RMV, Sindikata dhe Qeveria sot në raund të ri bisedimesh

Për sot, siç kishte paralajmëruar paraprakisht kryetari i Sindikatës për Arsim dhe Shkencë (SAShK), Jakim Nedelkov, është paraparë raundi i ri bisedimesh ndërmjet Sindikatës dhe Qeverisë për të negociuar harmonizimin e pagave në sektorin e arsimit, transmeton Portalb.mk.

Nedelkov thotë se vendimi për grevë në kopshte dhe shkolla, që duhet të fillojë më 11 prill, do të zgjasë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre për harmonizimin e pagës minimale me pagat tjera në sektorin e arsimit.

SASHK kërkon monitorim të rritjes në përqindje të pagës minimale, gjegjësisht rritjes së pagave për 18.4 për qind që pastaj të gjendet zgjidhje sistematike dhe të mos protestohet në të ardhmen sa herë që do të rritet paga minimale.

Ndër të tjera, për kryetarin e SASHK-ut është e papranueshme përmbushja e kërkesave të tyre me projektimin e Buxhetit për vitin 2023.

“Ne jemi për dialog. Këtë e kemi treguar dhe vërtetuar deri më tani. Prej para katër vitesh kërkuam që me rritjen e vazhdueshme të pagës minimale të harmonizohen edhe pagat e tjera. Kemi katër vite që kërkojmë të tejkalohet kjo situatë”, tha Nedelkov për TV Sitel.

Siç theksoi ai, deri më tani nuk kanë përgjigje konkrete nga Qeveria dhe ministritë resore, përveç se ka krizë dhe se në këtë moment është e vështirë t’u përgjigjen kërkesave të sindikatës.

Sipas kryetarit të SASHK-ut, propozimi për rritjen e pagave të Lidhjes së sindikatave të Maqedonisë (LSM) është amortizimi në situatën e krijuar dhe problemi nuk do të zgjidhet sistematikisht.

Kërkesat e Sindikatës janë si vijon:

  1. Harmonizim i marrëveshjes Kolektive me institucionet publike për fëmijë në veprimtarinë përkujdesje dhe edukim të fëmijëve parashkollor dhe në veprimtarinë pushim dhe rekreacion të fëmijëve, si dhe të marrëveshjeve kolektive për arsim fillor dhe atë të mesëm me rritjen e pagës minimale në nivel kombëtar në pajtim me nenin 8 të Ligjit për pagë minimale.
  2. Respektim i ligjeve dhe i marrëveshjes Kolektive për institucionet publike për fëmijë në veprimtarinë përkujdesje dhe edukim të fëmijëve të moshës parashkollore dhe në veprimtarinë pushim dhe rekreacion të fëmijëve në pjesën e: orarit të punës, praktikantëve, ngritjes nga pozita e ulët në pozitë të lartë të punës, respektim të normave për konstituimin e grupeve, mbajtjes së një ditari, avancimin të karrierës, etj.
  3. Harmonizim shtesë të pagave në arsimin fillor dhe atë të mesëm sipas marrëveshjeve kolektive, ku vlera e pagës minimale do të shumëzohet me koeficientin përkatës të kompleksitetit të vendit të punës
  4. Bërja e marrëveshjeve të reja kolektive për arsim fillor dhe të mesëm (të cilat janë në fazë të përpunimit përfundimtar), me të cilat do të rregullohen më shumë të drejta të punëtorëve edhe atë: kompensim për transportin e punëtorëve, pagesë shtesë për punën në paralele të kombinuara, pagesë shtesë për punën me nxënës me nevoja të kufizuara, pagesë shtesë për punë jashtë orari, kompensim apo regresin për pushim vjetor, përcaktim i fondit të orëve për mësimdhënësit dhe mësimin praktik në përputhshmëri me ligjin, rregullim i statutit të kontabilistëve, koordinatorëve të IB programeve, asistentëve arsimor, mjekëve në shkolla dhe të tjerë.

Sindikata ka sqaruar që në këtë grevë mund të bashkëngjiten edhe personat që nuk janë anëtarë të sindikatës, por me këtë duhet të njoftohet drejtori i sindikatës dhe institucionet, atëherë do të kenë të drejta dhe detyrime të njëjta si anëtarët e Sindikatës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button