fbpx

Drejtori i zyrës së OSBE-së Mekaçi: ODIHR-i mund të shqyrtojë propozim-ligjet për të vlerësuar përputhjen e tyre me standardet ndërkombëtare

Matteo Mekaçi, Drejtor i Zyrës së OSBE-së për Institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut (ODIHR), gjatë ditës së sotme ka zhvilluar takime me kreun e Kuvendit Talat xhaderi dhe zëvendëskryeministrin dhe ministri për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive Artan Grubi, transmeton Portalb.mk.

Në takimin me Xhaferin, bashkëbiseduesit shprehën kënaqësinë për bashkëpunimin e frytshëm dhe dialogun aktiv ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe OSBE/ODIHR-së në shumë fusha, dhe mbi të gjitha mbështetjen e vazhdueshme të përpjekjeve të vendit për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta.

Talat Xhaferi dhe Matteo Mekaçi
Talat Xhaferi dhe Matteo Mekaçi

Kryetari Xhaferi theksoi se Maqedonia e Veriut e vlerëson lart rolin e OSBE/ODIHR-së, si platformë kryesore për mbrojtjen e standardeve demokratike në rajonin e OSBE-së dhe se me rëndësi të madhe është monitorimi i proceseve zgjedhore në vend, duke filluar me zgjedhjet parlamentare të vitit 1998. Ai iu referua edhe bashkëpunimit me OSBE-në në forcimin e pavarësisë parlamentare, funksionit mbikëqyrës dhe rolit demokratik, si dhe promovimin e barazisë gjinore. Theksoi se është duke u hartuar propozim-ndryshimet e Rregullores së Kuvendit nga aspekti gjinor dhe Kodi Etik për deputetët, për të cilin janë marrë mendimet juridike nga ODIHR-ja.

Lidhur me situatën në Ukrainë, Kryetari Xhaferi vlerësoi se OSBE-ja mund të ofrojë resurse dhe mekanizma për zbutjen e tensioneve dhe rivendosjen e kanaleve të komunikimit për përfundimin paqësor dhe diplomatik të luftës.

Matteo Mekaçi në takim me Talat Xhaferin
Matteo Mekaçi në takim me Talat Xhaferin

Drejtori i ODIHR-it Mateo Mekaçi, theksoi se si ish-deputet dhe anëtar i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, me kënaqësi realizon takime me parlamentarë dhe avokatë për bashkëpunim të zgjeruar ndërmjet ODIHR-it dhe Parlamenteve nacionale. Ai shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet ODIHR-it dhe AP të OSBE-së, veçanërisht në fushën e vëzhgimit të zgjedhjeve. Mekaçi iu referua mendimeve juridike të përgatitura nga ODIHR për Propozim-kodin etik të deputetëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për barazinë gjinore dhe ofroi bashkëpunim në të ardhmen në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Theksoi se ODIHR-i, në suazat e mandatit të tij, mund të shqyrtojë propozim-ligjet për të vlerësuar përputhjen e tyre me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të bëjë rekomandime konkrete për përmirësim. Kryetari Xhaferi vlerësoi se modeli zgjedhor nuk duhet të ndryshohet pa arritur konsensus dhe theksoi se shumë nga rekomandimet e ODIHR-it tashmë janë implementuar në ndryshimet e mëparshme të Kodit Zgjedhor.

Në fund të takimit, Xhaferi dhe Mekaçi shprehën gatishmërinë për të vazhduar dialogun e hapur dhe bashkëpunimin e frytshëm, veçanërisht në kontekstin e kryesimit tonë në OSBE në vitin 2023.

Ndërkohë në takimin e Mekaçit me zëvendëskryeministrin dhe ministri për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive Artan Grubi u konkludua se bashkëpunimi mes ODIHR-it dhe institucioneve në vend është në nivel të lartë, por duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Të dy bashkëbiseduesit rikonfirmuan rëndësinë e respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut përmes zbatimit të plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit si garanci për integrimin e plotë social të të gjitha komuniteteve në vend.

Matteo Mekaçi, drejtor i Zyrës së OSBE-së
Matteo Mekaçi, drejtor i Zyrës së OSBE-së

Në takim u diskutua për Kodin Zgjedhor dhe rëndësinë e hapjes së debatit, ndërsa Qeveria në opinionin e fundit të dhënë për këtë projektligj për zgjedhjet u shpreh se procesi i miratimit të Kodit Zgjedhor imponon pashmangshmërisht nevojën për konsensus të të gjitha partive politike dhe kërkon debat më të gjerë, grup pune ndërdisiplinor me të gjitha palët.

Pjesë e bisedës mes Grubit dhe Mekaçit ishte edhe procesi i regjistrimit të popullsisë, rezultatet e të cilit u shpallën sot dhe dhanë një pasqyrë të re të popullsisë dhe të gjitha komuniteteve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në takim u diskutua edhe për mosmarrëveshjen me Bullgarinë, sfidat me të cilat përballemi në rrugën e integrimeve evropiane, grupet e punës që tashmë funksionojnë në përputhje me të gjitha detajet e një marrëveshjeje që do t’i jepte dritën jeshile vendit për marrjen e një date për bisedimet me BE-në dhe mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button