Rusia sot do të hapë një korridor humanitar nga Mariupoli

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi të enjten se nga sot do të hapë një korridor humanitar nga qyteti i rrethuar i Mariupolit deri në Zaporozhye, transmeton Anadolu Agency (AA).

Autoritetet ruse e morën vendimin pas një kërkese të presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, drejtuar presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

“Forcat e Armatosura të Rusisë do të rihapin korridorin humanitar nga Mariupol në Zaporozhye më 1 prill në orën 10:00 të mëngjesit me orën e Moskës”, tha gjeneral-koloneli Mikhail Mizintsev, drejtor i Qendrës nacionale ruse për menaxhim të mbrojtjes.

Duke theksuar se korridoret humanitare hapen çdo ditë në drejtim të kryeqytetit ukrainas, Kiev, Chernihiv, Sumy, Kharkiv dhe Mariupol, Mizintsev tha se ushtria ruse i përmbahet një armëpushimi në këto pika.

Ai më tej vuri në dukje se në 24 orët e fundit, më shumë se 18.000 njerëz, duke përfshirë 3.400 fëmijë, u evakuuan në Rusi nga zonat e rrezikshme të Ukrainës.

“Gjithsej 527.607 persona janë evakuuar që nga fillimi i operacionit special ushtarak, duke përfshirë 108.219 fëmijë”, tha ai, duke shtuar se 115.347 njerëz nga Mariupoli janë shpëtuar përmes korridoreve humanitare, nga të cilët 3.235 në 24 orët e fundit.

Së paku 1.232 civilë janë vrarë dhe 1.935 janë plagosur që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), dhe numri aktual mendohet të jetë shumë më i lartë.

Më shumë se katër milionë ukrainas kanë ikur gjithashtu në vendet fqinje dhe miliona janë zhvendosur brenda vendit, tha agjencia e OKB-së për refugjatët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button