Autobusët shkojnë në Mariupol për të ndihmuar civilët

Zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk, tha se një kolonë prej 45 autobusësh është nisur drejt qytetit të rrethuar të Mariupolit, në përpjekje për të evakuuar civilët e bllokuar nga luftimet e ashpra midis trupave ruse dhe atyre ukrainase.

“Ne morëm një mesazh nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq se Federata Ruse konfirmon gatishmërinë e saj për të hapur korridorin humanitar në qytetin e Mariupolit, përmes qytetit Berdyansk”, tha ajo në një video të postuar në Telegram, transmeton REL.

“Ne po dërgojmë 45 autobusë në korridorin e Mariupolit”, shtoi ajo.

Kryqi i Kuq tha se po përgatitej të lehtësonte kalimin e sigurt të civilëve nga Mariupoli të premten, nëse të gjitha palët pajtohen me kushtet.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky operacion të zhvillohet. Jetët e dhjetëra mijëra njerëzve në Mariupol varen prej këtij operacioni”, tha përmes një deklarate Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

Zyrtarët ushtarakë rusë kanë thënë se janë të gatshëm t’i përmbahen një armëpushimi për të lejuar hapjen e një korridori humanitar.

Qyteti me rreth 430,000 banorë para fillimit të luftës, është përballur me luftime intensive për javë të tëra ndërmjet forcave ruse dhe atyre ukrainase.

Sulmet ruse kanë goditur një maternitet, objektet kulturore dhe shtëpitë e civilëve.

Dhjetëra mijëra civilë thuhet se janë bllokuar në qytet pa energji elektrike dhe pa ushqim dhe ujë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button