U ndalua gjuetia për pesë vite në Shqipëri

Projektligji për shpalljen e Memorandumit të Gjuetisë për Republikën e Shqipërisë, i cili ka një afat kohor prej 5 vitesh që nga data e hyrjes në fuqi, është miratuar këtë të mërkurë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, raporton TopChannel.

Qëllimi i këtij ligji është ndalimi i ushtrimit të aktivitetit të gjuetisë, me qëllim përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie. Ky ligj përcakton rregullat që do të zbatohen gjatë ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë së gjuetisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Përjashtohen nga fusha e zbatimit të nenit 2, të këtij ligji:

a) gjuetia në rastet e konstatimit të mbipopullimit të një lloji të faunës së egër, në zonat e lejuara për gjueti dhe në rezervatet e mbarështimit, sipas legjislacionit në fuqi për gjuetinë;

b) gjuetia për qëllime kërkimore-shkencore.

Përjashtimi i përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për mjedisin.

Organet që monitorojnë rregullat për ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë së gjuetisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë janë:

  1. a) Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, nëpërmjet institucioneve të varësisë brenda fushës së përgjegjësisë që mbulon;
  2. b) Ministria e Brendshme, nëpërmjet Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Policisë së Shtetit;
  3. c) strukturat përgjegjëse kontrolluese/inspektuese në bashki

Veprimtaria kontrolluese, sipas këtij neni, ushtrohet në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.  Shqyrtimi e marrja e vendimit përfundimtar dhe ankimi ndaj tij bëhen në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative, si dhe me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.

  1. Shkeljet e këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, si më poshtë vijon:

a) Kur shkelja kryhet e organizuar nga operatorët e tureve të gjuetisë, shoqatat e gjuetarëve ose federatat e gjuetarëve, subjekti që e organizon dënohet me gjobë në masën 800 000 (tetëqind mijë) – 1 000 000 (një milion) lekë

b) Kur shkelja kryhet nga një person ose personi është pjesëtar i subjekteve organizuese, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike, personi dënohet me gjobë në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) – 100 000 (njëqind mijë) lekë.

Në rastet e përsëritjes së shkeljes nga subjektet e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij neni, përveç dënimit me gjobë, vendoset si dënim plotësues edhe heqja e lejes së gjuetisë, si dhe konfiskimi i armës së gjahut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button