Dita 40: Pas vrasjes së civilëve në Buça, Franca, Gjermania, Lituania dhe Letonia filluan të dëbojnë diplomatë rusë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka përshkruar pushtimin rus të vendit të tij si “torturë të të gjithë kombit”. Duke folur për CBS News të dielën, Zelensky tha se populli i Ukrainës nuk dëshiron t’i nënshtrohet Rusisë dhe si rezultat po shkatërrohet dhe shfaroset, raporton BBC. I pyetur drejtpërdrejt nëse veprimet e Rusisë përbëjnë gjenocid, ai tha: “Në të vërtetë, ky është gjenocid. Zhdukja e gjithë popullit dhe njerëzve. Ne jemi qytetarët e Ukrainës, kemi më shumë se 100 nacionalitete. “Kjo ka të bëjë me shkatërrimin dhe shfarosjen e të gjitha këtyre nacionaliteteve. Ndërkohë, në Buça janë vërejtur pamje të rënda të një burri me duart e lidhura pas shpine dhe plumb në kokë, një nga qindra banorë lokalë që zyrtarët thonë se janë gjetur të vdekur pas pesë javësh të pushtimit rus, transmeton Portalb.mk.

23:49 – Franca do t’i dëbojë rreth 35 diplomatët rusë

Franca është shteti i radhës që ka paralajmëruar dëbimin diplomatëve rusë. Ministria e Jashtme e Francës ka njoftuar se do të dëbojë shumë diplomatë rusë, raporton BBC të hënën.

Gjermania ka paralajmëruar më herët se do të dëbojë afro 40 diplomatë rusë, transmeton Koha.net.

“Veprimet e tyre janë kundër interesave tona nacionale. Kjo lëvizje është pjesë e iniciativës evropiane”, ka thënë Ministria e Jashtme e Francës.

Pritet që të dëbohen afro 35 diplomatë rusë që janë në Francë.

23:02 – Gjermania, Lituania dhe Letonia dëbojnë diplomatë rusë

Lituania tha se ka dëbuar ambasadorin rus në Vilnius dhe ka kërkuar ambasadori i saj në Moskë të kthehet në shtet, në përgjigje të raportimeve se forcat ruse kanë vrarë dhjetëra civilë në qytetin ukrainas, Buça.

“Lituania qëndron në solidaritet të plotë me Ukrainën dhe popullin ukrainas, të cilët janë viktimë e agresionit të paprecedent të Rusisë. Prandaj, ne po ulim nivelin e përfaqësimit diplomatik të Rusisë”, tha ministri i Jashtëm lituanez, Gabrielius Landsbergis.

“Fatkeqësisht, ajo që bota pa në Buça mund të jetë vetëm fillimi. Ne do të jemi në gjendje të gjejmë dëshmi të krimeve të tjera të luftës në qytete të tjera kur ato të çlirohen. Krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera nga forcat e armatosura ruse në Ukrainë nuk do të harrohen”, shtoi ai.

Fotografitë e publikuara kanë shfaqur trupat e disa civilëve të vrarë të cilët kanë pasur duart e lidhura pas shpine. Këto skena kanë shtuar thirrjet për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë dhe për ndjekjen penale të keqbërësve.

Pasi Lituania njoftoi për dëbimin e ambasadorit, Letonia tha se “po zvogëlon raportet diplomatike me Federatën Ruse” për shkak të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës dhe Qeveria gjermane shpalli 40 diplomatë rus si “persona të padëshiruar”, transmeton REL.

Ministria e Jashtme e Letonisë tha se do të japë më shumë detaje për këtë lëvizje pasi të kenë përfunduar “procedurat e brendshme”.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se Qeveria gjermane ka vendosur që të shpallë “një numër të madh të pjesëtarëve të Ambasadës ruse si persona të padëshiruar, pasi ata që kanë punuar çdo ditë në Gjermani kundër lirisë sonë dhe kundër kohezionit të shoqërisë sonë”, tha Baerbock.

“Kjo nuk do të tolerohet më”, shtoi ajo.

Vendimi i Berlinit i është bërë i ditur ambasadorit rus, Sergei Nethayev, i cili është thirrur në bisedë në Ministrinë e Jashtme, tha Baerbock. Personat e shpallur “non grata” do të kenë kohë pesë ditë që të largohen nga Gjermania.

Këta diplomatë dyshohet se janë pjesëtarë të shërbimeve të inteligjencës ruse.

22:05 – Shtetet e Bashkuara e kanë konfiskuar në Spanjë jahtin e oligarkut rus Viktor Vekselberg

Qeveria e Shteteve të Bashkuara konfiskoi të hënën në Spanjë një jaht madhështor në pronësi të një oligarku me lidhje të ngushta me presidentin rus. Kjo është lëvizja e parë e ndërmarrë në kuadrin e sanksioneve të qeverisë amerikane për të konfiskuar mjetet e mëdha detare dhe prona të tjera të kushtueshme që u përkasin elitave ruse.

Garda Civile e Spanjës dhe agjentë federalë amerikanë hipën në bordin e jahtit të rimorkuar në Marina Real, në portin Palma de Majorka, që shërben si qendra e Ishujve Balearikë të Spanjës në Detin Mesdhe. Gazetarët e agjensisë së lajmeve Associated Press panë nga afër në vendndodhje policinë që hynte dhe dilte nga jahti gjatë mëngjesit të së hënës, njofton Zëri i Amerikës.

Operacioni i përbashkët për konfiskimin e jahtit, me pjesëmarrje të Gardës Civile të Spanjës, FBI-së dhe hetuesve të Departamentit amerikan të Sigurisë, u zhvillua me kërkesën e autoriteteve amerikane, u shpreh Garda Civile e Spanjës.

Një burim në Gardën Civile i tha agjensisë së lajmeve Associated Press se jahti i ndaluar quhet Tango, është 78 metra i gjatë, mbart flamurin e Ishujve Cook, dhe vlerësohet në rreth 120 milionë dollarë, sipas Superyachtfan.com, një faqe në internet e specializuar për varkat më luksoze të botës. Personi që bisedoi me gazetarët kërkoi të ruhet anonimeti i tij, për shkak se nuk ishte i autorizuar për t’u cituar në artikuj të shtypit.

Jahti është ndër asetet e lidhura me Viktor Vekselbergun, një miliarder dhe aleat i ngushtë i Presidentit rus Vladimir Putin. Ai drejton Grupin Renova me seli në Moskë, një konglomerat i metalurgjisë, minierave, teknologjisë dhe aktivitete të tjera, sipas dokumentave të Departamentit amerikan të Thesarit. Të gjitha asetet e Vekselberg në Shtetet e Bashkuara janë tashmë të ngrira dhe kompanive amerikane u ndalohet të bëjnë biznes me të apo me entitetet e tij.

Megjithëse ndaj Vekselberg nuk janë vendosur sanksione nga Bashkimi Evropian, ai është nën hetim në Shtetet e Bashkuara për shmangie të mundshme të taksave, pastrim parash dhe falsifikim dokumentash me qëllim fshehjen e pronësisë së jahtit Tango, u shpreh në një deklaratë Garda Civile e Spanjës.

Kjo është hera e parë që qeveria amerikane ka konfiskuar jahtin e një oligarku që kur Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland dhe Sekretarja e Thesarit Janet Yellen krijuan grupin e punës REPO, për elitat ruse, palët e treta dhe oligarkët, në kuadrin e zbatimit të sanksioneve të vendosura pasi Rusia sulmoi Ukrainën në fund të shkurtit.

Vekselberg ka lidhje të hershme me Shtetet e Bashkuara. Ai ka patur për një periudhë kohore edhe kartën jeshile, dokumentin e qëndrimit të përhershëm në Shtetet e Bashkuara, si dhe shtëpi në Nju Jork dhe në Konektikat. Biznesmeni i lindur në Ukrainë krijoi pasurinë e tij nëpërmjet investimeve në industritë e aluminit dhe karburanteve gjatë epokën pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Vekselberg u mor në pyetje edhe gjatë hetimeve të prokurorit të posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 dhe ka punuar nga afër me kushëririn e tij amerikan, Andrew Intrater, i cili drejton firmën e investimeve Columbus Nova, në Nju Jork.

Vekselberg dhe Intrater u vendosën në qendër të vëmendjes gjatë hetimeve të prokurorit Mueller pasi avokati i aktores të filmave pornografikë Stormy Daniels publikoi një dokument ku pretendohej se për të siguruar heshtjen e saj, 500 mijë dollarë ishin transferuar nëpërmjet firmës Columbus Nova tek një kompani guackë e krijuar nga avokati personal i ish-Presidentit Donald Trump, Michael Cohen. Firma Columbus Nova mohoi që Vekselberg të ketë patur ndonjë rol në pagesat për Cohen.

Vekselberg dhe Intrater u takuan me Cohen në Kullën Trump, një ndërsa disa takime të zhvilluara mes anëtarëve të rrethit të brendshëm të ish-Presidentit Trump dhe përfaqësuesve të elitave ruse gjatë fushatës së vitit 2016 dhe tranizicionit të kalimit të pushtetit.

Manjati 64 vjeçar themeloi Grupin Renova mbi tre dekada më parë. Mes shumë investimeve të tjera, ky grup ka shumicën e aksioneve edhe në United Co. Rusal, kompania më e madhe ruse e prodhimit të aluminit.

Shtetet e Bashkuara i vendosën fillimisht sanksione Vekselberg në vitin 2018, dhe sërish në mars të këtij viti, pak pasi kishte filluar sulmi në Ukrainë. Ndaj Vekselberg janë vendosur aksione edhe nga autoritetet britanike.

Jahti lundron me flamurin e Ishujve Cook dhe është në pronësi të një kompanie të regjistruar në Ishujt britanikë Virgin dhe të administruar nga shoqëri të ndryshme në Panama, tha Garda Civile e Spanjës, “bazuar në një rrjet të komplikuar financiar dhe shoqëror për të fshehur pronësinë e vërtetë të tij”.

Agjentët konfiskuan dokumenta dhe kompjutera brenda jahtit, të cilat do të analizohen për të konfirmuar identitetin e vërtetë të pronarit të tij.

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka krijuar edhe një grup pune për zbatimin e ligjit, të njohur me emërtimin KleptoCapture, që gjithashtu synon të zbatojë në Shtetet e Bashkuara kufizimet financiare të vendosura ndaj Rusisë dhe miliarderëve të saj, në bashkëpunim me FBI-në, Departamentin e Thesarit dhe agjensi të tjera federale. Ky grup pune do të ketë në objektiv edhe institucionet financiare dhe entitetet që i kanë ndihmuar oligarkët të zhvendosin fondet me qëllim shmangien e sanksioneve.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se shumë vende aleate, ndër to Gjermania, Britania, Franca, Italia dhe të tjerë, po kontribuojnë për mbledhjen dhe shpërndarjen e informacionit për rusët ndaj të cilëve janë vendosur sanksione. Në fjalimin e tij për Gjendjen e Vendit, Presidenti Joe Biden i paralajmëroi oligarkët se Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate do të “gjejnë dhe konfiskojnë jahtet tuaja, apartamentet tuaja luksoze dhe avionët tuaj privatë”.

“Po vijmë për (t’jua hequr) përfitimet tuaja të padrejta”, tha ai.

Konfiskimi i së hënës nuk përfaqëson herën e parë që autoritetet spanjolle përfshihen në ndalimin e një jahti gjigand të oligarkëve rusë. Zyrtarët spanjollë thonë se kanë konfiskuar një mjet detar me vlerë mbi 140 milionë dollarë, në pronësi të drejtorit ekzekutiv të një konglomerati shtetëror në fushën e mbrojtjes, i cili është aleat i ngushtë i Presidentit rus Putin.

Autoritetet franceze kanë konfiskuar gjithashtu super-jahte, ndër të cilët njëri mendohet se i përket Igor Sechinit, një aleat i Putin që drejton gjigandin rus të karburanteve Rosneft, dhe i cili ka qenë në listën e sanksioneve amerikane që kur Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014.

Italia ka konfiskuar gjithashtu disa jahte dhe asete të tjera.

Policia financiare italiane veproi me shpejtësi duke konfiskuar jahtin “Lena”, në pronësi të Gennady Timchenkos, një oligark i afërt me Putin, në portin San Remo; jahtin “Lady M” në pronësi të Alexei Mordashov në afërsi të Imperias, të përbërë nga gjashtë suita dhe me një vlerë prej 65 milionë dollarësh; si dhe vilat në Toskanë dhe Komo, sipas njoftimeve të zyrtarëve italianë.

17:04 – Refugjatët ukrainas në shënjestër të trafikantëve të qenieve njerëzore

Sipas të dhënave të OKB-së, katër milionë njerëz janë larguar nga Ukraina, që nga fillimi i agresionit rus. Shumica dërrmuese janë gra dhe fëmijë – pjesë e popullatës, që janë veçanërisht të shënjestruar nga trafikantët e qenieve njerëzore.

Sipas të dhënave të fundit të OKB-së, një pjesë e madhe e refugjatëve ukrainas – kryesisht gra dhe fëmijë – shkuan në Poloni, pasi Rusia sulmoi Ukrainën. Shumë prej tyre kaluan ditë duke pritur për të kaluar kufirin.

“Është shumë e vështirë sigurisht. nuk di çfarë të them tjetër. Por ne nuk kemi zgjidhje, ne duhet të shpëtojmë fëmijët”, thotë Maria Viechnaya, refugjate nga Khersoni.

Që nga fillimi i agresionit të Rusisë, aktivistët e të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar refugjatët se mund të jenë në shënjestër të trafikantëve të qenieve njerëzore.

“Padyshim që rreziqet janë rritur kryesisht sepse gratë që kalojnë kufirin me fëmijë, e gjejnë veten në një pozitë jashtëzakonisht të pa mbrojtur – nga pikëpamja ekonomike dhe psikologjike; ato po largohen nga lufta. Njerëzit janë më të lehtë për t’u manipuluar kur janë në një gjendje të tillë”.

Aktivistja për të drejtat e njeriut Yuliya Anisova thotë se trafikimi i qenieve njerëzore zakonisht përfshin shfrytëzimin seksual dhe dhunën. Policia polake ka regjistruar tashmë dy raste të përdhunimeve mes refugjatëve. Vullnetarët po punojnë për të informuar gratë që mund të jenë në rrezik.

“Kemi parë burra duke fotografuar gra dhe vajza adoleshente. E kuptuam shumë shpejt se pas kësaj mund të qëndronin trafikantët e qenieve njerëzore”, thotë vullnetarja Lilian Boulard.

“Një grua nga rajoni i Kievit po kërkonte punë në Lviv. Ajo ra në kontakt me një person i cili i ofroi një punë si dado për një djalë 15-vjeçar. Pjesë e punës ishin shfrytëzimi seksual”, thotë Yulia Anisova.

Refugjatët rrezikojnë gjithashtu të shfrytëzohen në punë. Skema është shumë e thjeshtë: banesat mund të ofrohen falas në fillim, dhe sapo refugjatët mbërrijnë, zbulojnë se asgjë nuk është falas. Aktivistët e të drejtave të njeriut theksojnë se veprime të tilla janë të paligjshme.

“Nëse ka pritshmëri për punë, atëherë puna duhet paguar; kjo është shumë e rëndësishme. Për më tepër, nëse duhet të punosh në vendin ku jeton dhe i njëjti pronar kërkon që të punosh – si në hotel, në fermë apo kudo tjetër – është një tregues se duhet të jeni të vetëdijshme për një situatë delikate” thotë Madalina Mocan me organizatën ProTECT.

Gjysma e ukrainasve të zhvendosur janë fëmijë. Disa e kalojnë kufirin pa dokumenta, disa e kalojnë kufirin vetëm, pa prindër. Fëmijë të tillë rrezikojnë të përfundojnë me persona të dyshimtë – ose më keq.

“Personat që figurojnë të humbur janë rezultat i boshllëqeve në sistemin e mbrojtjes dhe këto boshllëqe janë të njëjtat çështje që tërheqin trafikantët”, thotë Aagje Ieven.

Organizata Missing Children Europe u kërkon refugjatëve të raportojnë menjëherë çdo fëmijë të humbur duke përdorur linjën e tyre telefonike.

Ata gjithashtu inkurajojnë të rriturit që të jenë vigjilentë – dhe nëse shohin një fëmijë që duket i humbur dhe i vetëm në rrugë, të lajmërojnë menjëherë autoritetet lokale. Gratë gjithashtu këshillohen se si të mos bëhen viktima të trafikantëve të qenieve njerëzore.

“Kërkoni dokumenta identifikimi, shikoni nëse kanë makinë nga organizata e tyre. Nëse kanë tendë me emrin e organizatës në kufi, që do të thotë se është një organizatë e sigurt”, thotë Andreea Bujor me organizatën World Vision.

Ekspertët këshillojnë gjithashtu refugjatët që të fotografojnë dokumente të rëndësishme në telefonin e tyre, të qëndrojnë në grup dhe të mbajnë në dorë numrin e telefonit të policisë në çdo vend ku hyjnë. Është gjithashtu e rëndësishme të kenë informacione kontakti për vullnetarët dhe grupet e ndihmës dhe të mbajnë kontakte me të afërmit dhe miqtë e ngushtë, në mënyrë që sa më shumë njerëz të dinë vendndodhjen e secilit refugjat.

15:17- BE takim urgjent për sanksione të reja ndaj Rusisë

Bashkimi Evropian bëri të ditur sot se do të shqyrtojë mundësinë e një raundi të ri sanksionesh ndaj Rusisë, pas njoftimeve për akte mizorie të kryera në qytetet ukrainase të pushtuara nga forcat ruse.

Në një deklaratë të Shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell thuhej se blloku do ta trajtojë këtë çështje me urgjencë.

Borrell tha se masakrat e kryera në qytetin e Buçës e në të tjera qytete të Ukrainës, do të futen në listën e mizorive të kryera në tokën evropiane.

Në deklaratë thuhej gjithashtu se BE-ja do të ofrojë ndihmë për prokurorët ukrainas të cilët po mbledhin dhe ruajnë provat e krimeve të luftës.

Bashkimi Evropian mbështet gjithashtu hetimet për krime lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe Komisioneri i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

Dje sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dënoi ashpër Rusinë duke e akuzuar atë për akte mizorie në Ukrainë,

Zoti Blinken niset drejt Brukselit për takime këtë javë me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, takime që synojnë të nënvizojë vendosmërinë e aleancës ushtarake për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për luftën në Ukrainë.

Në një postim në Twitter Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres shprehej thellësisht i tronditur nga imazhet e civilëve të vrarë në Buça të Ukrainës. Ai shkruante se është thelbësore që një hetim i pavarur të çojë në llogaridhënie efektive.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha të hënën se Bashkimi Evropian duhet të jetë i përgatitur për të vendosur më shumë sanksione ndaj Rusisë si përgjigje ndaj njoftimeve për vrasje të civilëve.

Kryeprokurorja e Ukrainës tha të dielën se autoritetet kanë gjetur 410 trupa brenda dhe përreth Kievit, gjatë një hetimi për krime të mundshme lufte të kryera nga Rusia. Por sipas agjencisë Reuters, Prokurorja e Përgjithshme Iryna Venedyktova ka shtuar se dëshmitarët do të intervistohen më vonë, pasi siç u shpreh ajo, ata janë shumë të traumatizuar nga ato që kanë parë.

Në një deklaratë të dielën ministria ruse e Mbrojtjes hodhi poshtë akuzat se ushtria ruse ishte përgjegjesë për vrasjen e civilëve në Buça dhe pretendoi se pamjet filmike dhe fotografitë e të vdekurve ishin një tjetër provokim nga Perëndimi. Rusia i kërkoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së të thërriste një takim të hënën për të diskutuar ato që i quajti veprime të radikalëve ukrainas në Buça.

Por Britania, e cila ka kryesinë e radhës së Këshillit të Sigurimit këtë muaj, njoftoi se nuk do të ketë takim të hënën dhe se çështja mund të diskutohet në takimin për Ukrainën të planifikuar për t’u mbajtur të martën.

14:58- SHBA-ja kërkon që Rusia të largohet nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut

Shtetet e Bashkuara po kërkojnë pezullimin e Rusisë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara, pas raportimeve se forcat ruse kanë vrarë dhjetëra civilë në qytetin ukrainas të Buças.

“Pjesëmarrja e Rusisë në Këshillin për të Drejta të Njeriut është farsë”, tha ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield.

Ajo po viziton Rumaninë për të parë se si ky shtet, që gjendet në kufi me Ukrainën, po përballet me valën e refugjatëve ukrainas.

“Është gjë e gabuar, prandaj ne besojmë se është koha që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të votojë për t’i larguar ata [rusët]”, tha ajo.

Largimi i Rusisë nga ky këshill, që ka selinë në Gjenevë, kërkon votat e të paktën dy të tretave të 193 anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme. Mocioni për largimin e një shteti nga ky këshill mund të merret parasysh nëse gjendet se shteti ka kryer shkelje sistematike të të drejtave të njeriut në kohën sa ka qenë anëtar i këshillit.

12:16 – Zelensky me video-mesazh në ‘Grammy’: Muzikantët tanë veshin jelekë antiplumb në vend të smokingëve

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky bëri një paraqitje në ceremoninë e 64-të vjetore të çmimeve Grammy të dielën mbrëma në një fjalim të regjistruar paraprakisht që thuhet se është filmuar brenda 48 orëve të fundit.

“Lufta. Çfarë është më e kundërta me muzikën?”, pyeti Zelensky në fjalën e tij hyrëse.

“Muzikantët tanë veshin jelekë antiplumb në vend të smokingëve. Ata u këndojnë të plagosurve në spitale. Edhe për ata që nuk mund t’i dëgjojnë. Por, muzika do të depërtojë gjithsesi”, vazhdoi ai.

“Ne mbrojmë lirinë tonë. Te jetosh. Të duash. Të tingëllojë. Në tokën tonë, ne po luftojmë Rusinë, e cila sjell heshtje të tmerrshme me bombat e saj. Heshtja e vdekur”, tha Zelensky.

Për atë heshtje, Zelensky vazhdoi duke thënë: “Mbusheni heshtjen me muzikën tuaj. Plotësojeni sot, për të treguar historinë tonë. Na përkrahni në çdo mënyrë që mundeni. Çfarëdo qoftë, por jo heshtje. Dhe pastaj do të vijë paqja”.

Presidenti ukrainas e përfundoi deklaratën e tij përmes video-mesazhit duke përmendur disa qytete të rrethuara në vendin e tij.

“Kam një ëndërr që ata të jetojnë të lirë. Të lirë si ju në skenën e Grammy-t”, tha Zelensky, mesazhi i të cilit u dha para performancës së drejtpërdrejt të këngës “Free” nga John Legend.

10:59 – Prokuroria e Maqedonisë paralajmëroi ndjekje penale për ata që justifikojnë gjenocidin dhe krimet e luftës në Ukrainë

Edhe në vendin tonë do të ndiqen deklaratat dhe komentet për situatën në Ukrainë, ndërsa ata që justifikojnë gjenocidin, krimet kundër njerëzimit apo krimet e luftës do të ndiqen penalisht, njoftoi Prokuroria Publike.

Nga atje thonë se MPB-jaështë duke ndjekur intensivisht të gjitha deklaratat dhe komentet në rrjetet sociale lidhur me situatën në Ukrainë dhe në përputhje me kompetencat e tyre do të kryejnë ndjekje penale.

“Aprovimi ose justifikimi i gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit apo krimeve të luftës është vepër penale sipas nenit 407-a të Kodit Penal. Përkatësisht, ligji parashikon se kushdo që publikisht mohon, minimizon, miraton dhe arsyeton akte të tilla përmes një sistemi informativ, do të dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Nëse vepra është kryer me qëllim të nxitjes së urrejtjes, diskriminimit ose dhunës ndaj një personi ose grupi personash për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare, etnike, racore ose fetare, kryesi dënohet me së paku katër vjet burgim. Në nenin 404 të Kodit Penal, nga ana tjetër, theksohet në mënyrë të qaretë se çfarë përfshin termi krim lufte kundër civilëve”, thonë nga Prokuroria.

Ata gjithashtu u bëjnë thirrje qytetarëve që do të vërejnë raste të tilla të lajmërojnë në e-mail adresën [email protected] për veprim të mëtutjeshëm përkatës.

09:34 – Shefi i OKB-së bëri thirrje për hetime të pavarura për vrasjet e civilëve në Ukrainë

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri thirrje për hetime të pavarura për vrasjen e mbi 400 civilëve në një qytet ukrainas pas tërheqjes së trupave ruse atje, ..

“Jam thellësisht i tronditur nga imazhet e civilëve të vrarë në Bucha të Ukrainës. Është thelbësore që hetimet e pavarura të çojnë në llogaridhënie efektive”, shkroi Guterres në Twitter.

Më herët gjatë ditës, trupat e të paktën 410 civilëve u gjetën në qytetin Bucha pranë kryeqytetit ukrainas Kiev, tha prokurori i përgjithshëm i Ukrainës.

Të dielën, Ministria ruse e Mbrojtjes mohoi se trupat e saj kanë vrarë civilë gjatë tërheqjes nga qytetet afër Kievit.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare që të dërgojnë ekspertë në vend sa më shpejt të jetë e mundur për të mbledhur prova të krimeve të luftës të kryera nga trupat ruse.

Të shtunën, Mikhail Podolyak, këshilltari i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, tha se trupat e njerëzve me duart të lidhura dhe të vrarë nga trupat ruse “shtrihen në rrugë” në Bucha.

Lufta ruse kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar, ndërsa Bashkimin Evropian, SHBA-ja dhe Britania e Madhe, vendosën sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

09:31 – Sllovakia në linjë me BE-në për pagesën e gazit rus

Sllovakia do të veprojë në linjë me Bashkimin Evropian ndaj kërkesave të Rusisë për pagesë të gazit, ka thënë kryeministri sllovak, Eduard Heger, pasi një ministër ka folur për mundësinë e pagesës në rubla, nëse ashtu mundësohet rrjedhja e gazit.

Sllovakia varet shumë nga furnizimet ruse me gaz dhe Moska ka kërkuar pagesa në rubla.

Megjithatë, Komisioni Evropian ka thënë të premten se kompanitë evropiane, të cilat sipas kontratës i bëjnë pagesat në euro dhe dollarë, nuk duhet të përmbushin këtë kërkesë.

“Në këtë situatë, uniteti është çelësi dhe ne insistojmë në respektim të kushteve të kontratës dhe pagesë në euro”, ka thënë Heger në një postim në Facebook.

Komentet e tij vijnë pasi ministri i Ekonomisë, Richard Sulik, ka thënë se shteti i tij do të punojë së bashku me Evropën, mirëpo Sllovakia nuk mund të heqë dorë nga gazi rus dhe nëse i duhet të paguajë në rubla, do të veprojë ashtu.

“Rrjedha e gazit nuk duhet të ndalet… nëse ka kushte për ta paguar në rubla, atëherë ne paguajmë në rubla”, ka thënë Sulik në një debat televiziv të dielën.

Kompania sllovake e gazit, SPP, e ka bërë pagesën e fundit të gazit në euro.

Sulik ka thënë se pagesa e radhës do të bëhet më 20 maj, dhe deri atëherë ka kohë për të gjetur zgjidhje.

Kërcënimi për mungesë të gazit vjen pas kërkesës së madhe për të në sezonën e dimrit në Evropë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button