Kievi i kërkoi Moskës të tërhiqet nga Çernobili pas rrezikut për shpërthime

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, tha se forcat ruse që kanë marrë nën kontroll centralin e çmontuar bërthamor të Çernobilit duhet të tërhiqen nga ajo zonë, pasi forcat e armatosura ukrainase kanë paralajmëruar se mund të ketë shpërthim të municioneve.

“Ne kërkojmë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së që menjëherë të marrë masa për çarmatosjen e zonës së ndaluar dhe të vendoset një mision i posaçëm i OKB-së aty për të zhdukur rrezikun e përsëritjes së një katastrofe bërthamore”, tha ajo përmes një videoje të postuar më 30 mars në rrjetin social, Telegram, transmeton REL.

Stafi ukrainas ka vazhduar që të operojë me centralin e Çernobilit edhe pasi forcat ruse morën kontrollin e tij më 24 mars, në ditën kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës.

Më 29 mars, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi, qëndroi në Ukrainë për bisedime me zyrtarët e lartë qeveritarë për të dërguar “ndihmën urgjente teknike” në mënyrë që të garantohet siguria e centraleve bërthamore ukrainase.

“Ne nuk mund të humbim më shumë kohë. Ky konflikt veçse ka shkaktuar dhimbje të paimagjinueshme njerëzore dhe shkatërrim. Ekspertiza dhe aftësitë e agjencisë janë të nevojshme që të parandalohet ndonjë aksident bërthamor”, tha Grossi përmes një deklarate.

Në deklaratë nuk u tha se sa kohë Grossi do të qëndrojë në Ukrainë.

Që prej nisjes së luftës, Rusia ka marrë kontrollin edhe të centralit bërthamor në Zaporizhja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button