U shkarkua inspektori serb në Kosovë pasi mori pagë 5 vjet pa dalë në punë

Nga 35 inspektorë të punës gjithsej sa ka Kosova, 8 nga ta janë serbë e 5 prej tyre po e bojkotojnë punën. Pas rreth 5 vjetësh që kanë marrë pagë pa dalë në punë, në shkurt të këtij viti, atyre u është ndalur pagesa. Këtyre ditëve për njërin prej tyre është shqiptuar edhe masa e largimit nga puna, derisa për 4 të tjerët janë duke vazhduar procedurat disiplinore nga Inspektorati i Punës, raporton Koha.net.

Pesë inspektorë serbë të punësuar në Inspektoratin e Punës ka rreth 5 vjet që kanë marrë paga pa dalë në punë. Nga shkurti i këtij viti ky institucion ka marrë vendim që ata që nuk kryejnë detyrat e punës të mbesin në listën e pagave, por të mos paguhen.

Pavarësisht kësaj, ata kanë vazhduar bojkotin, derisa njëri prej tyre është larguar nga puna me vendim të Komisionit Disiplinor të Inspektoratit, ndërsa 4 të tjerët janë në procedurë disiplinore.

“Për momentin 3 prej tyre, pjesa që janë inkuadruar në formën e rregullt, ata punojnë bashkë me inspektorët e tjerë, por këta 5 që i kemi pasur me marrëveshje, kemi pasur probleme me ta. Për njërin prej tyre veç është nxjerrë vendimi prej Komisionit Disiplinor për procedurë që të largohet nga marrëdhënia e punës dhe 4 të tjerë i kemi në procedurë disiplinore”, ka thënë Agim Millaku, ushtrues detyre i kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës.

Në Inspektoratin e Punës janë gjithsej 35 inspektorë, tetë nga ta janë serbë. Pesë prej serbëve që kanë bojkotuar punën janë të punësuar me marrëveshje të veçantë të Brukselit për integrim të komunitetit serb në institucionet e Kosovës. Ndërsa 3 serbët e tjerë, që kanë punuar vazhdimisht bashkë me inspektorët e punës, janë punësuar me procedura të rregullta.

Ushtruesi i detyrës së kryeinspektorit, Agim Millaku, ka thënë se ka mungesë të theksuar të inspektorëve dhe bojkoti i tyre e ka vështirësuar edhe më tepër punën.

“Nëse merret qëndrimi për t’u larguar nga puna, atëherë hapet mundësia për t’i përtërirë vendet e punës me persona të tjerë, por derisa këta janë në procedurë e sipër, nuk e kemi atë mundësi veprimi”, ka deklaruar ai.

Për mosdhënien e kontributit në punë, inspektorët serbë janë ankuar se me vite të tëra nuk kanë pasur kushte, si zyrë e makinë për lëvizje në terren. Por, edhe pse këto kushte u janë krijuar në vitin e kaluar, ata përsëri nuk i kanë kryer detyrat e punës. Për të njëjtën arsye, Ministria e Arsimit ua ka ndalur pagesën 32 punëtorëve të komunitetit serb që merrnin paga nga shteti prej vitit 2016.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button