Dita 37: Refugjatët ukrainas përpiqen të ndërtojnë një jetë të re në Belgjikë, BE i kërkoi Kinës të mos ndihmojë luftën e Rusisë në Ukrainë (FOTO-VIDEO)

Blerësit evropianë të gazit rus të premten janë përballur me një afat kohor për fillimin e pagesës së tij në rubla, ndërsa negociatat që synojnë t’i japin fund luftës pesë-javore u vendos të rifillonin edhe pse Ukraina po përgatitej për sulme të mëtejshme në jug dhe lindje. Pushtimi i Moskës ndaj fqinjit të saj ka vrarë mijëra, ka arratisur miliona dhe ka nxitur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët në mbarë botën të vendosin sanksione ndaj entiteteve, bizneseve dhe oligarkëve të qeverisë ruse, transmeton Portalb.mk.

18:55 – Refugjatët ukrainas përpiqen të ndërtojnë një jetë të re në Belgjikë

Qendra e regjistrimit të refugjatëve ukrainas në Bruksel pret çdo ditë rreth 200 të ardhur të rinj, shumica gra dhe fëmijë që i largohen luftës në Ukrainë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Valentina Vasileva njofton se megjithë ndihmën që marrin, refugjatët i pret një realitet i vështirë ndërsa përpiqen të rindërtojnë jetët e tyre.

Mijëra persona mblidhen jashtë qendrës së regjistrimit për refugjatët ukrainas në Bruksel. Refugjatë si Anna Pilyavskaya përballen me sfidën e tyre më të fundit – regjistrimin në një vend të ri, gjetjen e një pune dhe të një shtëpie.

“Nuk doja të lija prindërit, bashkëshortin, prandaj po prisnim. Por çdo ditë bëhej edhe më keq… Pastaj më tha burri ‘duhet të shpëtojmë vajzën, duhet të largoheni me makinë’”, tregon Anna Pilayvskaya, refugjate nga Kievi.

Iu deshën tre ditë të mbërrinin në kufirin me Hungarinë.

“Plani ishte që të gjenim një shteg të sigurtë, të qëndronim larg përplasjeve ushtarake, ku mund të plagoseshim apo të bombardoheshim. Kështu që morën rrugët më të vogla, qëndruam me njerëz të njohur gjatë natës dhe pastaj vazhdonim rrugëtimin. Një ditë arritëm të përshkojmë vetëm 150 kilometra”, thotë ajo.

Së bashku me të bijën, zonja Pilyavskaya po qëndron në Bruksel me partnerin e biznesit të bashkëshortit. Ai i drejtoi për tek qendra e regjistrimit, por ajo rezultoi se mbyllej shumë më herët nga ç’prisnin.

“Më kishin thënë që rrinte hapur deri në 5 pasdite, por tashmë është e mbyllur. Me sa duket duhet të kthehemi në shtëpi dhe të vijmë prapë nesër”, thotë ai.

Qendra mund të regjistrojë 2 mijë refugjatë ukrainas në ditë dhe ajo e arrin maksimumin e kapacitetit të saj që në mesditë, thotë autoritetet belge. Shumë e kalojnë natën përjashta në tenda për të pritur radhën. E megjithatë refugjatët thonë se janë mirënjohës për mbështetjen.

“Njerëzit këtu na mbështesin shumë. Bashkëshorti im shkruajti në internet duke kërkuar ndihmë për familjet ukrainase, dhe menjëherë një familje belge ofroi katin e dytë të shtëpisë së tyre. Kryqi i Kuq, dhe kishat vendase ofruan ushqime dhe furnizimet e tjera”, thotë Karina, refugjate nga Kievi.

Natalia Yliyanova u largua nga Ukraina Perëndimore më 9 mars dhe udhëtoi për në Bruksel për të jetuar me djalin e saj. Ndërsa udhëtonte nëpër rajonin Lviv, ajo thotë se sirenat e sulmit ajror binin çdo ditë, dhe ajo vraponte për t’u mbrojtur.

“Nuk fshihesha në një strehim, por në një bodrum të ndërtesës sonë. E di që ishte e rrezikshme, por nuk kisha zgjidhje. Strehimi ishte larg, dhe unë kam probleme me shpinën dhe nuk mund të eci për një kohë të gjatë”, thotë ajo.

Pasi të regjistrohet në qendër, zonja Yliyanova thotë se djali i saj do ta ndihmojë të përshtatet me vendin e ri. Por për shumë ukrainas të tjerë, këtu nuk kanë njeri t’i ndihmojë. Pavarësisht Udhëzimit të ri të BE-së për Mbrojtjen e Përkohshme që u dha refugjatëve ukrainas një leje qëndrimi të përkohshme dhe të drejtën për të punuar, gjetja e një pune është një sfidë.

“Problemi kryesor është gjuha. Unë jam mësuese dhe e vetmja gjë që mund të bëj tani është të bëhem pastruese ose dado. Aftësitë e mia profesionale dhe arsimi nuk kanë rëndësi”, thotë ajo.

Situata e Anës nuk është unike – ka mijëra të tjerë si ajo këtu në Belgjikë, dhe tashmë miliona të tjerë në vende të tjera evropiane.

17:17 – BE i kërkoi Kinës të mos ndihmojë luftën e Rusisë në Ukrainë

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe Kinës po takohen sot për herë të parë pas dy vitesh. Brukseli ka ushtruar trysni ndaj Pekinit për garanci se nuk do ta furnizojë Rusinë me armë dhe se nuk do të ndihmojë Moskën të anashkalojë sanksionet perëndimore të vendosura lidhur me sulmin ndaj Ukrainës.

Me një gjuhë jashtëzakonisht të hapur, zyrtarët e BE-së thanë se çdo ndihmë dhënë Rusisë do të dëmtonte reputacionin ndërkombëtar të Kinës dhe do të rrezikonte marrëdhëniet me partnerët e saj më të mëdhenj tregtarë, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe ai i Këshillit Evropian Charles Michel, së bashku me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, filluan bisedimet virtuale me kryeministrin kinez Li Keqiang. Ata pritet të flisin më vonë të premten me Presidentin Xi Jinping.

Një zyrtar i BE-së tha se qëndrimi i Kinës ndaj Rusisë ishte një çështje së cilës është shumë e vështirë t’i përgjigjesh. Një tjetër zyrar vuri në dukje se mbi një e katërta e tregtisë globale të Kinës vitin e kaluar ishte me bllokun dhe Shtetet e Bashkuara, kundrejt vetëm 2.4% me Rusinë.

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi përsëriti thirrjen për bisedime paqeje këtë javë, duke shtuar se u duhet dhënë përgjigje shqetësimeve legjitime të të gjitha palëve.

16:00- Rusia bombardoi repartin onkologjik të spitalit Çernihiv

Kryebashkiaku i Çernihivit, Vladislav Atroshenko akuzoi Rusinë për bombardimin e repartit onkologjik të një spitali në qytetin verior të Ukrainës, vetëm disa ditë pasi Rusia premtoi të zvogëloj “në mënyrë drastike” sulmin e saj ushtarak në Kiev dhe Çernihiv.

Në një bisedë me Cnn-në ai theksoi:

“Disa granata goditën drejtpërdrejt spitalin rajonal dhe një nga godinat e spitalit, përkatësisht, njësia e onkologjisë u shkatërrua plotësisht. Tre persona kanë marrë plagë të rënda”.

Atroshenko tha gjithashtu se nuk ka ujë dhe energji elektrike dhe se qyteti mund të mbetet pa ushqim dhe ilaçe brenda një jave.

“Aktualisht po kalojmë një katastrofë të plotë humanitare”, shtoi ai.

15:40- OKB: Duhet të ndalet tragjedia, numri i refugjatëve ukrainas arrin në 4.1 milionë

Sipas Agjencisë për refugjatë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNHCR), më shumë se 4.1 milionë civilë janë larguar deri më tani nga Ukraina e shkatërruar nga lufta.

Agjencia thekson se të dhënat e fundit tani tregojnë se 4,102,876 ukrainas janë larguar nga vendi që nga muaji i kaluar, ndërkaq gratë dhe fëmijët përbëjnë 90 për qind të atyre që ikën.

“Janë detyruar të ikin për të shpëtuar jetën e tyre. Janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre. Janë detyruar që të ndahen nga familja. Kjo tragjedi duhet të ndalet”, ka thënë UNHCR.

Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA
Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA

14:50- Rifilluan negociatat Kiev-Moskë

Sot rifilluan negociatat mes Kievit dhe Moskës, derisa në Mariupol ka ende bllokadë në dërgim të ndihmave humanitare dhe evakuim të civilëve nga qyteti i shkatërruar prej luftës.

“Ne po vazhdojmë bisedimet përmes video-konferencës”, ka thënë shefi negociator i palës ruse, Vladimir Medinsky përmes Telegramit.

“Pozicionet tona për Krimenë dhe Donbasin nuk kanë ndryshuar”, ka thënë ai.

14:30- HRW i bën thirrje Ukrainës të hetojë krime të mundshme të luftës

Organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Human Rights Watch, i ka bërë thirrje Ukrainës që të hulumtojë secilin krim të supozuar të luftës që mund të kenë kryer trupat e saj, pas raportimeve të paverifikuara se ushtarët ukrainas kanë torturuar trupat e zëna ruse prej kur Moska ka nisur sulmin ndaj fqinjës së saj.

Në disa video të publikuara më 27 mars, duken ato që shihen si forca ukrainase duke abuzuar luftëtarët e zënë rusë, të cilët kanë statusin e të burgosurve të luftës, duke përfshirë edhe të shtëna me armë zjarri ndaj tre ushtarëve në këmbë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy ka thënë të nesërmen se Kievi i ka parë supozimet me “shumë seriozitet” dhe do të bëjë hetime.

“Nëse konfirmohen, rrahjet dhe të shtënat me armë zjarri ndaj luftëtarëve të zënë, përbëjnë krime lufte dhe Ukraina duhet të tregojë se mundet dhe ka gatishmëri për të parandaluar dhe ndëshkuar shkeljet serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar”, ka thënë Human Rights Watch përmes një deklarate të lëshuar më 1 prill.

Kjo Organizatë ka paralajmëruar më parë Rusinë se veprimet që ka kryer mund të konsiderohen krime lufte, duke përfshirë sulmet ajrore në teatrin e qytetit të Mariupolit.

Autoritetet ukrainase kanë thënë se aty kanë qenë duke u strehuar civilë, dhe rreth 300 prej tyre dyshohet të kenë vdekur si pasojë e sulmeve.

Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA
Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA

13:30- Forcat ruse po largohen nga Çernihivi

Forcat ruse janë duke u tërhequr nga rajoni i Çernihivit, mirëpo ende jo krejtësisht, ka thënë guvernatori lokal, Viacheslav Chaus.

“Sulmet ajrore dhe ato me raketa janë ende të mundshme në rajon, askush nuk e përjashton këtë mundësi”, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters.

Ai ka shtuar se forcat ukrainase janë duke hyrë nëpër zonat e kontrolluara së fundi nga trupat ruse.

Chaus ka thënë se ende është shumë herët që forcat ukrainase të mos bëjnë roje, pasi trupat ruse “janë ende në tokën tonë”.

Rusia ka thënë të martën se do të zvogëlojë operacionet rreth Çernihivit dhe kryeqytetit ukrainas, Kievit, në përpjekje për të “rritur besimin e përbashkët” në bisedimet për paqe.

Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA
Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA

12:10- U miratua plani i Kryqit të Kuq për evakuimet në Mariupol

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, ka thënë se është miratuar plani i tij për evakuime nga Mariupoli nga “autoritetet e nivelit të lartë” të Ukrainës dhe Rusisë.

Organizata shpreson që evakuimet mund të ndodhin të premten dhe planifikon të udhëheqë 54 autobusë ukrainas dhe makina private në një konvoj jashtë qytetit të rrethuar.

Mirëpo Kryqi i Kuq nuk ka siguruar leje për ndihmë humanitare, dhe është nisur pa furnizime.

Zëdhënësi i Kryqit të Kuq, Ewan Watson ka thënë para gazetarëve në Gjenevë se “përpjekjet kanë qenë dhe janë jashtëzakonisht komplekse”.

Ai ka thënë se “mijëra njerëz” synohet të largohen të sigurt nga qyteti.

Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA
Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA

10:22 – Rusia sot do të hapë një korridor humanitar nga Mariupoli

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi të enjten se nga sot do të hapë një korridor humanitar nga qyteti i rrethuar i Mariupolit deri në Zaporozhye.

Autoritetet ruse e morën vendimin pas një kërkese të presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, drejtuar presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

“Forcat e Armatosura të Rusisë do të rihapin korridorin humanitar nga Mariupol në Zaporozhye më 1 prill në orën 10:00 të mëngjesit me orën e Moskës”, tha gjeneral-koloneli Mikhail Mizintsev, drejtor i Qendrës nacionale ruse për menaxhim të mbrojtjes.

Duke theksuar se korridoret humanitare hapen çdo ditë në drejtim të kryeqytetit ukrainas, Kiev, Chernihiv, Sumy, Kharkiv dhe Mariupol, Mizintsev tha se ushtria ruse i përmbahet një armëpushimi në këto pika.

Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA
Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA

09:55 – Ushtarët rus u larguan nga Çernobili pasi ishin ekspozuar ndaj rrezatimit

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ka konfirmuar se forcat ruse janë larguar nga ish-centrali bërthamor i Çernobilit, të cilin e përvetësuan në fillim të pushtimit.

“Forcat ruse kanë transferuar kontrollin e selisë tek personeli ukrainas. Nuk ka më të huaj në fabrikë”, njoftoi IAEA në një deklaratë.

Pas marrjes së Çernobilit, forcat ruse ndaluan personelin ukrainas të rifillonin aktivitetet e tyre të përditshme.

Kompania shtetërore bërthamore Energoatom tha se forcat ruse kishin hapur llogore në pjesën më të kontaminuar të zonës së mbyllur, duke u ekspozuar ndaj dozave të konsiderueshme të rrezatimit. Sipas njoftimeve të pakonfirmuara, disa ushtarë u transferuan në Bjellorusi për trajtim.

Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA
Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA

09:37 – Një guvernator pretendon se Ukraina ka goditur një depo nafte në Rusi

Guvernatori rajonal, Vyacheslav Gladkov, ka thënë se dy helikopterë ushtarakë ukrainas kanë goditur një depo nafte më 1 prill, në qytetin rus, Belgorod, i cili gjendet rreth 25 kilometra në kufi me Ukrainën.

Nëse konfirmohet, ky do te ishte sulmi i parë i nisur nga Ukraina në tokën ruse, prej kur Moska ka nisur pushtimin e këtij shteti fqinj më 24 shkurt.

Gladkov ka thënë në platformën Telegram se helikopterët kanë goditur objektin, pas kalimit të kufirit.

Sipas tij, dy punëtorë janë plagosur në sulmin e supozuar.

Megjithatë, kompania ruse e naftës, Rosneft, e cila ka në pronësi depon e naftës, ka thënë në një deklaratë ndaras se askush nuk është plagosur si pasojë e zjarrit.

Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA
Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA

09:28 – NATO: Forcat ruse po rigrupohen për sulm

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se forcat ruse janë duke u rigrupuar në Ukrainë për të rritur sulmet në lindje të shtetit.

Mbretëria e Bashkuar ka thënë se Rusia është duke dërguar mes 1,200 deri në 2,000 trupa, nga Gjeorgjia në Ukrainë, si përforcime.

Moska ka thënë të martën se do të zvogëlojë aktivitetet ushtarake në veri të Ukrainës dhe do të fokusohet në “çlirim” të rajonit Donbas në juglindje.

Stoltenberg ka thënë se synimi rus për të pasur rezultate ushtarake, nuk ka ndryshuar ende.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button