Regjistrimi i popullatës dhe paragjykimet

Pas njëzet vitesh Maqedonia e Veriut arriti ta realizojë procesin e regjistrimit të popullatës. Edhe pse duhet të trajtohet si një operacion statistikor normal për çdo shtet të konsoliduar dhe demokratik, në vendin tonë regjistrimi i popullatës është trajtuar gjithmonë si një proces politik nga i cili varen shumë procese tjera të rëndësishme për vendin. Aq shumë u zgjat debati rreth regjistrimit sa që filluan të paraqiten edhe teori të ndryshme konspirative mes të cilave edhe mendimet se popullata në këtë shtet është përgjysmuar dhe nuk ka më shumë se një milionë rezidentë, se përqidnja e shqiptarëve ka rënë ndër 20% dhe se ata do ti humbasin të drejtat e tyre kushteturese që derivojnë nga Marrëveshja e Ohrit. E megjithatë, para fakteve të gjithë heshtin. Ose ndoshta nuk heshtin, por shprehin qëndrime konfuze dhe paushalle disa nga të cilat i dëgjuam dje.

Procesi i regjistrimit të popullatës zbardhi disa të dhëna shumë të rëndësishme demografike për vendin të cilat shkurtimisht do ti trajtoj më poshtë.

E para, ky proces i regjistrimit duhet të përgëzohet për shkak të përzgjedhjes së metodologjisë gjithpërfshirëse e cila u përdor. Kjo metodologji siguroi të dhëna shumë me rëndësi si për popullatën rezidente ashtu edhe për diasporën dhe përfundimisht i dha shansin gjithkujt që të jetë pjesë e numërimit. Procesi siguroi të dhëna të qarta për përbërjen e popullatës rezidente dhe asaj në diasporë, ndërsa posaçërisht me rëndësi ishte fakti që u identifikua edhe numri i personave të cilët nuk kanë marrë pjesë në regjistrim për arsye të ndryshme ndërsa figurojnë në të dhënat tjera të institucioneve shtetërore. Ky ishte një hap shumë i rëndësishëm për gjithpërfshirrjen e popullatës dhe për të mbledhur të dhëna relevante në më shumë aspekte të cilat të dhëna flasin shumë për proceset demografike që tani më janë të dukshme dhe të matshme në shtet.

E dyta, numri i përgjithshëm i popullsisë rezidente është 1.836.713 banorë. Ky nuk është numër gjithaq i vogël nëse e marrim parasysh trendin e migrimit dhe pritshmërinë se popullata rezidente në shtet është përgjysmuar. Edhe pse numri i popullatës rezidente sot është për 185.834 më i vogël se në vitin 2002 kur popullata rezidente ishte diçka më shumë se 2 milionë, sërish rënia nuk është aq drastike sa që promovohej nga shumë qarqe. Ajo që mbetet brengë është se brenda këtyre 20 viteve Maqedonia e Veriut e ka humbur 1/10 e popullatës rezidente, apo thënë më saktë, popullata rezidente është zvogëluar për 9,2%. Megjithatë, popullata e shpërngulur e ka ndryshuar vetëm rezidencën, por ka arritur ti mbajë lidhjet e fuqishme me vendlindjen, dhe këtë e tregon edhe numri i lartë i diasporës në këtë regjistrim. Sipas të dhënave, 260.606 persona janë regjistruar si diasporë. Këta janë familjarët tanë të cilët megjithëse nuk kanë qëndrim të përhershëm në shtet, sërsish janë këtu gjithmonë kur duhet dhe kur kanë dëshirë. Janë ata që i gjallërojnë qytetet tona gjatë verës, janë ata që kontribuojnë në mënyrë aktive në ekonominë vendase, janë ata të cilët arrijnë ti mbajnë lidhjet me ne, sepse vendlindja nuk është vetëm vendbanim, vendlindja është diçka që mbetet në shpirtin tonë gjithmonë, pavarësisht ku qëndrojmë përkohësisht.

E treta, procesi i regjistrimit definitivisht u dha fund teorive konspirative që kanë të bëjnë me përbërjen etnike të shtetit. Derisa shumë qarqe shpërndanin lajme të rreme se të gjithë shqiptarët kanë migruar nga Maqedonia e Veriut dhe nuk ka më shumë se 18% rezidentë të kësaj përkatësie etnike në shtet, faktet treguan që nuk është ashtu. Shqiptarët përbëjnë 29,52% të popullatës totale të shtetit, ndërsa 24,30% të popullatës rezidente. Përkatësia etnike ndoshta nuk është qëllimi kryesor pse bëhet regjistrimi i popullatës në vendet Evropiane, por në Ballkan ky paraqet gjithmonë faktin kyç të regjistrimit. Poashtu, e dhënë interesante është se pjesa dërmuese e diasporës së regjistruar është e përkatësisë shqiptare. Kjo edhe një herë e vërteton relevancën e faktorit shqiptar në vend, dhe e etablon këtë komunitet si vendimtar për të gjitha proceset politike dhe ekonomike të shtetit.

E katërta, bojkotuesit janë gjithmonë në humbje. Gjatë kohës kur u zhvillua procesi i regjistrimit, fatkeqësisht u promovua një kampanjë e zezë nga qarqet ultrashovene në vend të cilat i diskurajonin qytetarët të marrin pjesë në procesin e regjistrimit. Si pasojë e kësaj një numër i qytetarëve nuk morën pjesë në këtë proces dhe tani u japin mundësi pikërisht këtyre qarqeve ta kontestojnë vërtetësinë dhe saktësinë e procesit dhe fakteve që u paraqitën aty. Ata që nuk morrën pjesë në regjistrim e humbën mundësinë për të qenë pjesë e numrit dhe për ta shprehur lirshëm përkatësinë e tyre etnike, fetare dhe gjuhësore. E megjithatë, pikërisht bojkotuesit humbën më së shumti në këtë rast sepse edhe një herë u vërtetua se bojkoti i proceseve transparente dhe demokratike nuk është asnjëherë zgjidhje e problemit por krimij i problemeve të reja dhe të panevojshme nga të cilat thithin energji pikërisht ato qarqe destruktive vetëshkatërruese.

E pesta, regjistrimi vërtetoi që popullata e shtetit po plaket. Mosha më e përfaqësuar në shtet është ajo e dyzetvjeçarëve. Vendi përballet me ikjen e të rinjve, fshatrat po zbrazen, kryeqyteti po rritet. Këto fakte duhen shqyrtuar seriozisht nga ana e institucioneve shtetërore në mënyrë që të krijohen strategji për ta ngadalësuar ikjen e popullatës, për të krijuar kushte zhvillimi në të gjitha rajonet e shtetit dhe jo vetëm nëpër kryeqendra dhe për ta trajtuar problemin e plakjes së popullatës dhe rënies së natalitetit.

Regjistrimi i popullatës i nxori në shesh faktet dhe të gjitha paragjykimet me të cilat përballet shoqrëria jonë. Ajo që ka rëndësi është se pas 20 vitesh dhe pas shumë spekulimeve dhe teorive konspirative, e dimë sa jemi, ku jemi dhe ku jemi duke shkuar. Mbetet të shihet se çfarë do të ndërmarin institucionet shtetërore për ti bërë ballë procesit të ikjes së trurit që mbetet shqetësimi kryesor për ata të cilët arrijnë a shohin këtë proces në mënyrë racionale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button