Z (personat e lindur nga 1997 deri në 2012).

Siguria kibernetike, një realitet apo një mit – perspektiva e IT ekspertëve

Ekspertët nga fusha e teknologjisë së informacionit, shprehen të shqetësuar për sigurinë e të rinjve në rrjetet sociale dhe formën se si ata i përdorin këto rrjete.

Adrian Koxha është Inxhinier Kryesor i Softuerit për një kompani eminente Gjermane, ai theks të veçantë i vendon sjelljes së të rinjve online dhe praktikave të cilat ato shpesh i injorojnë dhe të cilat seriozisht mund të shkaktojnë probleme.

Adrian Koxha
Adrian Koxha

“Gjigantët e industrisë kibernetike gjithnjë punojnë për të krijuar një sistem më të qëndrueshëm dhe më të sigurtë, por shpesh ne si konsumatorë nuk i përqafojmë këto rekomandime në tentativë për të kursyer kohë ose për qasje më të shpejtë, sidomos të rinjtë. Shumë aplikacione rekomandojnë sot përdorimin e vërtetimit të identitetit përmes dy faktorëve (Two-factor-authentication), ose përdorimi i fjalëkalimeve me elemente të përziera (numra, shkronja, shenja…), shpesh ne i tejkalojmë këto procese për një qasje sa më të shpejtë. Të rinjtë janë gjithashtu shumë kurioz, dhe kjo mundëson edhe sulme të natyrës phishing – përmes klikiminit në linqe nga ku dashakeqësit vjedhin kredencialet tona të logimit përmes impresionizmit të faqeve që duken si Facebook apo Gmail. Nevoja për të pasur qasje të shpejt në rrjet shpesh i bën të rinjtë të jenë preh e asaj që njihet si “Man in the Middle Attack” ku përmes logimit tonë në rrjete publike për WiFi, ne i mundësojmë dashakeqësve të kenë qasje deri tek informatat tona private. Në këto raste gjithmonë duhet të përdorim një VPN”, sqaron ai.

Koxha gjithashtu shpreh shqetësimin edhe të fotografive dhe informacioneve që të rinjtë ndajnë nëpër rrjete duke u munduar të ndjekin trendet. Ku përmes fotografive shpalosin informacione personale, shpërndarja e fotografive që bartin informacione mbi lokacionin e realizimit dhe ngjashëm. Ai shprehet se të rinjtë duhet të tregohen tejet të kujdesshëm, sepse dashakeqët shpesh manipulojnë dhe keqpërdorin fotografitë për interesat e tyre personale.

Nurane Kuqi
Nurane Kuqi

Inxhinerja e softuerit, Nurane Kuqi, e cila për një kohë më të gjatë merret me tematikën e sigurisë kibernetike shprehet se hapësira kibernetike sot është një nga sfidat më të mëdha ligjore, e cila ka nxitur një formë tjetër të krimit. Sipas saj krimet kibernetike qe bëhen ndaj individëve dhe grupeve të individëve kane qellim të dëmtojnë reputacionin e viktimave ose të shkaktojnë dëmtime fizike, materiale dhe psikologjike.

“Ekziston një numër i madh i rreziqeve potenciale që rrezikojnë privatësinë dhe sigurinë e fëmijëve online. Fëmijët mund të jenë të ekspozuar ndaj materialeve të paligjshme, shpeshherë edhe pa e kuptuar se janë të paligjshme dhe të dëmshme për moshën e tyre. Duhet që të dhënat te ruhen dhe të jemi të kujdesshëm për çfarëdo informacioni që e shpërndajmë në internet sepse mund te kthehemi në viktima të mashtrimeve online”, tha Kuqi.

Eksperti i Inxhinierisë kompjuterike, Omer Salaj thotë se me prezencën e madhe virtuale të të rinjve, ato janë ekspozuar reziqeve kibernatike çdo ditë.

Omer Salaj
Omer Salaj

“Më shpesh bëhet fjalë për fishing (scaming) që në shumicën e rasteve manifestohet nëpërmjet shtojcave në email si dhe linqeve për shpërndarje. Të rinjtë duhet më tepër t’u kushtojnë vëmendje mesazheve direket (DM) sepse shumë lehtë munden të jenë viktimë e predatorëve seksual, mashtruesve dhe bullizmit. Që të parandalohet të ndodhin të gjithë këto, që dhe janë vështirë të shmangshme në një botë virtuale me përdorim të teknologjisë më të re, duhet që të rinjtë të edukohen vazhdimisht për sigurinë në internet, qoftë me trajnime të veçanta apo edhe të jetë lëndë detyruese nëpër sistemet edukative të shkollave sepse në këtë mënyrë të rinjtë do të dinë të identifikojnë rrezikun në internet, do të dinë si të sillen në internet dhe ç’është më e rëndësishme nëse vjen në situatë të pakëndshme ato do të dinë në çfarë mënyre të i përgjigjen dhe kujt ti drejtohen” tha Salaj.

Ai gjithashtu shtoi se një pjesë të përgjegjësisë për sigurinë e të rinjve në rrjet duhet të mbajnë edhe prindërit.

“Është e domosdoshme që të ndiqet aktiviteti i të rinjve në internet nga prindërit/kujdestarët e tyre. Gjithsesi, që të mos ndjehen të rinjtë se janë tejet të kontrolluar dhe që kjo mos ndikojë gabimisht në edukimin e tyre, një ndër zgjidhjet e rekomanduara për të mbrojtur të rinjtë në internet është përdorimi i programeve “kontrolli prindëror”. Këto programe mund të instalohen edhe në nivel të ruterëve dhe në këtë mënyrë të ndiqen aktivitetet e atyre që janë të lidhur në rrjet nëpërmjet atij ruteri”, shtoi Salaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button