10 vite Portalb, ia dolëm për një dekadë, vazhdojmë më tutje…

Më 6 prill të vitit 2012, në zyrën tonë në Shkup, e filluam rrugëtimin tonë gazetaresk. Atëbotë kishte shumë pak media online me redaksi që krijonin lajme burimore për shqiptarët nga Maqedonia e Veriut. E dukshme ishte nevoja për një portal informativ i cili do të ishte i lirë dhe i painfluencuar nga agjenda të ndryshme politike, e si i tillë do të plotësonte nevojën e qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë, por edhe atyre anembanë botës për tu informuar drejtë dhe në kohë.

Ishte koha e fundit që në vendin tonë të kishte një medium online objektiv dhe profesional që do t’i bënte ballë kaosit në Internet që filloi të krijohej dhe ka marrë hov në vitet e fundit. Këtë nevojë e identifikoi Fondacioni Metamorfozis, e cila ishte seriozisht e interesuar për të krijuar një portal në gjuhën shqipe, një medium i cili me gazetari kritike dhe konstruktive, profesional dhe objektiv pa përmbajtje të trilluar dhe skandaloze do të arrinte të riafirmonte dhe rikonfirmonte rëndësinë e gazetarisë profesionale në një shoqëri demokratike.

Sot festojmë 10 vjetorin e themelimit te një medie qe u shndërrua në një institucion të fuqishëm të fjalës së lirë në Maqedoninë e Veriut. Gazetaria nuk është vetëm një profesion por, mision. Mision dhe luftë e përditshme për drejtësi, luftë kundër dukurive negative, krimit e korrupsionit, kundër diskriminimit mbi çfarëdo baze. Një opozitë kritike e përhershme, pavarësisht se kush është ne pushtet, e cila vazhdimisht vëzhgon dhe kritikon politikat e gabuara dhe në dëm të qytetarëve dhe që lufton për zbardhjen së vërtetës, gjithmonë në mbrojtje të interesit publik.
Siç ka thënë Xhorxh Orvel, nëse liria do te thotë diçka, është pikërisht e drejta për t’ua thënë njerëzve atë që nuk duan ta dëgjojnë. Beteja jonë e përditshme është pikërisht kjo, ta themi te vërtetën, pavarësisht se dikujt i pëlqen apo jo. Dhe këtë e kemi bere qe nga dita e pare e punës, ndonëse u themeluam ne kohen kur Maqedonia po përballej me një presion te fuqishëm dhe përpjekje për ngulfatjen e fjalës se lirë dhe lirisë se mediave. Jemi përballur me presione të ndryshme që kishin për qëllim shtrembërimin e të vërtetës dhe që të informuarit drejt e trajtonin vetëm si kritikë e jo si kontribut për përmirësim. Por, përpos situatës së këtillë dhe vështirësive qe u përballem, në asnjë moment nuk çaluam nga përcaktimi ynë për të qene te pavarur, objektiv dhe profesionist.

Elida Zylbeari, foto: Emir Hamzai
Elida Zylbeari,
kryeredaktore e Portalbit, foto: Emir Hamzai

Udhëheqja me Portalbin që nga fillimi i tij dhe krijimi i një ekipi mirë të organizuar për mua ishte dhe mbetet një sfidë e madhe personale. Ky është një proces në të cilin çdo ditë mësoj gjëra të reja. Të gjithë ata që punojnë në media e dinë që gazetaria nuk ka orar, ndërsa gazetaria e mirëfilltë kërkon ende më shumë dedikim dhe përkushtim, prandaj shpesh kam hasur në komentet e miqve dhe familjarëve se unë “gjithnjë jam e zënë me punë”, dhe jam falënderuese për mbështetjen dhe mirëkuptimin e tyre, sepse vërtetë, për të mbajtur në jetë një media siç është sot Portalbi, nevojitet punë konstante dhe konsistencë në politikën redaktuese, që ai sot të profilohet si medium profesional, i besueshëm dhe një ndër më të lexuarit në regjion.

Të qenurit në krye të një mediumi, në rend të parë është të mbash përgjegjësi të madhe për atë se me çfarë e ushqen lexuesin. Përpos informimit, me rëndësi është që në opinion të mbjellësh mendimin kritik dhe të nxitësh tema me të cilat do të mund të ndikosh në përmirësimin e jetëve të qytetarëve. Me këtë qëllim dhe kam punuar së bashku me kolegët e mi, dhe sa herë ju them “një gazetar duhet të jetë shumë i bezdisshëm për të arritur qëllimin e tij”. Sidomos në vendin tonë, ku transparenca dhe përgjegjësia institucionale le shumë për të dëshiruar. Dhe jemi të tillë, deri sa të arrijmë efektin e dëshiruar dhe të përmirësohet një problem për të cilin ankohen qytetarët.

Gjithë këto vite jemi përpjekur të jemi zëri i çdo qytetari, te gjithë atyre që kane pasur probleme të ndryshme e qe institucionet kane qene te shurdhtë. Përmes storjeve individuale te sensibilizojmë zgjidhen e shumë probleme të qytetarëve nisur nga mungesa e kushteve bazike për jetese, problemet ne arsim, infrastrukturë, shkencë, kulture, shëndetësi etj e deri në ndikimin dhe përmirësimin e politikave dhe strategjive në nivel shtetëror. Pikërisht puna e palodhshme e gjithë ekipit te Portalb u kurorëzua me besimin e thelle qe tashme e kemi fituar nga qytetaret por edhe opinioni ne përgjithësi.

Verifikimi i informatave dhe kualiteti i tyre është shenjë njohëse për Portalbin, dhe për këtë dua ta falënderoj secilin nga gazetarët tonë për kontributin e dhënë. Pa ju, nuk do të arrinim sukses. Ne jemi ekip i cili nuk bën kompromise me faktet. Jo-rastësisht motoja jonë është  “Dritare realiteti” pasi që synojmë vetëm të vërtetën, e cila nganjëherë mund të mos jetë sensacionale dhe me tituj shokues. E vërteta mbetet e tillë, e zhveshur nga epitetet që vet gazetarët nganjëherë synojnë t’ia mveshin. Dhe ne vetëm këtë mision e kemi. Brenda dhjetë viteve kemi punuar me nijet të pastër dhe me përkushtim maksimal për ta përmbushur këtë mision, aty ku kemi gabuar kërkojmë ndjesë, ndërsa atje ku kemi ndihmuar jemi krenarë. Megjithatë, tregues më i mirë për suksesin tonë, është audienca e gjërë e Portalbit. Por edhe urimet dhe përgëzimet që i marrim sot nga kolegët tanë në fushën e gazetarisë, institucione, organizata, personalitete të rëndësishme e politikanë.

Ndër vite, në redaksinë tonë kemi pasur shumë të reja dhe të rinj të cilët hapat e para të gazetarisë dhe karrierës së tyre i kanë bërë në Portalb. Jam shumë krenare kur i shoh sot duke arritur majat e suksesit të tyre në institucionet në të cilat janë. Jemi shndërruar në shkollë gazetarie me dyer të hapura ndaj praktikantëve të cilët marrin vëmendjen tonë maksimale.

Teorinë dhe parimet gazetareske i kam mësuar në UEJL, por zbatimin e tyre në dritë më të mirë ma ka mundësuar Portalbi, i cili nuk do të ekzistonte nëse nuk do të ishte mbështetja e pa rezervë e kreut të Fondacionit Metamorfozis, z.Bardhyl Jashari. Jam thellësisht falënderuese dhe mirënjohëse për besimin dhe mbështetjen e dhënë ndaj nesh. Në momentet më të vështira, dhe në çdo kohë, te ai dhe ekipi i tij kemi hasur në mirëkuptim dhe mbështetje si finansiare ashtu edhe profesionale. Në këtë vend, gjeta udhëzim dhe inspirim nga kolegë me përvojë të madhe si në sferën e organizatave ashtu edhe të mediave.Fondacioni Metamofozis mban meritën kryesore që ne sot punojmë të lirë dhe pa asnjë trysni në punën tonë gazetareske.
Metamorfozis forcon vetëdijen dhe kapacitetin e qytetarëve dhe shoqërisë civile që ata të marrin rolin më të mirë të mundshëm si aktivistë për demokracinë dhe ekipi i Portalb jep kontribut të vlefshëm në përmbushjen e këtij misioni.

Fondacioni Metamorfozis na mundëson që të rritemi profesionalisht në një rreth multietnik dhe të hapur për të gjithë. Në këtë rast, dua të ceki dhe bashkëpunimin tonë me ekipin e agjencisë së lajmeve Meta.mk. Me storjet tona, së bashku mundohemi të prishim barrierat etnike dhe paragjykimet në shoqërinë tonë që të kemi një shoqëri më të integruar dhe më produktive. Së bashku me kolegët tanë nga Meta, krijojmë ura lidhëse mes dy komuniteteve më të mëdha në vend, përcjellim storje dhe lajme me interes publik për problemet që na tangojnë të gjithëve.

Rol të rëndësishëm në formësimin tonë profesional ka dhe redaksia e Vertetmatësit, më të cilën gjithashtu, që nga fillimi kemi bashkëpunim të ngushtë. Vërtetëmatësi është një vegël e rëndësishme për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së partive politike karshi qytetarëve. Gjithashtu, është shërbimi i parë dhe i vetëm në vend që në mënyrë sistematike dhe çdo ditë u kundërvihet dezinformatave që shpërndahen në Maqedoninë e Veriut. Me produktet e përbashkëta të verifikimit të fakteve, dy redaksitë tona kontribuojnë në zhvillimin e mendimit kritik dhe edukimit mediatik në vend.

Hapësirë të madhe u kemi kushtuar dhe të rinjve, që janë ardhmëria e një vendi. Përmes kategorisë me emrin CTRLZ dhe emisionit Shortcut, informojë të rinjtë saktë dhe në kohë por edhe rrisim vetëdijen e tyre për tema të rëndësishme duke u nisur nga ekologjia, arsimi, ndryshimet klimatike, shkenca, sporti, barazia gjinore, aktivizmi dhe të tjera. Ndjekim dhe vazhdimisht ngjarjet kulturore, mbështesim artistët, talentët e rinj të cilëve fatkeqësisht pak vëmendje u kushtohet ne mediat tradicionale. Thënë ndryshe, synojmë të inspirojmë duke afirmuar vlerat dhe duke luftuar ashpër anti-vlerat në shoqërinë tonë.

Në Portalb shkruajnë me vite kolumnistët tanë që trajtojnë çështje të përditshme nën thjerrëzën kritike dhe vetëdijësuese. Kam kënaqësinë që disa nga to ti kemi sot mes nesh dhe shfrytëzoj rastin për ti falënderuar të gjithë për kontributin e tyre me të cilin e shtojnë vlerën dhe kualitetin e Portalb.

Gjithashtu, për të shlyer mungesën e fjalës së lirë në këtë vend me demokraci të brishtë, ju kemi dhënë hapësirë të gjithëve përmes rubrikës Na shkruani, ku për çdo ditë kemi shkrime të reja nga lexues që ngrenë zërin e tyre për dukuri të ndryshme në shoqëri.

Ndonëse një rrugë e shtruar me sakrifica të ndryshme, Portalb.mk, do të vazhdojë të sjellë të vërtetën për problemet që na rrethojnë duke i ‘u përmbajtur gjithnjë parimeve profesionale të informimit. Dua te falënderoj te gjithë ju qe na mbështesni në këtë rrugëtim jo të lehtë, dhe që dini të vlerësoni se fjala e lire dhe e vërteta janë të shenjta. Por para së gjitha dua ta falënderoj ekipin tim dhe shumë bashkëpunëtorë të jashtëm të cilit me punën e tyre kontribuojnë në atë që Portalb është sot.

Dhe padyshim që suksesi ynë është sukses edhe i shoqërisë në përgjithësi në procesin e demokratizimit dhe shndërrimit te shoqërisë sonë në një shoqëri progresive me vlera evropiane.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button