Rusia: Në bisedimet e paqes me Ukrainën në Stamboll është arritur “njëfarë progresi”

Kreu i delegacionit rus në bisedimet e paqes e Ukrainën, Vladimir Medinsky, ka deklaruar se në takimin e kësaj jave në Turqi është arritur “njëfarë progresi”, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për media pas bisedimeve në Stamboll, Medinsky tha se Ukraina për herë të parë formuloi me shkrim gatishmërinë e saj për të përmbushur disa kushte që Rusia i konsideron të nevojshme për ndërtimin e marrëdhënieve normale.

“Dje, për herë të parë në të gjitha vitet e mëparshme, autoritetet e Kievit deklaruan gatishmërinë e tyre për të negociuar me Rusinë. Ata na dhanë parimet e një marrëveshje të mundshme të ardhshme të fiksuar në letër, e cila parashikon refuzimin e tyre për t’u bashkuar me NATO-n dhe heqjen dorë nga armët bërthamore dhe armët e tjera të shkatërrimit në masë”, tha Medinsky.

Sipas tij, propozimet e Ukrainës, ndër të tjera, përmbajnë një refuzim për të vendosur baza ushtarake të huaja dhe kontingjente ushtarake në territorin e saj, si dhe një detyrim për të kryer stërvitje ushtarake vetëm me pëlqimin e vendeve që do të jenë garantuese të sigurisë së saj, përfshirë Rusinë.

“Nëse të gjitha këto detyrime përmbushen nga Kievi, atëherë kërcënimi i formimit të një terreni të NATO-s në territorin ukrainas do të eliminohet”, theksoi ai.

Të martën, delegacionet ruse dhe ukrainase zhvilluan bisedime ballë për ballë në Stamboll. Më pas, Medinsky tha se negociatorët ukrainas paraqitën propozimet e tyre për një marrëveshje mes palëve. Ai shtoi se Moska, pas shqyrtimit të këtyre iniciativave, do të bëjë kundër-propozime.

Lufta Rusi-Ukrainë, e cila filloi më 24 shkurt, është përballur me zemërim ndërkombëtar, me Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, që po zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 1.151 civilë janë vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, si dhe rreth 1.850 të tjerë janë plagosur, megjithatë paralajmërohet se shifrat mund të jetë shumë më të larta.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 4 milionë ukrainas po ashtu kanë ikur në vendet evropiane, ndërsa miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button