ANALIZË: Bien kamatat për depozitat dhe për kreditë – kujdes i shtuar nga huamarrjet e reja! (Infografik)

Viti bankar 2022 filloi me një rënie të kamatave, si për depozitat ashtu edhe për kreditë. Kamatat e kursimeve mbeten nën 1%. Në dy muajt e parë të këtij viti, në bazë mujore, depozitat kanë shënuar rënie, ndërsa kreditimi ka rritje prej 0,9% në muajin shkurt. Të dhënat tregojnë se qytetarët dhe kompanitë po marrin hua me kujdes të shtuar – konfirmim për këtë ka edhe nga bankierët se në tremujorin e parë të vitit presin ulje të kërkesës për kredi nga kompanitë, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Kamatat e depozitave – 7,49 miliardë euro depozita kursimi qëndrojnë në banka…

Përqindja mesatare e kamatës për depozitat në janar 2022 ishte 0,71%. Kjo kamatë është më e ulëta që është matur në bazë mujore që nga janari i vitit 2021. Kamatat e kursimeve kanë qenë në rënie të vazhdueshme vitet e fundit – veçanërisht për depozitat e reja të firmave. Ulje ka edhe te kamatat për depozitat e qytetarëve.

Totali i depozitave në banka në muajin janar arriti në 7,49 miliardë euro, ndërsa në muajin e parë të këtij viti ishin në nivelin e 7,53 miliardë euro. Në muajt janar dhe shkurt, në baza mujore është shënuar rënie e bazës së depozitave, përkatësisht ulje e kursimit.

Infografik kamata

Konkretisht, në muajin shkurt, depozitat në baza mujore u ulën për 0,4%, ndërsa në janar për 0,8%, me një rënie më të theksuar të depozitave të sektorit të korporatave.

Vetëm te depozitat e sektorit të korporatave në janar u shënua një rënie prej 3,1%, ndërsa në shkurt për 2,5%. Sipas analizave të Bankës Popullore, rënia e depozitave vlerësohet ashtu siç pritej për muajin e parë të këtij viti.

“Totali i depozitave në sistemin financiar në janar të vitit 2022 shënoi një rënie mujore prej 0,8%, krahasuar me rritjen prej 2,5% në muajin paraprak, që është një lëvizje normale për këtë periudhë. Nga pikëpamja sektoriale, ndryshimi vjen si rezultat i zvogëlimit të depozitave të korporatave, duke pasur parasysh gjendjen pothuajse të pandryshuar të depozitave të amvisërive”, – thonë nga BPRM-ja.

Megjithatë, tendenca rënëse e bazës së depozitave vazhdoi edhe në muajin e dytë të vitit, ndërsa rënia te sektori i korporatave është pasojë e rënies së parave të depozituara, situatë kjo e pritshme në kushtet e krizës së vazhduar ekonomike, në të cilën kompanitë shpenzojnë nga depozitat e tyre për ruajtjen e punës, gjegjësisht të likuiditetit.  Megjithatë, në bazë vjetore, depozitat e përgjithshme shënuan rritje prej 6,1% në muajin shkurt.

Kamatat e kredive – rritje e kreditimit…

Në muajin shkurt, qytetarët dhe kompanitë si rezultat i kredive bankare kishin borxh prej 6,3 miliardë eurosh. Ndryshe nga janari, kur në bazë mujore ka stagnim të kreditimit, në muajin shkurt u regjistrua një rritje prej 0,9%. Në bazë vjetore, kreditimi në muajin shkurt pati një përqindje rritjeje prej 8,9%.

Përderisa kamatat për kursimet nuk mund të kalojnë 1% – përqindja mesatare e kamatës për kredi është 4,35%.

“Në janar të vitit 2022, përqindjet e kamatave në totalin e kredive për amvisëritë dhe ndërmarrjet nuk ndryshuan në krahasim me muajin paraprak dhe ishin, 5.2% dhe 3.5%, përkatësisht. Përqindjet e kamatës për kreditë e miratuara rishtazi për ndërmarrjet dhe amvisëritë janë rritur në krahasim me muajin paraprak dhe ishin 3.5% dhe 4.4%,respektivisht” – thonë nga BPRM-ja.

Edhe pse kamatat aktuale për kreditim konsiderohen të ulëta, qytetarët dhe kompanitë kanë marrë hua me kujdes në dy muajt e parë të vitit.

“Analizuar sipas qëllimit të kredive të miratuara për personat fizikë, kreditë konsumatore si kategori më e zakonshme janë rritur për 0,5% në bazë mujore, me një rritje vjetore prej 7,2%. Kreditë për banesa në shkurt shënuan rritje mujore dhe vjetore prej 1.1% dhe 15,5%, përkatësisht. Te kreditë për automobila, në muajin shkurt, është shënuar rënie mujore dhe vjetore prej 2,3% dhe 15,6%.

Kamata 4

Qytetarët tregohen të kujdesshëm edhe me huamarrjen përmes kartelave kreditore dhe bilanceve negative në llogaritë rrjedhëse – në baza vjetore dhe mujore kreditë e miratuara për kartelat kreditoret janë ulur për 0,9% në bazë mujore dhe 5,7% në bazë vjetore.  Sipas vlerësimeve të fundit të bankierëve, ata prisnin rritje të aktivitetit kreditues në tremujorin e parë të vitit, i cili tashmë ka përfunduar. Edhe pse pritje të ketë rritje të aktivitetit ekonomik këtë vit – parashikimet tani kanë rënë nën hijen e luftës në Ukrainë, krizës aktuale energjetike dhe inflacionit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button