Tetovë, Ndërmarrja e Parkingjeve nuk ka bileta për parkim zonal, me mesazh parkingu kushton më shtrenjtë (ILUSTRIM)

Ka më shumë se një muaj që mungesa e furnizimit të kioskeve dhe marketeve me bileta për parking zonal nga NP “Parkingu i Qytetit” në Tetovë i detyron qytetarët të paguajnë parkimin vetëm përmes SMS porosive në telefon. Pagesa me sms porosi, kushton më shumë se pagesa me biletë, sepse nga llogaria tërhiqen edhe 5.9 denarë për shërbimin e dërgimit të mesazhit nga operatori i celularit. Madje kjo mënyrë e pagesës i kufizon ata që kanë numër telefoni vendor, pasi sms porositë dërgohen vetëm nga numrat e Maqedonisë së Veriut,  shkruan Portalb.mk.

Shitësit nëpër kioske dhe markete ku këto bileta bliheshin paraprakisht konfimrojnë se ka mungesë të kartelave për parkim zonal, dhe nuk kanë informacion se kur do të furnizohen përsëri nga NP “Parkingu i Qytetit”.

Vizituam disa pika të shitjes, kështu u shprehën shitësit:

“Jo vetëm me mesazh paguhet, nuk ka askund, prej komunës nuk i kanë bë ende, ka një muaj e gjysmë që ska. Nuk e dijmë kur do i sjellin aspak nuk na kontaktojnë”

“Jo skemi, vetëm me mesazh. Nuk e dimë pse”

“Nuk ka, vetëm me telefon se ende nuk kanë filluar t’i lëshojnë. Nuk ka askund.”

“Nuk këna, vetëm me mesazh. Nuk ka askund se Komuna i ka ndalur njëherë për njëherë, nuk e dimë kur do i lëshojnë.”

“Nuk kena për momentin”

Komuna e Tetovës thotë se së shpejti pritet të ketë bileta të reja për parkim zonal, por nuk theksuan se kur. Nga atje thanë se është nënshkruar marrëveshje me shtypshkronjën Napredok Tetovë për shtypjen e kartelave.

“Duke pasur parasysh borxhet e mëdha të trashëguara që ka NP Parking i Qytetit ndaj kësaj shtypshronje, kartelat do të printohen atëherë kur kompania të shlyejë detyrimin financiar ndaj shtypshkronjës. Ndryshe, të gjithë të interesuarit për të marrë ndonjë shërbim lidhur me blerjen e kartave, mund të kontaktojnë NP Parking i Qytetit”, thanë nga NP “Parkingu i Qytetit”.

Pagesa me sms porosi për parking, kushton 5.9 denarë më shumë

Pagesa me sms porosi kushton më shumë se të paguash parkingun zonal me biletë të blerë përkatëse, kjo për shkak se nga llogaria tërhiqen edhe 5.9 denarë për shërbimin e dërgimit të mesazhit nga operatori i celularit.  Komuna thotë se ndërmarrja vendos vetëm çmimin e parkimit ndërsa, pjesa tjetër e shërbimit është politikë e operatorit celular.

“Në raport me çmimin e llogaritur për një orë parkim 5,9 denarë shtesë i merr operatori me TVSH dhe duhet të jetë 5 denarë PA TVSH. NP Parking i Qytetit në periudhën e ardhshme do të vendos tabela me ndryshimet e reja”, thanë nga NP “Parkingu i Qytetit”.

Parkingu zonal Tetovë
Parkingu zonal Tetovë

Për ta qartësuar këtë po marrim një shembull.

Parkingu zonal në zonën A në Tetovë kushton 40 denarë për një orë, kur lëshohet SMS porosia për këtë zonë, nga llogaria tërhiqen 45.6 denarë. 40 denarë nga ndërmarrja e parkingjeve, ndërsa 5.6 denarë për operatorin celular.

Ja edhe ilustrimi me fotografi:

Para se të paguhet parking për një orë në zonën A1 e cila kushton 40 denarë për orë, në llogari kishim 84.66 denarë.

Pasi dërguam sms-në për parking, nga llogaria fillimisht u tërhoqën 5.9 denarë nga operatori.

Ndërsa pasi nga llogaria u tërhoqën edhe mjetet për pjesën e parkingut, në llogari mbetën 38.76 denarë.

Pra në fillim kishim 84.66 denarë në llogari ndërsa në fund na ngelën 38.76 denarë. Që i bie se parkingu që kushton 40 denarë nëse paguhet përmes celularit kushton 45.9 denarë.

Në Shkup, operatori celular për një pagesë parkingu me celular merr 11.8 denarë, për shkak se sistemi i pagesës përmes celularit funksionon më ndryshe, konkretisht parkingjet zonale që janë nën kompetencë të ndërmarrjes së parkingjeve të Qytetit të Shkupit.

Në Shkup dërgohet dy herë sms, për fillim të parkimit dhe për përfundim të tij.

Parkingu zonal Shkup. foto: Albmania
Parkingu zonal Shkup. foto: Albmania

Për ta ilustruar këtë po e sqarojmë përmes shembullit konkret dhe fotografive.

Për fillim të parkimit dërgohet sms-ja me informatat e kërkuara, kështu ne dërguam SMS porosi në zonën A4 ku një orë parking kushton 40 denarë. Para se të dërgojmë mesazhin në llogari kishim 158.39 denarë.

Sapo e dërguam mesazhin, nga llogaria u tërhoqën 5.9 denarë nga operatori cellular.

Më pastaj kur dërguam përsëri mesazh për të ndalur kohën e parkimit, nga llogaria u tërhoqën përsëri 5.9 denarë nga operatori celular dhe 40 denarë për parkimin.

Pra në fillim kishim 158.39 denarë ndërsa në fund na ngelën 106.59 denarë. Që i bie se parkingu që kushton 40 denarë nëse paguhet përmes celularit kushton 51.8 denarë.

Mënyra e pagesës në parkimin zonal edhe në Gostivar është si në formën e Shkupit të lartpërmendur.

Ndryshe, ndërmarrja “Parkingu i Qytetit” ka borxh mbi 187 mijë euro sipas të dhënave të fundit ndara me publikun nga kryetari i komunës, Bilall Kasami. Kjo ndërmarrje edhe pse gjeneron të hyra nga pagesat e qytetarëve, në të kaluarën vazhdimisht ka punuar në humbje. Në krye të kësaj ndërmarrje aktualisht është Igor Dodevski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button