Mësimdhënësit në Maqedoninë e Veriut meritojnë rroga më të larta, jemi në bisedime me Sindikatën, vlerësoi Kovaçevski

Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka theksuar që bisedimet me Sindikatën për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) janë të hapura, ndërsa qëllimi i Qeverisë është të krijojë zgjidhje edhe për të ardhmen, transmeton Portalb.mk.

“Dialogu me SASHK-un është i hapur dhe po bisedohet për kornizë, gjegjësisht metodologji që do të mundësojë që pa ndikim politik në të ardhmen të kemi rritje të pagës te të punësuarit në këto sfera”, deklaroi Kovaçevski, duke sqaruar që po bëhen kalkulime se sa është mundësia për rritjen e pagës në këtë periudhë.

Ai theksoi që në bazë të konsultimeve me Bankën Popullore, është alarmuar që në rast se rritet pagan sa kërkesa e Sindikatës, ekziston mundësia që për pak kohë edhe kjo pagë mos të jetë e mjaftueshme.

“Vlerësoj se duhet të ketë rritje të pagës në arsim, por duhet të jemi të vetëdijshëm se ky është viti me krizën më të rëndë pas Luftës së Dytë Botërore”, deklaroi Kovaçevski, duke shtuar që “të gjithë të punësuarit, veçanërisht të punësuarit në arsim meritojnë rroga më të larta”.

Në fund të muajit mars, Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë kanë zhvilluar takim me kërkesë të kryeministrit Dimitar Kovaçevski, për të diskutuar për rrogat e mësimdhënësve.

Ndryshe, kjo Sindikatë ka paralajmëruar grevë të përgjithshme në arsim nga 11 prilli, pasi Qeveria nuk vendosi deri më 15 mars në lidhje me rritjen e pagës.

“Kemi një tekst të marrëveshjes kolektive të përgatitur nga grupet punuese të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe SASHK-ut. Ajo që ne kërkojmë është harmonizimi me pagën minimale prej 18 mijë me kontrata kolektive, ajo të inkorporohet në kontratat kolektive, ku bazë për llogaritjen e pagës do të jetë paga minimale kombëtare. Duke qenë se paga minimale do të jetë 18.000 denarë, atëherë baza do të jetë 18.000 denarë, e cila do të shumëzohet me faktorin përkatës të kompleksitetit të vendit të punës. Në këtë mënyrë do të shmanget barazuesi, që po rritet gjithnjë e më shumë tash e disa vite – njerëzit me punë të ndryshme dhe kompleksitete të ndryshme të punës marrin të njëjtën pagë”, pati deklaruar para një muaji Nedellkov.

Nedellkov thotë se ky model i përllogaritjes së pagave tashmë aplikohet në kulturë dhe shpreson se do të gjejë zbatim në arsim dhe mbrojtje të fëmijëve.

“Punonjësit në fushën e arsimit dhe mbrojtjes së fëmijëve meritojnë paga më të larta dhe duhet t’i marrin ato. Këto ditë do të takohemi me ministrin dhe do të shohim se çfarë do të vendoset. Rritje të pagave do të ketë, ndërsa rritjen e pagës do ta marrin nga prilli. Nëse nuk gjejmë zgjidhje të përbashkët, do të futemi në grevë. Sipas Ligjit për paga dhe marrëveshjes kolektive, pagat duhet të jenë shumë më të larta” shprehej i vendosur Nedellkov.

Nëse kemi parasysh se paga minimale në vend është 18.000 denarë, numër ky që shumëzohet me koeficientin e kompleksitetit të punës, i cili për pozitën mësues në arsimin fillor është 2.503, atëherë del se paga e një mësues duhet të jetë 45.054 denarë. Për një profesor në arsimin e mesëm ky koeficient është 2.533, që do të thotë se paga e arsimtarit në arsimin e mesëm duhet të jetë 45.594 denarë. Për pozitën e pastruesit koeficienti është 1.3, që do të thotë se një pastruesit në shkollë do të merrte pagë prej 23.400 denarë.

Ndryshe, më 7 shkurt u arrit marrëveshje me Lidhjen e Sindikatave dhe punëdhënësit në lidhje me kërkesën për pagë minimale prej 18.000 denarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button