MBI SHKRIMET QË NUK VDESIN

Dëshmia më serioze për vlerën e një shkrimi është mbijetesa e tij përtej kohës së krijimit. Këtë fat e kanë vetëm shkrimet e titanëve të letërsisë, që arrijnë të freskëta edhe në kohën tonë, madje, çuditërisht, më të freskëta dhe më aktuale se një pjesë e shkrimeve publicistike e letrare të së sotmes. Të tilla janë shumë kolumna dhe ese të Faik Konicës, po unë do ndalem pak në dy prej tyre, të botuara para 125 vitesh  në revistën ALBANIA.

“Pa krahë, Shqipëria është e humbur” (Albania, 15 nëntor 1897) është ese e tipit kolumnë ku trajtohet çështja e shthurrjes së Orientit dhe frika që ndjente Konica për atë që do të pasojë. Ai i njihte detajet e tragjedive që kishin ndodhur dhjetë vjet më herët në Sanxhakun e Nishit, kur serbët, në emër të çlirimit të gjoja tokave të tyre nga pushtuesit turqë, dëbuan nga trojet shekullore mijëra shqiptarë, duke e realizuar kësisoj njërin ndër gjenocidet e mëdha në historinë e Evropës moderne. Frika e tij për mundësinë e përsëritjes së tragjedisë ishte më shumë se reale: “Le ta themi që Turqia u-rëkëllye dhe u-prish: ne ç’të bëjmë? Italianët dhe Malëzinjtë në të mëngjër, Bullgarët në të djathtë, Sërbët mi kokë dhe Grekërt së poshtërmi do të derdhen si të tërbuar në bark të Shqipërisë. Kundrë kujt të qëndrojmë më parë? S’kemi as fiqalë për të drejtuar luftën, as ushtëri të mësuar dhe me kanone për të lëftuar. Ne duam të ushqehemi me ëndëra, a në na pëlqen të lozim me punërat e shënjtma të mëmëdheut, do të themi se s’na duhen as fialë as ushtëri as kanone, se miaft në është trimëria”.

Ashiqare: Konica ndjente krupë nga kjo logjikë meskine që garantonte vetëm tkurjen e mëtejshme të Mëmëdheut. Shih për këtë, Ai kritikon e nxit të gjithë mëmëdhetarët që ta shtojnë propagandën e tyre dhe ta vetëdijësojnë masën amorfe për rrezikun real që i kanosej. Mundësitë e shpëtimit, veç ngjeshjes së rradhëve të bashkatdhetarëve i shihte dhe në lidhjen e një miqësie të qënrueshme e të sinqertë me ndonjë shtet të fortë që mund t’i dilte zot Shqipërisë në rrethana të pafavorshme për të: “Shqipëria ka nevojë të përpiqet të ketë krahun e nonjë Shtetit të shëndoshë dhe të math qi të mos na dojë të ligën, po për kundrë të na hapnjë udhëra për një autonomi të miaftme, për përparimin e kombit, PËR SHPËTIMIN”.

Shkrimi “Kundrë Politikës” (Albania, 31 mars 1898) shpalon gjithashtu largpamësinë e pagabueshme koniciane: “Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mënt dhe ndërtohen. Në Shqipëtarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rëkëllehen, ne nukë këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mend mirë këtë që po u thom: në njëqind vjet, në vafshim si vemi, do të jemi aqë poshtë sa dhe sot”.

Kështu i shihte gjërat syri i krijuesit që tërë jetën luftoi për braktisjen e mentalitetit të mbrapshtë të bashkatdhetarëve, të cilët, para se ta rrëmihnin kopshtin, bënin “gati shportat për të mbledhur pemët që s’kanë zën’ as rrënjë”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button