Dita 36: SHBA me sanksione të reja ndaj Rusisë, Ukraina lindore përgatitet për ofensivë të re nga Rusia

Forcat ukrainase po përgatiten për sulme të reja nga ana e Rusisë në lindje të vendit për shkak se Moska ka vendosur më shumë trupa atje pasi pësoi pengesa pranë kryeqytetit Kiev, tha të enjten Presidenti Volodymyr Zelenskiy. Ndërkohë zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha se presidenti rus Vladimir Putin nuk është informuar plotësisht nga Ministria e tij e Mbrojtjes për dështimet e ushtrisë së tij në Ukrainë gjatë muajit të fundit. Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar për armëpushim në qytetin e rrethuar të Mariupolit në Ukrainë, duke filluar nga mëngjesi i sotëm, për të lejuar evakuimin e civilëve, transmeton Portalb.mk.

18:43 – SHBA, sanksione të reja ndaj Rusisë

Shtetet e Bashkuara vendosën të enjten sanksione të reja ndaj Rusisë në përgjigje të agresionit të saj në Ukrainë, duke vënë në shënjestër operatorët e sektorit të teknologjisë në një përpjekje për të parandaluar Moskën të shmangë sanksionet.

Departamenti anerikan i Thesarit tha në një deklaratë se po vendoste sanksione ndaj 21 subjekteve dhe 13 personave, përfshirë Shoqërinë Aksionere Mikron, prodhuesi dhe eksportuesi më i madh rus i mikroelektronikës dhe prodhuesi më i madh rus i çipave kompjuterikë.

Thesari gjithashtu zgjeroi fushën e autoritetit për vendosjen e sanksioneve duke përfshirë edhe sektorët e hapësirës ajrore, detare dhe elektronike të ekonomisë ruse. Ky zgjerim bën të mundur që Uashingtoni të vendosë sanksione ndaj çdo personi ose entiteti që ka operacione në ata sektorë, tha Departamenti i Thesarit.

Lëvizja e së enjtes vë gjithashtu në shënjestër “aktorët keqdashës kibernetikë,” tha Departamenti i Thesari.

“Ne do të vazhdojmë të godasim makinën e luftës së Putinit me sanksione nga çdo drejtim, derisa kjo luftë e pakuptimtë e paimponuar të përfundojë,” tha në deklaratë Sekretarja e Thesarit Janet Yellen.

Masat e sotme janë të fundit në një seri sanksionesh të vendosura ndaj Moskës nga Uashingtoni dhe aleatët e tij që kur forcat ruse ndërmorën agresionin ndaj Ukrainës në sulmin më të madh ndaj një vendi evropian që nga Lufta e Dytë Botërore. Moska e quan sulmin një “operacion special”.

11:23 – Ukrainasit në SHBA, gati për të ndihmuar 100.000 bashkatdhetarë

Derisa Shtetet e Bashkuara po përgatiten të pranojnë rreth 100 mijë refugjatë nga Ukraina, pas pushtimit rus, komunitetet ekzistuese në qytetet si Sakramento dhe Sietëll po mobilizohen për të siguruar ushqim, strehim dhe mbështetje për ata që ikin nga lufta.

Qeveria federale nuk ka thënë se kur do të fillojë procesi zyrtar i zhvendosjes, por grupet ukrainase në SHBA tashmë po ofrojnë mbështetje për njerëzit që hyjnë në këtë vend përmes kanaleve të tjera, transmeton REL.

“Asnjë refugjat nuk po pret që ju të jeni gati për ta”, tha Eduard Kislyanka, pastor i lartë në një kishë në Sakramento, e cila ka dërguar ekipe njerëzish në Poloni – shtet në kufi me Ukrainën – dhe ka përgatitur dhjetëra familje për të strehuar njerëzit që mbërrijnë në Kaliforni.

11:01 – Presidenti ukrainas kërkoi ndalimin e anijeve ruse nga portet ndërkombëtare

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka bërë thirrje për ndalimin e anijeve ruse nga portet ndërkombëtare, duke kërkuar sanksione të tjera kundër Moskës.

“Ne kemi nevojë për sanksione të tjera kundër Rusisë, sanksione të fuqishme derisa të ndalojë me shantazhin ndaj vendeve të tjera me raketa bërthamore. Ata duhet të paguajnë çmimin më të lartë për bllokimin e detit”, tha Zelenskyy gjatë fjalimit të tij përmes video-lidhjes në parlamentin federal australian.

Zelenskyy theksoi se asnjë anije ruse nuk duhet të lejohet në portet e tjera ndërkombëtare dhe se blerja e naftës do të thotë të paguash për shkatërrimin e sigurisë globale.

10:15 – Rusia: Në bisedimet e paqes me Ukrainën në Stamboll është arritur “njëfarë progresi”

Kreu i delegacionit rus në bisedimet e paqes e Ukrainën, Vladimir Medinsky, ka deklaruar se në takimin e kësaj jave në Turqi është arritur “njëfarë progresi”.

Duke folur në një konferencë për media pas bisedimeve në Stamboll, Medinsky tha se Ukraina për herë të parë formuloi me shkrim gatishmërinë e saj për të përmbushur disa kushte që Rusia i konsideron të nevojshme për ndërtimin e marrëdhënieve normale.

“Dje, për herë të parë në të gjitha vitet e mëparshme, autoritetet e Kievit deklaruan gatishmërinë e tyre për të negociuar me Rusinë. Ata na dhanë parimet e një marrëveshje të mundshme të ardhshme të fiksuar në letër, e cila parashikon refuzimin e tyre për t’u bashkuar me NATO-n dhe heqjen dorë nga armët bërthamore dhe armët e tjera të shkatërrimit në masë”, tha Medinsky.

10:00 – Kina: Sanksionet kundër Rusisë do të ndikojnë negativisht ndaj vendeve në zhvillim

Zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, Dai Bing, në një fjalim në Këshillin e Sigurimit mbrojti idenë e tij se rritja dhe zgjerimi i fushës së sanksioneve ndaj Rusisë do të ndikojë negativisht ndaj vendeve në zhvillim.

Zv/përfaqësuesi i përhershëm, Dai tha se rritja e dozës dhe shtrirja e sanksioneve kundër Rusisë do të godasë tregjet ndërkombëtare të ushqimit dhe energjisë.

Ai shtoi se sanksionet do të shkaktojnë probleme të reja humanitare duke ndikuar jetën e një numri të madh të njerëzve të zakonshëm.

09:32 – Zelensky tha se lufta është “në pikë kthese”

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ushtria e tij po përgatitet për luftime të mëtejshme në lindje dhe i quajti “fraza të bukura” premtimet ruse për të zvogëluar aktivitetin ushtarak.

Zelensky paralajmëroi se forcat ruse po grumbullohen në përgatitjen e një sulmi të ri në rajonin lindor të Donbasit në Ukrainë.

Rusia tha se do të kufizonte operacionet pranë kryeqytetit, Kiev, dhe qytetit verior të Çernihivit “për të rritur besimin e ndërsjellë” për bisedimet e paqes, pasi të dyja palët u takuan ballë për ballë në Stamboll më 29 mars.

Bisedimet pritet të rifillojnë sot përmes video-lidhjes, tha negociatori ukrainas David Arakhamia.

09:29 – Rusia shpalli armëpushimin në Mariupol

Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar për një armëpushim në qytetin e rrethuar të Mariupolit në Ukrainë, duke filluar nga mëngjesi i së enjtes, për të lejuar evakuimin e civilëve.

“Që ky operacion humanitar të ketë sukses, ne propozojmë që të kryhet me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët dhe të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq”, tha ministria në një deklaratë të cituar nga AFP të mërkurën.

Korridori humanitar nga Mariupol në Zaporizhzhia – përmes qytetit Berdiansk që kontrollohet nga Rusia – do të hapet në mëngjesin e së enjtes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button