Të rinjtë kërkojnë më shumë meritokraci dhe shtet më të mirë për të jetuar (VIDEO)

Të rinjtë e vendit në dekadën e ardhshme duan të shohin një Maqedoni të Veriut ku jetesa është më e mire dhe ku problemet bazike jetësore nuk janë më çështje diskutimi. Ata thonë se nëse nuk punohet dhe investohet në vend gjatë dekadës së ardhshme, rinia do të largohet ende më shumë për nga perëndimi. Këto ishin përfundimet e panelit të diskutimit organizuar me rastin e shënimit të dhjetë vjetorit të Portalb.mk, nën narrativin “Vizioni për Maqedoninë e Veriut”.

Gazetarja e Portalbit, Dorina Ajdini thotë se të paktën në dhjetë vitet e ardhshme nuk e sheh të ardhmen në Maqedoninë e Veriut, siç thotë ajo aktualisht ka vendosur të largohet nga vendi pasi siç sqaron për dy vite tani më po e mendon se ku dëshiron ta kalojë jetën në të ardhmen. Mes Shkupit dhe Gjermanisë, Ajdini tregoi se ka zgjedhur këtë të dytën për një sërë arsyesh.

Dorina Ajdini, foto: Emir Hamzai
Dorina Ajdini, foto: Emir Hamzai

“Do kisha konsideruar të kthehesha nëse do kisha pasur shteg biçikletash, mos të dëgjoja zëra të larta të muzikës dhe të shtëna me armë në mes të natës. Do të kthehesha nëse askush nuk do më ngacmonte rrugës kur jam duke ecur, dhe kur këtë rast ta paraqes në polici, e njëjta të reagojë dhe jo e kundërta si më ka ndodhur mua. Dua që institucionet ti marrin parasysh problemet me të cilat përballen qytetarët. Do kisha menduar të kthehesha nëse nuk do kishim mbeturina në tokë. Një prej brengave te ne është se pagat janë shumë të ulëta ndërsa standardi i jetesës është shumë i lartë. Do konsideroja të kthehesha në rast se do respektohen rregullat e komunikacionit në rrugë dhe nuk rrezikohet jeta e qytetarëve. Do të kthehem nëse do të ketë arsim më kualitativ dhe jo arsim ku profesorët janë të punësuar në baza partiake. Do kthehesha nëse do kisha pasur siguri në shëndetësi. Dua një Maqedoni të Veriut pa diskriminime, me ekonomi të fortë. Thjeshtë dua një Maqedoni të Veriut si në Gjermani”, sqaroi Ajdini.

Në të njëjtin mendim me Dorinën deri para dy vitesh do të kishte qenë edhe gazetari i Portalbit, Fisnik Xhelili, por kjo ide  para dy vitesh ndryshoi për të dhe u kthye në një dëshirë më të madhe për të kontribuuar për vendin dhe për një të ardhme në vendlindje e jo jashtë.

Fisnik Xhelili, foto: Emir Hmzai
Fisnik Xhelili, foto: Emir Hmzai

“Fatmirësisht gjatë studimeve kisha rastin të studioj për dy semestra në dy nga universitetet më të mira në Evropë, dhe ajo çfarë mësova nga atje ishte se moshatarët e mi atje nuk janë aspak më të mençur dhe më punëtorë se ne, por në shtetet e tyre gjeneratat më të vjetra kanë punuar me kohë që të ju sigurojnë jetesë dhe kushte më të mira atyre.  Dhe pikërisht ishte kjo arsyeja për të cilën vendosa që të qëndroj këtu që të kontribuoj edhe unë për një të ardhme më të mirë përmes aktivizmit shoqëror dhe profesionit të cilin kam zgjedhur, pasi i njëjti edhe njihet si pushteti i katërt dhe i cili ka fuqinë që të bëjë ndryshime në shoqëri. Unë të ardhmen apo Maqedoninë e Veriut dua ta shoh si një vend me gazetari profesionale e cila ju shërben qytetarëve dhe interesit publik, jo atij partiak. Si një i ri në radhë të parë, në dekadën e ardhme dua të jetoj në një shtet i cili do të jetë pjesë e BE-së, shtet në të cilin ka meritokraci; drejtësi; barazi; ambient të pastër; sistem, administratë, shëndetësi dhe institucione funksionale dhe jo politike dhe shumë të tjera. Me qasje profesionale, saktësi, dhe me më shumë këmbëngulje un mendoj se ndryshimet janë të mundura dhe jemi pikërisht ne ato të cilët duhet të luftojmë për to që të njëjtat të sjellin ndryshime për të gjithë ne, a është e vështirë? Normal që është, por mendoj se nuk duhet ta lëmë kohën të ik, të veprojmë të gjithë bashkërisht, secili në mënyrën e tij, sepse mund të ja dalim”, tha Xhelili.

Nga ana tjetër, aktivisti dhe studenti Blendi Hodai, shprehet se sipas një hulumtimi të vitit 2019 tregon se vetëm 3% e të rinjve në vend janë të kënaqur me pozitën e tyre në shoqëri, që tregon se sa është e mjerueshme gjendja e të rinjve në vendin tonë siç thotë ai për shkak të politikave të gabuara në vend në këto tridhjetë vite në tranzicion.

Blendi Hodai, foto: Emir Hamzai
Blendi Hodai, foto: Emir Hamzai

“Vendi kohës së fundit ka humbur shumë të rinj të cilët nuk e kanë në plan të kthehen pastaj në vend, pasi nuk gjejnë arsye. Sa i përket vizionit tim se ku e shoh Maqedoninë e Veriut unë do doja që kur një grup i të rinjve të takohet pas dhjetë viteve, përfundimi jonë të jetë që vendi nuk ka humbur edhe një gjeneratë, brez tjetër si të rinj. Viti 2032 duhet të jetë një vit i cili do të përfundojë kjo saga e integrimit të vendit në BE. Dhjetëvjeçari i ardhshëm duhet të shënojë edhe transformimin më të madh digjital të vendit pasi është shumë i nevojshëm. Mendoj që duhet të kemi arsim më cilësor dhe më transparent, universitete të cilët udhëhiqen nga persona që kanë vizion dhe strategji. Mendoj që e rëndësishme është zhvillimi i infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe asaj ajrore. Në dhjetë vitet e ardhshme nuk duhet që të bisedohet për gropa në rrugë dhe autostrada në vend. Ajo që është e rëndësishme është rikthimi i besimit të qytetarëve në institucione, ku aktualisht vetëm 8% e popullatës i beson gjyqësorit. Nuk jam duke u munduar ti ndryshoj politikanët dhe nuk duhet t’i ndryshojmë politikanët. Ato që do t’i zëvendësojnë këto politikanë jemi ne dhe për këtë arsye duhet të jemi aktiv të kemi një vetëdije qytetare për fenomenet shoqërore, që kur të vijmë në pushtet mos të bëhemi si ata por të bëjmë ndryshime të cilat ne jemi duke i folur. Lufta për ndryshime duhet të jetë e përbashkët mes të gjitha gjeneratave, duhet të jemi këmbëngulës në ndryshimet që duhet të ndodhin në vendin tonë”, tha Hodai.

Studentja dhe gazetarja Era Memetaj thotë se të Maqedoninë e Veriut në të ardhmen dëshiron ta sheh si një vend në të cilin vajzat dhe gratë nuk janë të diskriminuara vetëm për shkak të gjinisë së tyre.

Era Memetaj, foto: Emir Hamzai
Era Memetaj, foto: Emir Hamzai

“Maqedonisë së Veriut i duhen shumë kohë që të përmirësohet në shumë sfera. Pozita e gruas në Maqedoni është shumë e rëndësishme, na takon neve vetë të vendosim për veten tonë të mos lejojmë që dikush tjetër të vendos për ne. Të mos bëhemi viktimë e shoqërisë dhe e kornizave që janë paracaktuara më herët. Mund të themi që kemi ndryshime, unë shoh ndryshime, shoh shumë përmirësime. Nuk duhet të kënaqemi me kaq, mendoj se vajzat kanë ende shumë për të bërë, duhet shumë punë. Pas dhjetë viteve do kisha qenë shumë e kënaqur që pavarësisht ku jam, që mendoj dhe jam e sigurtë se do jem këtu në Maqedoninë e Veriut, të shoh që vajzat dhe gratë janë të ulura në pozitat më të mëdha udhëheqëse, atë që e ndjenë ta bëjnë dhe se ato janë jo më pak se një djalë apo burrë, pasi jemi të barabartë në këtë pjesë”, tha mes tjerash Memetaj.

Ndryshe, dje me rastin e dhjetë vjetorit të themelimit të Portalb.mk, redaksia zhvilloi panel diskutimin me temë “Vizioni për Maqedoninë e Veriut”,  i ndarë në dy pjesë- i pari mes kolumnistëve të Portalbit dhe i dyti me të rinjtë e lartpërmendur. Në ngjarje morën pjesë përfaqësues nga organizatat civile, pushteti ekzekutiv, ai lokal, profesorë dhe studentë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button